A i heton Agjencia Kundër Korrupsionit paratë e fshehura të politikanëve?

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar nëse hetohen paratë e fshehura të politikanëve.

Ai ka thënë se është pak vështirë të bëhet një hetim i tillë pasi ka mungesë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Nuk është që mundemi shumë me zbulu se ku i kanë fshehë paratë politikanët, sidomos kur mungon edhe bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë vështirë”, ka thënë Buleshkaj.

Sipas këtij të fundit, diçka që mund të hetojë AKK është prejardhja e pasurisë.

Këto hetime bëhen në rastet kur njëri nga politikanët në deklarimin e pasurisë thotë se një veturë apo diçka tjetër e ka si dhuratë nga vëllai, mirëpo pas verifikimit të AKK-së del të jetë ndryshe.

“Ne atë që mund ta bëjmë është tek prejardhja e pasurisë pak pasi që dikush që e ka deklaruar se e ka një të hyrë, një veturë apo diçka tjetër që është dhuruar nga ndonjë vëlla i tij, por kur të bëhet verifikimi del që është dhuruar nga dikush më i largët ne atëherë mund ta hapim rastin, por nuk mund ta hetojmë gjithë farefisin”, ka thënë ai.

Tutje drejtuesi i AKK-së ka shtuar se mund të verifikojmë pasurinë për familjarët e politikanëve që jetojnë në bashkësi familjare, por jo familjarë më të largët.

“Ne ashtu siç e parasheh ligji e verifikojmë pasurinë për familjarët e politikanëve që jetojnë në bashkësi familjare, ndërsa për kushërinjtë qofshin ata të afërt apo të largët nuk mund të bëjmë kurrfarë verifikimi”, tha Buleshkaj.

Ky i fundit ka thënë se janë disa raste në të kaluarën kur AKK ka bashkëpunuar me agjencinë simotër në Shqipëri dhe ka verifikuar se zyrtarë të Kosovës kanë pasuri në Shqipëri që nuk e kanë të deklaruar edhe në vend.

Këto raste, sipas Buleshkajt, janë duke u trajtuar në gjyqësor.

Tutje Buleshkaj ka treguar se ky bashkëpunim me agjencinë simotër në Shqipëri ndodh për shkak të mëshirës së këtij institucioni.

“Ne kemi raste që i kemi verifikuar duke i kontaktuar direkt edhe nën mirësinë e institucionit, pa obligim ligjor, institucioni i Shqipërisë ka mund të na ofrojë”, ka thënë ai.

Tutje drejtuesi i AKK-së ka thënë se gjatë mandatit të tij nuk janë verifikuar raste të tilla pasi nuk ka pasur as pretendime.