LVV-ja refuzon propozimin e LDK-së për kryeparlamentarin, e quan 'tallje'

Dy deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Liburn Aliu, e kanë quajtur tallje propozimin e fundit të LDK-së që kjo parti të marrë kryeparlamentarin deri në kohën kur të zgjidhet presidenti i ri.

Ata kanë thënë se nuk mund të shkarkohet Glauk Konjufca i LVV-së nga posti i kryeparlamentarit “sepse ai ka marrë votat e deputetëve”.

“As z. Kurti as Mustafa as askush nuk do të ishte e pranueshme që të marrë guximin dhe t’i kërkojë kryeparlamentarit aktual që është votuar me votat e deputetëve që të japë dorëheqje. Sepse ky është një vendim arbitrar dhe është një shije e keqe mbi atë që duam të bëjmë. Ne jemi zotuar për ndryshime në këtë vend dhe po fillojmë me kësi lojëra”, ka thënë Liburn Aliu në “Rubikon” të “KTV-së.

“Madje kjo është tallje nga LDK-ja. Është tallje me institucionin. Dorëhiqu ti, dorëhiqu ai….” ka thënë deputetja Albulena Haxhiu.

Kanë kaluar 100 ditë që prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë dhe dy partitë e para, LVV dhe LDK ende nuk po munden që ta arrijnë një marrëveshje.

Nga takimet e fundit, në publik kanë rrjedhur edhe propozimet për formimin e ekzekutivit kosovar. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dy formula të ndryshme për ndarjen e posteve shtetërore.

Partia e Albin Kurtit ka propozuar formulë për krijimin e qeverisë së re. Sipas LVV-së, përveç pozitës së Kryeministrit, numri i ministrive duhet të shtohet nga 12 në 14 sosh, ndërsa 5 ministri t’i takojnë VV-së e 6 LDK-së.

Vetëvendosje publikon ofertën e re për LDK-në

Sipas propozimit, zëvendëskryeministri i parë i takon LDK-së, zëvendëskryeministri i dytë LVV-së ndërsa kanë propozuar edhe një formulim për pozitën e shefit të shtetit. Nga ana tjetër, LDK ka bërë një ofertë, ndonëse ajo doli e dyta në zgjedhje.

LDK i dërgon ofertë VV-së për bashkëqeverisje

Partia e Isa Mustafës ka kërkuar zëvendëskryeministrin e parë, nga 5 ministri ndërsa kanë propozuar edhe një formulë të re për postin e të parit të Kuvendit të Kosovës dhe Presidentit të vendit.