Ilustrim

20 vitet e Policisë së Kosovës pa sigurim shëndetësor

Sami Thaçi është polici i 21-të, i cili vdiq në uniformë të Policisë së Kosovës.

Nga këta 21 polic, të cilët kanë vdekur që nga themelimi i Policisë së Kosovës, disa prej tyre janë vrarë, disa kanë vdekur në aksidente trafiku, e disa kishin vdekje natyrale.

Zyrtarët policorë të cilët me vite me radhë shërbyen në Policinë e Kosovës dhe ranë në krye të detyrës, e poashtu edhe ata të cilët vazhdojnë ende punën e tyre, vazhdojnë të kryjnë detyrat pa pasur asnjë sigurim shëdetësor, aksidental, e as jetësor përkundër rrezikshmërisë që kanë.

Tash e disa vite, Policisë së Kosovës i është premtuar sigurimi shëndetësor, aksidental dhe ai jetësor, por edhe pas vdekjes së 21 policëve në krye të detyrës, policia ende nuk ka sigurim.

Për sigurimin e tyre, në vazhdimësi janë bërë kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës, por të gjitha kanë mbetur vetëm premtime.

Shaban Tasholli, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se të gjitha premtimet rreth sigurimit shëndetësor, jetësor dhe aksidental të Policisë së Kosovës, kanë mbetur të pa realizuara.

“Sindikata e Policisë së Kosovës në vazhdimësi, çdoherë si në ministri, poashtu edhe në Qeveri kemi bërë kërkesa për sigurimin shëndetësor, aksidental dhe jetësor për zyrtarët policor të Kosovës, dhe çdoherë premtime ka pasur nga ana e tyre por realizim të tyre nuk ka pasur asnjëherë”, ka thënë Tasholli.

Tasholli ka folur edhe për paratë e ndara nga Qeveria e Kosovës për policin e rënë në detyrë para dy ditëve, Sami Thaqi, ku ka ndarë 15 mijë euro për familjen e tij.

“Paratë të cilat janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për policin e rënë në detyrë Sami Thaqi ne si sindikatë i kemi mirëpritur, por ka hapësirë që të bëhet më shumë”, ka thënë Tasholli.

Në bazë të ligjit për Policinë e Kosovës, në rast të vdekjes së një zyrtari policor, bashkëshorti i cili përcaktohet që ka qenë e përkrahur nga zyrtari policor dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare të zyrtarit policor i cili vdes në kryerje të detyrës kanë të drejtë në pension familjar, por vetëm deri në vlerën 80% tё pagës bruto.

Gjatë ditës së djeshme presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”, për zyrtarin policor Sami Thaqi, i rënë në detyrë para dy ditëve.

Gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës humbi edhe zyrtarin Izet Demaj, poashtu në krye të detyrës, gjatë tentimit për të parandaluar një grabitje me armë në një bankë në Istog.

 

VIDEO: Sindikata e Policisë kërkon sigurim për policët

Para dy ditëve, gjatë një bastisjeje në një shtëpi në Zhur të Komunës së Prizrenit, një zyrtar policor, Sami Thaqi ka vdekur e dy të tjerë janë lënduar rëndë pas shpërthimit të një eksplozivi.

Policia fillimisht kishte marrë informacion për një rast të dhunës në familje e më pas edhe për posedim narkotikësh.

Njësitet relevante ishin nisur drejtë shtëpisë ku gjendej i dyshuari e në hyrje deri sa kishte filluar bastisja në katin e dytë të shtëpisë deri sa është hapur dera, një eksploziv i vendosur kishte shpërthyer ku ka marrë jetën e policit Thaqi e shkaktoi plagosjen e dy policve të tjerë.

Spitali në Prizren tregon gjendjen e policit të lënduar në Zhur

.