Foto: REL/AFP

13 punëtorë të Shërbimit Urgjent në Prishtinë shkojnë në vetizolim, patën kontakt me personin që vdiq nga coronavirusi

13 punëtorë shëndetësor të Shërbimit Urgjent në Prishtinë janë rekomanduar për vetizolim pasi kanë pasur kontakt me personin që ka vdekur sot si pasojë e coronavirusit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori komunal i shëndetësisë, Bujar Gashi.

“Që nga dita e djeshme kanë shkuar në vetizolim 13 persona nga stafi mjekësor i shërbimit urgjent pasi kanë pasur kontakt me tashmë të ndjerën nga COVID-19. Kjo masë është marrë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në mënyrë që të merren masa parandaluese. Shërbimi urgjent vazhdon të funksionojë me riorganizim sic ka qenë deri më tash”, ka thënë Gashi.

Sot, në Kosovë, janë konfirmuar edhe dy vdekje si pasojë e COVID-19, një person nga Prishtina dhe një nga fshati Korishë i Prizrenit.