Pezullohet përkohësisht zhvendosja e MKRS nga objekti

Zhvendosja e stafi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga objekti aktual për t’ i lëshuar vend Presidencës së Kosovës është pezulluar përkohësisht.

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë konfirmuar për KALLXO.com për pezullimin e përkohshëm të zhvendosjes.

Veton Firzi, Sekretar i Përgjithshëm në MKRS, ka thënë për KALLXO.com se pas zhvillimeve të fundit dhe letrës që një ditë më parë ministria ka marrë nga këshilli organizativ i protestës së punëtorëve të ministrisë, ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike pezullim të përkohshëm të zhvendosjes së stafit të MKRS-së në objekti e paracaktuar.

“Ne e kemi njoftu MAP dhe kemi kërkuar pezullim të përkohshëm të zhvendosjes së stafit të ministrisë deri në një vendim të dytë. MAP e kanë konfirmu pranimin e pezullimit”, ka thënë Firzi.

Që nga fillimi i javës së kaluar punëtorët e Ministrisë së Kulturë janë duke protestuar çdo ditë në ora 10:00, për 10 minuta, kundër zhvendosjes se personelit të MKRS nga objekti aktual në objekti e kompanisë “Ramiz Sadiku”.