IBA dhe ‘Manifesta 14’ po mbajnë konferencë në Prishtinë

Me rastin e Konferencës dhe Asamblesë së Përgjithshme të nëntë të Shoqatës Ndërkombëtare të Bienaleve (International Biennial Association -IBA), organizuar nga “Manifesta 14” ka nisur sot në Prishtinë një konferencë dy ditore.

Konferenca synon të hulumtojë zgjerimin e formatit ekspozues tradicional të bienaleve.

Qëllimi i kësaj konference po ashtu është që të theksojë rolin e bienaleve bashkëkohore si mjete për zhvillim edukativ, kulturor dhe shoqëror me fokus në qasjen e orientimit nga komunitetet.

Në konferencë po marrin pjesë personalitet e profesionistë të artit nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe ata nga Ukraina.

Ceremonia e hapjes së konferencës është mbajture në Kino Armata.

Presidentja e IBA-së, Hoor Al Qasimi potencoi gjatë ceremonisë së hapjes, rëndësinë e konferencës dhe mbështetje e Prishtinës për “Manifesta”-n.

“Prishtina është një qytet me objekte të mrekullueshme kulturore, dhe falënderoj kryetarin e saj, Përparim Rama, për mirëpritjen dhe ndihmën e dhënë për këtë aktivitet”- tha ndër të tjerash ajo.

Ndërkaq, drejtoresha e “Manifesta 14 Prishtina”, Hedwig Fijen tha se “Manifesta 14” ka bërë një transformim të hapësirave publike në Prishtinë.

“I kemi pasur 5 zhvillime që kanë të bëjnë me ndërmjetësimin dhe me rëndësi që të ketë një dialog që mundëson diskutimin me njerëzit që të kuptohet historia e Prishtinës, arkitektura e saj dhe rindërtimi i trashëgimisë”- tha Fijen.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku.

“Manifesta 14 e ka transformuar Prishtinën në një vend të artit. Kemi të rinj të talentuar të cilëve po t`u jepet rasti  shkëlqejnë në shumë fusha”- tha nënkryetari i Zogaj.

Ndërsa, ministri Çeku ka mirëpritur prezencën profesionistëve ukrainas të artit në këtë konferencë.

“Jam gjithashtu i kënaqur që mes nesh kemi profesionistë të artit nga Ukraina. Shpresojmë që lufta të marrë fund së shpejti dhe theksojmë se populli i Kosovës do të jetë pranë jush për t’iu ndihmuar të rindërtoni vendin tuaj”- tha Çeku, gjatë fjalës së tij.

Profesionistë dhe ligjërues të njohur të artit nga gjithë bota po prezantojnë gjatë konferencës perspektivat e tyre të ndryshme për modele të reja për bienalet në zona dhe kohë të konfliktit apo të pas-konfliktit.

Konferenca do t’i vazhdojë punime edhe nesër.

Bienalja ‘Manifesta 14” ka mbledhur në Prishtinë mbi 100 artistë nga 30 vende të botës. Vepra dhe instalacione janë vendosur në 25 lokacione të ndryshme në kryeqytetin e Kosovës

Bienalja “Manifesta 14” mbahet deri më 30 tetor 2022.