Përjetësimi artistik i Adem e Hamëz Jasharit

Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë ka botuar librin “Adem e Hamëz Jashari”.

Libri është një përmbledhje shkrimesh, intervistash nga autorë të ndryshëm për veprën e heronjve dhe shkrime kritike për atë se si është pasqyruar kontributi patriotik i vëllezërve Jashari, qoftë në letërsi, muzikë e arte të tjera.

Libri është promovuar në shkurt të këtij viti në Skenderaj dhe në Prishtinë në prag të Epopesë së UÇK-së.

Reshat Sahitaj, kryetar i USHKSH-së dhe bartës i botimit, ka thënë për Kallxo.com se libri më shumë është një kritikë rreth lënies në ‘hije’ të figurës së Hamëz Jashari, gjatë manifestimeve të ndryshme, në emërtimin e institucioneve publike, por edhe në përjetësimin në art.

“Ka 20-të vjet që më brenë në vetvete, pse nuk themi Adem dhe Hamëz, por gjithmonë po themi Adem…, Adem… Qëllimi është që përmes shkrimeve të autorëve të ndryshëm të bëhet një thirrje që tani e tutje të vlerësohet edhe figura e Hamëzas. Pse, ta zëmë të mos keni një institucion kulturore, shesh, apo përmendore, ku do të themi se po shkojmë te Ademi e Hamëza”, ka thënë ai.

Pavarësisht se në dy dekadat e fundit janë shkruar mjaft krijime letrare për Ademin e Hamëzën, sipas Sahitajt, letërsia shqipe ende nuk ka bërë vepra meritore për heronjtë.

Ndërsa, në film dhe teatër, shton ai, gjendja qëndron më keq.

“Në film dhe teatër kem dështuar plotësisht. Ende nuk kemi një dramë të mirëfillt për kryeheronjtë e vendit”, është shprehur ai.

Sahitaj ka thënë  se USHKSH planifikon të botojë edhe një libër me shkrime nga autorë të huaj.

“Vitin e ardhshëm, apo këtë vit nëse gjejmë mbështete nga institucionet, planifikojmë të botojmë një libër po për Ademin e Hamëzën me shkrime të autorëve të huaj”, ka thënë kryetari i SUSHKSH, Reshat Sahitaj.

M 5, 6, 7 mars u mbushën 23 vjet nga sulmi i policisë serbe mbi familjen  Jashari në Prekaz, ku mbetën të vrarë Adem e Hamëz Jashari dhe mbi 50 anëtar të familjes Jashari.