Të tregosh rrëfimet e grave përmes animacionit: Bombardimet nga NATO-s në vitin 1999

Në 21 vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, ne i rikthehemi prapë filmit të shkurtër të animuar nga Urtina Hoxha, i quajtur ‘Kush mytet kapet për shkume’, i cili shfaq historinë e aktivistes Ola Syla dhe familjes së saj gjatë vitit të trazuar të 1999-ës.

E lindur në vitin 1995, Urtina Hoxha, një dizajnere grafike nga Prishtina, është padyshim shumë e re për të mbajtur në mend diçka nga lufta në Kosovë. Ajo dhe bashkëmoshatarët e saj mësuan për jetën e fundviteve të viteve ‘90 kryesisht përmes pamjeve dhe tregimeve: arkivat e lajmeve televizive, copëza shkrimesh nga gazeta, fotografitë dhe, natyrisht, kujtimet e rrëfyera nga prindërit ose të afërmit e tyre.

“Për shkak se isha shumë e re për ta kujtuar vetë, gjithmonë isha e interesuar për histori nga lufta – si ishte, si ndjeheshin njerëzit dhe si dukej jeta në ato rrethana të jashtëzakonshme”, thotë Urtina.

“Kështu që unë fillova të bëj disa hulumtime, dhe ideja që më erdhi në mendje ishte të rikrijoja një përvojë në jetën reale të luftës, veçanërisht duke i vënë në pah bombardimet e NATO-s, përmes animacionit”, tregon ajo.

Urtina, e cila e kalon kohën e saj duke vizatuar, duke krijuar animacione dhe duke punuar në një studio lokale të dizajnit të përbërë vetëm nga gratë, e promovoi filmin e saj të shkurtër të animuar, ‘Kush mytet kapet për shkume’, në dhjetor të vitit 2019 në librarinë Ditë e Natë në Prishtinë.

Filmi i shkurtër i Urtinës fillon në Prishtinë, m`u në kohën kur po binin bombat e NATO-s në ish-Jugosllavi, që nisën me 24 mars të vitit 1999, në një kohëzgjatje prej 78 ditësh.

Urtina kaloi përmes arkivës së Iniciativës së Historisë Gojore të Kosovës në kërkim të frymëzimit, duke vizatuar nga ritregimet e përvojave të njerëzve nga jeta e tyre reale gjatë luftës.

Ajo rrëfen se frymëzimin e saj më të madh e gjente tek tregimet e grave dhe rolet e tyre gjatë atyre kohërave të vështira, veçanërisht sepse burrat janë protagonistët e zakonshëm në tregimet e kësaj periudhe të historisë së Kosovës.

“Gjatë hulumtimit tim, unë u mahnita nga tregimet e grave”, shpjegon ajo. “Kuptova se nuk është aq shumë e zakonshme të dëgjojmë anën e tyre të tregimit, dhe vendosa që janë tregimet e grave ato që doja të veçoja”.

Historia që u mbërthye me Urtinën ishte në përgjithësi ajo e Ola Sylës, aktiviste e të drejtave të grave nga Istogu e cila jeton në Prishtinë. Gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, ajo luftoi për të mbrojtur familjen e saj, burrin dhe dy djemtë e saj të rinj.

Në film, Ola Syla përshkruan aktivitetet e saja të përditshme gjatë luftës. Ndërsa, siç thotë ajo, kishte më shumë siguri për të si një grua, ajo e mori përsipër detyrën që të dalë nga banesa e tyre çdo ditë për të blerë gjëra ushqimore dhe bukë nëpër dyqane, gjëra që shpesh nuk mund t’i merrte për familjen e saj për shkak të radhëve të gjata të njerëzve që shpresonin ta merrnin të njëjtat gjëra.

Në njërën prej sekuencave më emocionale të filmit, përshkrimi i Olas është i atillë që pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme, ajo u përpoq të krijonte një atmosferë “normale” për familjen e saj.

“Ne u përpoqëm të bënim një jetë normale, marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendeshim”, kujton Ola. “Mbaj mend që ishte dita e katërt e bombardimeve, dhe ishte gjithashtu edhe festa e Bajramit. Unë përgatita drekën time të zakonshme të Bajramit dhe i thirra burrin dhe djemtë në tryezë. Hapa një shishe verë dhe e uruam njëri-tjetrin, duke i premtuar atyre se Bajramin tjetër do të jemi përsëri në këtë shtëpi, të gjithë së bashku dhe të shëndetshëm. Nuk ishte diçka normale të pish verë për festën e Bajramit, por në atë kohë asgjë nuk ishte normale”.

Filmi ndjek Olën teksa shëtit nëpër qytetin e Prishtinës, duke përshkruar jetën e saj në banesë bashkë me familjen e saj, dhe momentin kur ata vendosin të ikin nga kryeqyteti dhe të nisen së pari për në Maqedoni, dhe më pas edhe në Shqipëri.

Sipas Uratës, përdorimi i animacionit për të rikrijuar përvojat e Olës mund të jetë edhe argëtuese por dhe e fuqishme për shikuesit njëkohësisht. “Animacioni është mjet vizual shumë i rëndësishëm që mund të përdoret për të treguar një histori, është vizualisht i këndshëm dhe shpesh është shumë argëtues për t`u shikuar”, thotë ajo.

Stili i animacionit i përdorur në film u ndikua nga koha që kaloi Urtina duke shikuar fotografitë e qytetit nga vitet 1990. Ajo u përpoq të gjente pamje që përshkruanin modelin tipik të shtëpive nga brenda në Prishtinë dhe duke kërkuar referenca të modës nëpër fotografitë e protestave në atë kohë për të dizajnuar personazhet e saj.

“Gjatë hulumtimit tim, unë shikova shumë fotografi të qytetit, që më duheshin mua ta dija se si dukej. Shikoja fotografi ose ambiente tipike jugosllave përmes internetit dhe kontrollova nëse shtëpitë dukeshin të njëjta edhe në Kosovë, po ashtu”, shpjegon Urtina. “Mënyra se si unë i dizajnova kostumet në film ishte frymëzim nga fotot e protestave të viteve ’90 në Kosovë, veçanërisht protesta e grave me bukë në vitin 1998”.

Protesta u organizua nga Forumi i Grave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke marshuar nga Prishtina në drejtim të Drenicës në muajin mars të vitit 1998 nën moton “Bukë për gratë dhe fëmijët nga Drenica”. Protestuesit mbanin bukë në dorë ndërsa marshonin, në shenjë solidariteti me gratë dhe fëmijët në Drenicë, të cilët ishin nën kërcënimin e urisë si rezultat i izolimit me forcë në të cilin ndodheshin nga policia serbe.

 

Në fund të filmit të Urtinës, Ola shpjegon se ishte një perceptim i zakonshëm në atë kohë që gratë me veshje të mira kishin më pak të ngjarë të ndaloheshin dhe të merreshin në pyetje nga policia ose paramilitarët serbë. Ajo kujton atë që kunata e saj, e cila tashmë kishte ikur në Maqedoni, i tha asaj në telefon.

“Në ditën kur niseni për rrugë, Ola të lutem, vishu mirë! Regullohu mirë, vendos makiazh dhe vishi rrobat më të mira. Sepse nëse vishesh mirë dhe dukesh mirë, do të jetë më lehtë për ju të kaloni nëpër pikat e kontrollit”.

Duke i komentuar këshillat e kunatës së saj, Syla i referohet një aforizmi, ose “diçka që thonë gratë e vjetra” ndërsa ajo e thotë – ‘kush mytet kapet për shkume’. Kjo thënie, që do të thotë se ata që janë duke luftuar për jetën do të bëjnë gjithçka që munden për të mbijetuar, ishte edhe frymëzimi për titullin e filmit.

Urtina, e cila tashmë ka filluar të punojë në filmin e saj të ardhshëm të animuar, thotë se dëshiron të vazhdojë të krijojë animacione të ngjashme të shkurtra që vënë në pah përvojat e grave gjatë luftës, me qëllim që t’i bëjnë tregimet e tyre më të dukshme.

“Unë besoj se këto kujtime kolektive nuk mund dhe nuk do të gjenden në librat e historisë”, thotë ajo. “Animacioni është një nga mënyrat më të mira dhe më efektive për t`i treguar këto histori”.