Skenë nga filmi ‘Adnan Kafazi’.

Jepet premiera e filmit ‘Adnan Kafazi’, kompletohet trilogjia e gangsterëve kosovarë

Filmi “Adnan Kafazi” me regji të Genc Berishës është dhënë të enjten në mbrëmje (02.02.203) premierë në kinematë e Prishtinës, në Cineplexx dhe në Kino ABC.  

Filmi shpërfaq mbizotërimin e krimit në kryeqytet, korrupsion e përplasjen e bandave të krimit për kontrollin e territorit. Filmi trajton edhe krimin ndërkombëtar të trafikimin e grave dhe vajzave. 

Filmi “Adnan Kafazi” fokusohet në kthimin e Vuçës (Armend Baloku), Bullit (Besart Sllamniku) dhe Zakit (Muhamed Arifi), tre gangsterëve, nga Meksika në Prishtinë pasi mashtrohen qëllimisht nga një gangster tjetër, si familjarë të tyre ishin rrëmbyer nga Adnan Kafazi (Armond Morina), një kriminel që tani kontrollonte gjithë vendi. Pa para e pa informata për kriminelin që trafikonte gra dhe vajza, tre gangsterët nisin aksionin për shpartallimin e Andan Kafazit.  

Të rryer në punët e krimit e falë aftësive për të krijuar ‘aleanca’, tre gangsterët arrijnë ta mposhtin Adnan Kafazin. Ky i fundit vritet nga gratë që i mbante të burgosura në një bodrum me qëllim për t’ i trafikuar. 

Për dallim nga dy pjesët (filmat) e para të trilogjisë (Zonjusha dhe Diamanti), që i takojnë zhanrit të komedisë dhe krimin, “Adnana Kafazi” është një film që ngërthen në vete zhanrin aksion, dramë, krimin e komedinë. Aktorët flasim me një gjuhë të mbushur me sharje e fjalë të pista. 

Posteri i filmit ‘Adnan Kafazi’.

Realizimi i filmit 

Realizimi i filmit “Adnan Kafazi” ka nisur tri vite më parë, u tha nga stafi i filmit, gjatë një konference të mbajtur për media, një ditë para premierës në Cineplexx në Prishtinë. 

Aktroi Besart Sllamniku, producent i filmit, tha gjatë konferencës se pandemia dhe çështje tjera bën që filmi të realizohet tek në fund të 2022.  

“Pandemia dhe disa elemente kanë shtyrë realizmin e filmit deri në 2022, stafi i filmit ka dhënë maksimumin për të arritur qëllimit për realizimin e një filmi sa argëtues aq edhe artistik”-tha Sllamniku.

Ndërsa, aktorja Edona Reshitaj tha se filmi përçon edhe mesazhe sensibilizimi për luftën kundër trafikimit të grave deh vajzave. Ajo tha se gjuha që flasin aktorët është refleksion i përditshmërisë së shoqërisë Kosovare. 

Kurse, Armond Morina tha se duhet gjendur mënyra për të krijuar kushte për zhvillimin e industrisë filmike në vend.

“Mendoj se duhet të kemi sa më shumë kinema dhe që të krijohet lehtësuara për kinematë dhe produksionet për shfaqjen e filmave për të krijuar mundësi për zhvillimin e industrisë filmike”- tha ndër të tjerash ai. 

Skenë nga filmi ‘Adnan Kafazi’.

Mbështetja nga QKK 

Filmi “Adnana Kafazi” është mbështetur nga një numër i konsideruar i sponsorëve. Ky film është mbështetur edhe me 20 mijë euro nga Qendra Kinematografike e Kosovë. 

“Shuma financiare që QKK-ja ka ndarë për projektin ‘Adnan Kafazi’ është 20,000 euro. Juria e pavarur vlerësuse, ashtu siç e percakton Ligji për Kinematografine dhe Rregullorja për punën e jurisë vlerësuese – Neni 7, e vlerëson projektin filmik duke u bazuar në: skenarin, prezantimin, ekipin kreativ, dhe besueshmërinë realizuese”- tha Lum Çitaku, zëvendësues i drejtorit të QKK-së
 

Rrugëtimi i filmit  

Pas shfaqjes së premierës në Prishtinë, film “Adnan Kafazi” do të shfaqet edhe  në kinematë e qyteteve të Kosovës. Sot, ky filma do të shfaqet në Prizren, në Cineplexx e në Sinemarine. Më 6 shkurt në Kinemanë “Hyrije Hana” në Gjakovë, kurse me 23 shkurt në Cineplexx në Tiranë. Më dy mars në Shkup, e më pas edhe në Zvicër, Austri e Gjermani. 

Në film luajnë: Armond Morina, Edona Reshitaj, Arta Muçj, Besart Sllamniku, Xhejlane Tërbunja, Dukagjin Podrimja, Armend Baloku, Muhamed Arifi, Ylber Bardhi, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, etj.  

Konferenca për media për filmin ‘Adnan Kafazi’. Foto: KALLXO.com.