Revista maqedonase vlerëson ilustrimet e librit ‘Uta e maleve’  

Revista maqedonase “Portret“ i ka renditur ilustrimet e librit “Uta e maleve” në mesin e më të mirave të krijuar në një libër për fëmijë. 

Libri për fëmijë “Uta e maleve” i Tefta Kelmendit është publikuar në prill të këtij viti. Libri bazohet në eksperiencën personale të alpinistes Uta Ibrahimi, që nga fëmijëria e deri në ngjitjen në majën e malit më të lartë në botë, Mont Everest. 

Ndërsa ilustrimet e librit janë bërë nga ilustratorja nga Maqedonia e Veriut, Katerina Nikolovska. 

Revista “Portret” ka publikuar një ditë më parë vizatimet më të mirë të autorëve maqedonas të botuar në një libër për fëmijë, duke i renditur ndër më të mirat ilustrime e librit “Uta e maleve” të punuar nga ilustratorja Nikolovska. 

Revista“Portret” publikon fragmente e copëza nga libra të ndryshëm të cilët konsiderohen si arritje të larta në fushën e letërsisë dhe artit figurativ e grafik, në këtë rast duke e vlerësuar librin,Uta e Maleve” si një ndër librat më të mirë për fëmijë. 

Uta Ibrahimi, protagonistja e librit “Uta e maleve”, ka thënë për Kallxo.com se ka mbetur e kënaqur me vlerësimi që i është bërë ilustrimeve të librit mbi historinë e saj, duke shtuar se ky është edhe një vlerësim për punë ekipore që është bërë për librin “Uta e maleve”. 

“Është një lloj konkursi ku disa prej ilustratorëve nga maqedonas kanë dërguar punimet e tyre, dhe Katerina Nikolovska është vlerësuar me tre punime, por njëri prej punimeve më të mira është marrë nga libri ‘Uta e maleve’. Është gjë e mirë që njerëzve po u pëlqen puna ekipore”, ka thënë ajo. 

Uta Ibrahimi ka thënë se ka kërkesë nga një botues për fëmijë që libriUta e maleve” të përkthehet edhe në gjuhën maqedonase. 

Ajo ka thënë se ka mbetur e kënaqur me kërkesat për librit, ndërsa në të ardhme planifikohen ta zhvillojë më tej, ndoshta përmes një film vizatimor, apo edhe botimin e një libër vetëm me ilustrime, bazuar në rrëfemet nga përvoja e saj. 

 

“Ideja për të bërë librin ‘Uta e maleve’ ka ardhur pikërisht nga nevoja për botimin e librave për fëmijë, me një tregim real. Tani shohim se kemi bërë mirë dhe që ka nevojë për më shumë botime me tregime inspiruese për fëmijë edhe prej njerëzve nga Kosova”, ka thënë ajo. 

Uta Ibrahimi në vitin 2017 u bë vajza e parë shqiptare që ngjiti Everestin duke rrënuar kështu paragjykimet gjinore e etnike si dhe duke lobuar në mënyrën më të veçantë për Kosovën e Shqipërinë. 

Uta e Maleve” i Tefta Kelmendit është bazuar në rrëfimet e Utës. Libri përmes ilustrimeve dhe rrëfimit flet për eksperiencën e ngjitjes së majës më të lartë të botës nga Uta dhe e ndërlidh atë me dashurinë e pangopshme që ajo kishte për natyrën qysh si vajzë e vogël.  

Qëllimi i Utës është që me rrëfimin e saj të inspirojë fëmijët për të vazhduar ëndrrat e tyre deri ne realizim si dhe t’i vetëdijësojë ata për madhështinë e rëndësinë e natyrës.  

Uta Ibrahimi ka themeluar dhe menaxhon fondacionin, “Utalaya”, ku përveçUta e maleve” planifikon të sjellë edhe shumë projekte tjera për fëmijë.