Deputeti Shemsedin Dreshaj në konferencën e AAK-së: FOTO AAK

AAK e pakënaqur me menaxhimin e pandemisë, kërkon nga qeveria të publikoj planin kundër COVID-19

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të bëjnë publik planin e menaxhimit të pandemisë si dhe planin e vaksinimit të qytetarëve kundër COVID-19.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media ka thënë edhe se qeveria duhet të siguroj vaksinat për qytetarët e Kosovës në një afat sa më të shkurtër.

“Vetëm gjatë ditës së djeshme, mbi 15 mijë qytetarë, madje edhe pushtetarë aktual, lëshuan vendin në drejtim të Shqipërsisë. Kërkojmë nga qeveria dhe nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia, që në afat sa më të shkurtër të sigurojë vaksinat e nevojshme”, tha Dreshaj.

Ai gjithashtu shtoi se AAK-ja kërkon menjëherë që pa vonesë të shfrytëzohet buxheti i paraparë për blerjen e vaksinave.

Dreshaj kërkoi nga Qeveria që të bisedojnë me vendet mike për sigurimin e vaksinave.

“I rekomandojmë qeverisë aktuale që me rrugë urgjente të koordinohet me vendet mike për sigurimin e vaksinave. T’i lëmë kapricot dhe egocentrizmin, rekomandojmë që Vitia t’i bashkërendisë forcat me ministrat paraprak të shëndetësisë, me Uran Ismajlin e Armend Zemaj që të bashkëpunojnë për menaxhimin e situatës. Populli ynë ka nevojë për vaksinim masiv. Pandemia nuk na ndan, ta luftojmë bashkë”, tha Dreshaj.

Ndërkaq, anëtarja e kryesisë së AAK-së, Iliriana Gafurri u shpreh se ka ankesa në nivelin lokal për sasinë e vogël të vaksinave që i janë shpërndarë, e që sipas saj kjo e dëmton procesin e vaksinimit të personelit shëndetësor. Gafurri kërkoi që brenda 60 ditëve të jepen edhe dozat e dyta të vaksinave.