20 inspektorë sanitarë iu shtuan luftës kundër COVID-19

Edhe 20 inspektorë sanitar iu shtuan luftës kundër Covid-19. Kështu ka njoftuar përmes një publikimi në Facebook ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj duke thënë se po rriten kapacitetet.

Zemaj po ashtu ka njoftuar se në vijim do të fillojnë punën edhe 100 mjekë, 62 infermierë, 8 laborantë, 6 punonjës staf teknik dhe mbështetës.

“Kjo po bëhet në kuadër të rritjes së kapaciteteve të luftës kundër pandemisë Covid-19.  Inspektorët e rinj do të kryejnë inspektime sanitare, kontrolle për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, higjienës së ushqimit, përpunimit, tregtimit, paketimit, ripaketimit, deponimit, transportimit të ushqimit. Do të zbatojnë legjislacionin për Parandalimin dhe luftimin e Sëmundjeve ngjitëse.  Do të inspektojnë institucionet publike dhe private, produktet ushqimore dhe jo ushqimore; shtesat dhe aditivët në ushqim; higjienën në institucione publike dhe private; ujin për pije, pijet freskuese dhe joalkoolike; subjektet afariste të cilat merren me ushqim, përfshirë edhe zbatimin e parimeve të sistemit HACCP për kontrollin e ushqimit; objektet hoteliere. Do të japin pëlqime sanitare për kushtet sanitaro – teknike dhe higjienike në procesin e dhënies së lejeve ndërtimore për objektet”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj e ka përfunduar publikimin duke apeluar te qytetarët që të ruajnë distancën, të përdorin masat dhe të respektojnë masat mbrojtëse.