Librat - Foto: KALLXO.com

Nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit

23 Prilli është Dita ndërkombëtar e Librit. Për ta shënuar këtë festë, për ditën e nesërme janë planifikuar të mbahen aktivitete të shumë për dhe rreth librit.

Organizata ETEA në bashkëpunime dhe Bibliotekën e Qytetit të Prishtinës, “Hivzi Sulejmani” kanë paralajmëruar mbajtjen e panelit “Libri mes ofertës dhe kërkesës”.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, më 23.04.2021 (e premte), duke filluar nga ora 10:00, organizata ETEA dhe biblioteka ‘Hivzi Sulejmani’ organizojnë panelin e diskutimit ‘Libri mes ofertës dhe kërkesës’”, thuhet në njoftimin e ETEA-s për media.

Një aktivitete për shënimin e festës së librit ka paralajmëruar të organizojë edhe Qendra Multimedia në Prishtinë.

Këtë ditë Multimedia planifikon ta shënojë me promovimin e librave: “Me ekzistu është vetë kuptimi” të Sibel Halimit dhe “Mjegulla” të Dhurata Hotit.

“Po ashtu, do të promovojmë punën e rezidentes Katarina Saric, e cila është pjesë e programit tonë të shkrimtarëve në rezidencë “Prishtina nuk ka lumë”. Promovimi i librave do të pasohet nga një diskutim për prozën, poezinë dhe letërsinë në përgjithësi dhe mënyrën si e ka prekur pandemia COVID-19 letërsinë në rajon dhe punën e grave krijuese të kësaj fushe”, thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia në Facebook.

Ideja e për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër, i dhurohej edhe një trëndafil.

23 prilli është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s.

Data 23 prill shënon edhe ditëlindjet dhe ditën e vdekjes së disa prej shkrimtarëve të njohur botëror.