3 të arrestuar për vjedhje në Gjykatë në Vushtrri

Policia e Kosovës ka arritur t’i kapë personat e dyshuar për vjedhjen në objektin e vjetër të Gjykatës në Vushtrri.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Një rast i veprës penale ‘vjedhje’ është raportuar gjatë ditës së sotme në Stacionin Policor në Vushtrri, ku si rezultat i informacionit  të pranuar dhe  një reagimi të shpejtë, njësitet policore kanë arritur  që në flagrancë  të arrestojnë tre persona të dyshuar  në kryerje të  veprës  penale ‘vjedhje’”, ka thënë Zahiti.

Sipas tij të dyshuarit në hapësirat e objektit të Gjykatës kanë vjedhur pjesë të ndryshme të metalit.

“Arrestimi i dy të dyshuarave është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe prova të siguruara se sot rreth orës 12:00, në rrugën ‘Gëzim Rama’’ në Vushtrri, tre të dyshuarit në bashkëveprim, në objektin e vjetër të gjykatës  kanë kryer veprën penale ‘vjedhje’, me ç’rast nga hapësirat e objektit  kanë vjedhur pjesë të ndryshme të metalit”, ka thënë tutje ai.

Zahiti ka thënë se materialet e vjedhura dhe veglat me të cilat është kryer vepra penale janë sekuestruar dhe do të procedohen në rast si prova materiale.

Ndërsa pas  intervistimit, tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.