Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Komuna e Prizrenit ua ‘djeg’ rrogat e janarit aktorëve të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’

Nëntë aktorët e Teatrit të Qytetit të Prizrenit, “Bekim Femiu” nuk do t’i marrin rrogat e muajit janar 2020. Kjo është konfirmuar nga Lis Dorambari, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Prizrenit.

Shkak që aktorët nuk do t’i marrin rrogat e muajit që shkoi, sipas zyrtarit Dorambari është se Teatri “Bekim Fehmiu” nuk ka pasur ndonjë aktivitet artistik – shfaqje gjatë janarit.

“Në muajin janar teatri nuk i ka zhvilluar punimet dhe për këtë arsye nuk mund të ketë pagesë për këtë muaj. Ndërsa nga sot, Teatri ka filluar t’i bëjë përgatitjet për shfaqjen e parë të këtij viti dhe me miratimin e projekteve do të merret parasysh edhe kjo kohë pë​r realizimin e pagesave”, ka thënë Dorambari për Kallxo.com.

Deri më tani aktorët teatrit të qytetit janë paguar nga buxheti i investimeve kapitale, dhe kjo praktikë, sipas Dorambari, e nisur nga qeverisja e kaluar, është e gabuar dhe Komuna ka vendosur që mos ta praktikojë më.

“Komuna e Prizrenit për vitin 2020 do t’i paguajë punëtorët dhe aktorët e teatrit ‘Bekim Fehmiu’ në bazë të projekteve që do t’i realizojnë gjatë vitit. Kjo mënyrë e pagesës është vendosur në dakordim me Këshillin Drejtues të Teatrit dhe aktorët e teatrit. Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë këtyre ditëve pritet ta hap thirrjen publike për subvencionim të projekteve nga fusha e sportit, kulturës dhe rinisë, dhe nëpërmjet aplikimit me projekte në këto thirrje, do të mund të përfitojë edhe teatri i qytetit, duke i plotësuar kushtet dhe kriteret e përcaktuara”, ka thënë Lis Dorambari për Kallxo.com.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit “Bekim Fehmiu” Afim Kasapolli ka konfirmuar situatë në të cilën gjenden teatri dhe ‘djegien’ e rrogave të muajit janar për aktorët e teatrit.

“Teatri ka nëntë aktorë rezidentë e disa punëtorë skene, rrogat e janarit u janë djegur, duhet të shihen rrugët ligjore nëse mund të bëhet diçka”, ka thënë Kasapolli për Kallxo.com.

Ndërsa drejtori i Teatrit “Bekim Fehmiu” Fetah Paçarizi nuk ka preferuar të flas për problemin e rrogës së janarit, por ka thënë se teatri gjatë shkurtit do të ketë disa repriza dhe shfaqje mysafire.

“Çdo gjë është në rregull, ne jemi marrë vesh edhe me aktorët. Gjatë shkurtit do të kemi 11 shfaqje teatorte”, ka thënë Paçarizi.

Si Kasapolli ashtu edhe Paçarizi daljen nga kjo situatë e shohim me miratimin e Grantit të premtuar Qeveritar për teatrot profesioniste të qyteteve të Kosovës, i cili do të mundësojë funksionin normal për këto teatro.

Sipas ligjit aktual për teatrot, teatri “Bekim Fehmiu” funksionon nën ombrellën e Komunës së Prizrenit, e cila deri më sot nuk ka arritur të krijojë një infrastrukturë dhe financimin e duhur për funksionimin e këtij teatri.