Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Ministria e Kulturës 'lë në lloç' artistët, harron planin emergjent

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka lënë në lloç fushën e kulturës gjatë kohës së pandemisë, pavarësisht se kishte premtuar se do mbështeste këtë sektor, pas ndërprerjes së aktiviteteve publike për shkak të coronoaviruesit.

Edhe ato pesë milionë që ishin ndarë si pako emergjente nga ish-qeveria Kurti, për të mbështetur kulturën gjatët pandemisë nuk shkuan në MKRS.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të themelojë grupin e punës për ndërtimin Planit emergjent për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili përfshin masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja, për ballafaqim me vështirësitë e krijuara nga efekti i pandemisë globale COVID-19. Fokusi i punës së këtij grupi do jetë ngritja e programeve të reja për subvencionim të krijuesve, të rinjve dhe sportistëve individual si dhe OJQ-ve dhe bizneseve në këta sektorë të cilat kanë nevojë për mbështetje, me qëllim të vijimësisë së punë”, pati premtuar MKRS-së në fund të marsit pas miratimit të Pakos emergjente nga Qeveria.

Por, mjetet u bllokuan për shkak të pengesave ligjore.

MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të Kallxo.com lidhur me bllokimin e pakos emergjente.

Në anën tjetër komuniteti kulturor, sidomos artistët e skenës së pavarur kanë reaguar ndaj mos mbështetjes nga MKRS, duke kërkuar edhe sqarime se pse janë bllokuar mjetet e fondit emergjent.

Regjisori Ben Apolloni për Kallxo.com ka potencuar se MKRS po sillet sikurse siç është sjellë zakonisht me fushën e kulturës.

“Ka një papërgjegjësi totale nga ana e politikës në Kosovës. Të gjitha qeveritë e Kosovës, asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet kulturën. E pa drejtë është mospërfshirja e artistëve të teatrit në pakon emergjente”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Ndaj mos hartimit të planit emergjent ka reaguar edhe Grupi i artistëve, hulumtuesve dhe kuratorëve të pavarur në Kosovë.

Dardan Zhegrova nga Grupi i artistëve, hulumtuesve dhe kuratorëve të pavarur ka thënë për Kallxo.com se MKRS edhe pse më datë 27 mars ka njoftuar publikun që është në formim të grupit punues për themelimin e kritereve mbi të cilat do të shpërndahet fondi emergjent prej 5 milionë euro,  kjo nuk ka ndodhur deri më sot.

“Përgjatë kohës kur ky fond emergjent do duhej të shpërndahej, përgjegjësia dhe faji për mosrealizimin e tij është gjuajtur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Ministrinë e Financave, dhe anasjelltas. Papërgjegjësia dhe jo-transparenca e MKRS në vazhdimësi duket si zvarritje e qëllimshme burokratike e shtyrë nga interesat partiake e politike. Ky politizim i parasë publike është keqpërdorim i parasë publike”, ka thënë Zhegrova.

Sipas tij, neglizhenca e treguar nga zyrtarët e institucioneve, rëndojnë edhe më shumë gjendjen e skenës së pavarur të artit dhe kulturës, si dhe pamundësojnë punën, kompensimin dhe formalizimin e punës së artistëve të pavarur.

“Ne kërkojmë transparencë të menjëhershme të bazuar në përgjegjësitë që MKRS ka, dhe shpërndarje urgjente të fondit emergjent në mënyrë që të mos vazhdojë dëmtimi i mëtutjeshëm i skenës së pavarur të artit dhe kulturës”, ka pohuar ai.