Foto: KALLXO.com.

Rrëfimi i Dardan Zhegrovës përmes kukullave (VIDEO)

Tri kukulla gjigante janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Si pjesë e ekspozitës “I’m meeting a hybrid of past and now”. Këto kukulla me dy fytyra shpërfaqin nga një rrëfim të autorit Dardan Zhegrova.

Me secilën prej tyre, Zhegrova tregon nga një histori, që nga kontakti i tij i parë me kukullat në vitet e ’90-ta, vizitat në Teatrin ‘Dodona’, e deri te realiteti i sotëm.

Si përzierje e dy identiteteve, kukullat sjellin diçka nga e kaluara që ndodh tani.

Zhegrova tha për KALLXO.com se takimin e parë me kukullat e ka pasur qysh si fëmijë dhe ekspozita i sjell shumë prej kujtimeve të tij nga fëmijëria.

“Kur kam vendos me i bo këto punime mendoja se si me paraqitë njëfarë punë fizike që me më ndihmuar personalisht me kuptuar më shumë për veten, për ndjenjat e mia dhe secila prej kukullave është njëfarë simboli marrë prej së kaluarës, por që është duke ndodhur tani për tani është, edhe titulli ‘I’m meeting a hybrid of past and noë” që në shqip i bie: ‘Jam duke e takuar një hibrid nga e kaluara dhe e tashmja’. Hibrid është miks i dy krijesave – identiteteve që d.m.th është marrë diçka nga e kaluar dhe po ndodh në të tashmen”— tha ai.

Ekspozita ‘I’m meeting a hybrid of past and now” është pjesë e Bienales “Manifesta14” që po mbahet në Prishtinë dhe është aksporzuar në Galerinë Kombëtare, si njëra prej 25 lokacioneve ekspozuese të kësaj bienaleje.

“Manifesta 14” ka mbledhur në Prishtinë mbi 100 artistë nga 30 vende të botës.

Bienalja “Manifesta14” mbyllet më 30 tetor.