Abdixhiku: Shtimi i ministrive, i papranueshëm për LDK-në

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për ofertat e fundit të shkëmbyera mes LDK-së dhe LVV-së.

Abdixhiku ka thënë se nuk pranojnë shtimin e ministrive siç ka propozuar LVV.

“LDK as nuk ka kërkuar, as nuk ka pranuar e as nuk do të pranojë shtim të numrit të ministrive”, ka thënë ai në “TV Dukagjini”.

Në anën tjetër, dy deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Liburn Aliu, e kanë quajtur “tallje” propozimin e fundit të LDK-së që kjo parti të marrë kryeparlamentarin deri në kohën kur të zgjidhet presidenti i ri.

Kanë kaluar 100 ditë që prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë dhe dy partitë e para, LVV dhe LDK ende nuk po munden që ta arrijnë një marrëveshje.

Nga takimet e fundit, në publik kanë rrjedhur edhe propozimet për formimin e ekzekutivit kosovar. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dy formula të ndryshme për ndarjen e posteve shtetërore.

Partia e Albin Kurtit ka propozuar formulë për krijimin e qeverisë së re. Sipas LVV-së, përveç pozitës së Kryeministrit, numri i ministrive duhet të shtohet nga 12 në 14 sosh, ndërsa 5 ministri t’i takojnë LVV-së e 6 LDK-së.

Vetëvendosje publikon ofertën e re për LDK-në

Sipas propozimit, zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, zëvendëskryeministri i dytë LVV-së ndërsa kanë propozuar edhe një formulim për pozitën e shefit të shtetit. Nga ana tjetër, LDK ka bërë një ofertë, ndonëse ajo doli e dyta në zgjedhje.

LDK i dërgon ofertë VV-së për bashkëqeverisje

Partia e Isa Mustafës ka kërkuar zëvendëskryeministrin e parë, nga 5 ministri ndërsa kanë propozuar edhe një formulë të re për postin e të parit të Kuvendit të Kosovës dhe Presidentit të vendit.