Pamje nga shfaqja "Bordel Balkan" | Foto: Jeton Neziraj

Kritikët e skenës: Teatri kosovarë po e humb lidhjen me publikun     

Në gjendje aspak të mirë, me repertor ad-hoc e gjithnjë e më larg publiku, teatri kosovarë po e humb misionin e tij dhe lidhjen me spektatorin. 

Kështu e kanë përshkruar regjisorët dhe kritikët gjendjen e artit skenik në vend, në Ditën Botërore të Teatrit.  

Teatri Kombëtar dhe teatrot profesioniste të qyteteve ende vazhdojnë të kenë probleme të natyrës infrastrukturore, por edhe profesionale. 

Me pak përjashtime shumë prej tyre ende nuk kanë të kompletuar trupat artistike, stafet teknike e as të rregulluar çështjen e menaxhmentit, siç parashihet me ligjin për teatrot.  

Hiq më mirë teatrot nuk qëndrojnë edhe me përzgjedhjen e repertorëve vjetore. 

Regjisori, Agim Selimi, profesor i regjisë së dramën në Fakultetit e Arteve të UP-së, ka thënë për Kallxo.com se teatrot kosovare, ai Kombëtar, por edhe ato të rretheve e ka humbur lidhjen me publikun. 

Sipas tij, regjisorët, dramaturgët dhe bordet e teatrove, të cilat merren me përpilimin e repertorëve nuk bëjë një  punë studioze dhe nuk merren shumë me dramën që e përjeton publiku. 

“Sot, teatri ekziston kur e gjen mirë dramën e publikut, dhe drama e publikut është ajo që merret me sfidat e jetës së përditshme të spektatorit. Në këtë drejtim mendoj se teatri e ka humbur pak veçantinë, sepse po krijohet një lloj uniformiteti dhe një humbje e gjuhës teatrore, pasi kohëve të fundit po shohim kopje të zbehta të shfaqjeve të suksesshme dhe në teatrot tonë kryesisht po dominon danci, po dominon muzika, prania e mikrofonave dhe jo loja e vërtetë e aktorëve që krijojnë në skenë”, ka thënë regjisori Selimi. 

Selimi ka thënë më tej se problemet e trashëguara ndër vit, por edhe Pandemia e Coronavirusit kanë vështirësuar edhe më funksionimin normal të skenës teatrore në Kosovë.  

Dramaturgu Ilir Muharemi, kritik teatri, ka thënë për Kallxo.com se shfaqjet që realizohen në teatrot kosovare janë të një niveli të dobët, çka sipas tij edhe po e humbin publikun. 

“Teatrot vuajnë nga mungesa e shfaqjeve cilësore, kjo për shkak se nuk e bëjnë zgjedhjen e duhur të teksteve dhe regjisorëve”, ka thënë Muharremi. 

Ndërkaq, Naim Berisha, aktor dhe regjisor, nënkryetar  Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, ka pohuar për Kallxo.com se Dita Botërore e Teatrit i gjen institucionet teatrore ne vend në shkallë shumë të ulët të përgjegjësisë institucionale, ku shkelja e ligjit dhe mosllogaridhënia është shndërruar në rregull. 

“Fatkeqësisht edhe këtë vit ky event i gjënë këto teatro e veçmas Teatrin Kombëtar të Kosovës, me repertorë të miratuar brenda orbitës së interesit të klaneve dhe individëve e pa kurrfarë vizioni për progres artistik. Dita Botërore e Teatrit i gjen këto teatro në shkallë shumë të ulët të përgjegjësisë institucionale, ku shkelja e ligjit dhe mosllogaridhënia është shndërruar në rregull dhe ku individët e inkriminuar vazhdojnë të jenë si në krye të herës në pozita kyçe pa pasur as tundimin më të vogël, për të dhënë llogari para ligjit”, ka thënë Berisha, për Kallxo.com.