Shkumbin Munishi

Shkumbin Munishi: Seminari i shqipes, 45 vjet kupolë e shkencës së albanologjisë

Të hënën e ardhshme, më 19 gusht, në Prishtinë nis edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare.

Këtë vit ky seminar shënon edhe 45 vjetorin e themelimit të tij. Seminari është themeluar në vitin 1974 në kuadër të Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës dhe deri më sot ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione.

Seminari pati një shkëputje të rrjedhës vjetore të organizmit disa vjet për shkak të rrethanave që ka kaluar vendi gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Që nga themelimi pjesëmarrja e të huajve për pjesëmarrje në këtë seminar ka ardhur duke u shtuar. Edhe këtë edicion pritet një pjesëmarrje e madhe të studentëve dhe studiuesve të huaj të shkencave albanologjike.

Në këtë intervistë për KALLXO.com, drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, flet për të risitë dhe  gjithçka që është përgatitur nga drejtoria e seminarit për këtë edicion.

45 vjet studime albanologjike

Kallxo.com: Cilat do të jenë risitë e edicionit të sivjetmë të seminarit të shqipes?

Shkumbin Munishi: Seminari i sivjetmë i shqipes do të vazhdojë me traditën të cilën e ka krijuar tash e 45 vjet. Pra këtë viti kemi një edicion të veçantë, një jubile,  është 45 vjetori që kurë ka filluar të organizohet seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsie dhe Kulturën Shqiptare.

Me këtë jubile, seminari bëhet ngjarja më tradicionale me jetëgjatësinë më të madhe në fushën e studimeve albanologjike.

Edhe këtë vit seminari do të ndjekë një program i cili është etabluar për vite me radhë dhe që konsiston në atë se të gjithë pjesëmarrësit, po flas për aspektin shkencor, në seminari do të sjellin studimet më kryesore që i kanë kryer gjatë vitit fundit, dhe kjo është veçantia e seminarit.

Kallxo.com: Sa ndikon Seminari në përhapjen dhe interesimin studiuesve të huaj për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi?

Shkumbin Munishi: E përmenda pak më parë se  seminari ka krijuar një traditë, e cila është e patejkaluar në shkencat shqiptare në përgjithësi. Kjo do të thotë se seminari vazhdon me qenë atraktiv për gjithë ata studiues por edhe studentë të huaj të cilat duan ta mësojnë në radhë të parë gjuhën shqipe, por njëkohësisht të cilat duan të merren me shqipen, ta studiojnë shqipen, qoftë në rrafshin e studimeve linguistike qoftë në rrafshin e studimeve letrare, qoftë historike kulturore e kështu me radhë, dhe në këtë kuptim seminari vazhdon me qenë propaganduesi kryesor i gjuhës, letërsisë, i traditës e historisë shqiptare në përgjithësi. Pra interesimin  për pjesëmarrje në seminar është i madh.

Edhe këtë  vit do të kemi një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve qoftë si pjesëmarrës të cilët do t’i ndjekin kurse e gjuhës shqipe në tri nivele, në nivelin fillestar, të mesëm dhe të lartë, qoftë si ngjarje shkencore në të cilën do të marrin pjesë studiuesit kryesorë dhe shqiptarë të cilët përmes punimeve do të trajtojnë çështje të ndryshme nga fusha e gjuhës letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Kallxo.com: Sa do të jetë numri i seminaristëve që këtë edicion do të marrinë pjesë dhe ku do të akomodohen?

Shkumbin Munishi: Për këtë vit kemi marrë mbi 130 aplikime, presim që numri i pjesëmarrësve, po flas vetëm për ata që do të ndjekim kurset e gjuhës, do të jetë mbi 100. Po ashtu janë mbi 70 studiues që do të marrin në aktivitetet shkencore. Pra në përgjithësi konsiderojmë se është një numër i madh, një numër që po e ruan traditën e pjesëmarrjes masive dhe që kemi të bëjmë kryesisht me studentë dhe studiues të huaj që merrem me studimet albanologjike. Në ketë kuptim po ritheksojë se interesim vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm nga vende të ndryshme.

Seminaristët do të akomodohen në  konviktet e Universitetit të Prishtinës, në Qendrën Studentore këtu në Prishtinë. Ne kemi marrë mbështetje e Ministrisë së Arsimit që na ka mundësuar akomodimin e pjesëmarrësve në konviktet e studentëve.

Kallxo.com: Nga cilat vende ka më shumë interesim për të ndjekur Seminarin e shqipes?

Shkumbin Munishi: Seminaristët vijnë nga shumë vende të botës. Ne kemi një numër të cilët vijnë nga qendrat albanologjike të cilat ekzistojnë në botë, kemi qendrat në Rusi, Poloni, Gjermani, Serbi e vende tjera. Pra ka një shtrirje nga të gjitha vendet e botës por natyrisht ne pranojmë një numër të konsiderueshëm që vijnë nga qendrat  albanologjike me traditë.

Ligjëruesit dhe  tema e seminarit

Kallxo.com: Cilat janë temat që do të trajtohen gjatë këtij seminari, qoftë ligjëratat, tryeza shkencore dhe sesionet, dhe pritjet nga ky edicion?

Shkumbin Munishi: Sa i përket aspektit shkencor sivjet do të kemi disa ligjërata. Ligjëratën e parë në kuadër të seminarit do ta mbajë profesor Rexhep Ismajli i cili do të flasë për ndarjen dialektore të shqipe në kontekstin ballkanik, pastaj do ta kemi ligjëratën e profesor Bardh Rugovës, i cili do të flasë për kohën e ardhme në gjuhën shqipe. Këto janë ligjërata që do t’i kemi në fushën e gjuhësisë.

Po ashtu e kemi ligjëratën e profesoreshës Evalda Paci, e cila do të flasë për studimet albanologjike të cilat kanë trajtuar figurën e Skënderbeut dhe kemi një ligjëratë nga Ernestina Gjergji- Halili nga fusha e letërsisë dhe do të trajtojë dramën shqiptare nga fundi i shekullit të 19-të deri në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të.

Përveç kësaj do të kemi tryeza shkencore, një do ta kemi me rastin e 330 vjetorit të vrasjes së Pjetër Bogdanit. Një tryezë tjetër do të organizohet për nder të 200 vjetorit të lindjes së shkrimtarit arbresh Anton Santorit. Do të shënohet edhe kalimi në amshim i dy albanologëve të shuar, Erik Hemp dhe Idriz Ajetit dhe në ditë e fundit të seminarit do t’i kemi edhe sesionet shkencore të cilat edhe i kanë të caktuara temat bosht.

Kështu në tema bosht e sesionit të gjuhësisë është: Struktura e shqipes aktuale, në sesionin e letërsisë temë bosht do të jetë: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe. Ndërkaq në sesionin e kulturologjisë tema bosht është: Rrjetet sociale, politika dhe etika.

Pra këto janë aktivitete shkencore që do të organizohen në kuadër të seminarit. Po ashtu është me rëndësi të theksohet se të gjitha këto prurje që do të paraqiten në seminar do të vijnë në ofrim të shkruar dhe pastaj ato pasi t’ i kenë kaluar shqyrtimet do të botohen në revistën e seminarit që botohet çdo vit.

Kallxo.com: Zakonisht seminarit nuk i mungojnë edhe emrat e njohur të albanologjikë, po këtë vit cilat janë studiuesi e njohur të shqipes që do të marrin pjesë?

Shkumbin Munishi: Do të kemi  albanologë të shquar që vijnë nga Rusia si Aleksandër Novik, pastaj albanologët nga Bullgaria, Anton Pançev, Georgi Geirgive. Ky i fundit po ashtu do ta bëjë prezantimin e një libri që trajton marrëdhëniet shqiptaro -bullgare të shekullit të 20-të. Pra edhe këtë viti nuk do të mungojnë emrat që kanë krijuar një traditën  me prezencën e tyre në seminar.

Aktivitete dhe mbështetja

Kallxo.com: Çdo vit, përveç kurseve dhe aspektit shkencor gjatë seminarit, janë mbajtur edhe aktivitete tjera si orë letrare, ekskursion, vizita në monumente kulturore. A do të ketë edhe këtë vit organizime të tilla?

Shkumbin Munish: Sivjet do të kemi një aktivitet në të cilin do të bëhet paraqitja e botimeve të fundit, kryesisht të viteve të fundit  në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Planifikojmë një ekskursion me seminaristët në Bjeshkët e  Rugovës, dhe kjo bëhet që seminaristët të njihen me bukuritë e Kosovës. Një koncert me ansamblin e profesor Dilaver Kryeziut, shfaqje të filmave shqiptar për seminaristët.

Kallxo.com:  Përveç Rektoratit, kush janë mbështetësit e organizimit të Seminarit të 38 -të Shqipes?

Shkumbin Munishi: Seminari tashmë ka krijuar linjën e veçante buxhetore në kuadër të Universitetit të Prishtinës dhe në këtë kuptim ne kemi gjetur mbështetje të pakursyer të rektoratit të UP-së për organizimin seminarit. Pra në aspektin buxhetor jemi të mbuluar. Buxheti asnjëherë nuk është i mjaftueshëm, megjithatë konsiderojmë se ky buxhet i ndarë do të jetë optimal për mbulimin aktiviteteve të seminarit.

Përveç kësaj Ministria e Arsimit na ka mundësuar vendosjen e seminaristëve në konviktet e Universitetit të Prishtinës. Kemi marrë po ashtu edhe një mbështetje nga Komuna e Pejës e cila me rastin e ekskursionit mbase do të mbulojë drekën për seminaristët. Kështu mund të themi se mbështetja institucionale nuk ka munguar.

Falë angazhimit të pakursyer të dekanes së Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugovës, seminari ka krijuar linjën buxhetore në kuadër të rektoratit të UP-së dhe kjo linjë buxhetore e ka vendosë seminarin në ujëra më të qeta.