AAK-ja fillon përgatitjet për zgjedhjet e brendshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur që të fillojë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e saj.

Siç bën të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, parashihet që në ndryshimet statutare të përfshihet zgjedhja me votë nga baza për të gjitha pozitat në parti, duke mënjanuar emërimet dhe zgjedhjet ex-officio.

“Me qëllim që t’u hapen rrugë reformave, Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka vendosur që të fillojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, në të gjitha nivelet, duke instaluar sistemin një delegat – një votë. Po ashtu, parashihet që në ndryshimet statutare, të përfshihet zgjedhja me votë nga baza për të gjitha pozitat në parti, duke mënjanuar emërimet dhe zgjedhjet ex-officio. Platforma Programore do të plotësohet konform me ndryshimin e Statutit të AAK-së, që do të miratohet në Kuvendin e Punës, për datën e mbajtjes të së cilit do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues”, ka bërë të ditur Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’, të martën.

Partia e udhëhequr nga Haradinaj, është renditur e katërta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.