Pamje nga ekspozita ‘Bebëzat e mallit’. Foto KALLXO.com.

Hapet ekspozita kushtuar fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Ekspozita “Bebëzat e mallit” kushtuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të prekur nga lufta e fundit në Kosovë është hapur sonte në objektin e ish- ndërmarrjes “Rilindja” në Prishtinë.

Në hapje të ekspozitës mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, anëtarë të kabinetit qeveritar, zyrtarë shtetërorë, aktivistë e qytetarë të shumtë.

Kjo ekspozitë me nëntitullin “Oj mam… a po na sheh midis luleve sa mirë jena? Dritë, dritë, dritë, lule, livadhe, qaq t’u keshë ata, t’u nga!”, e hulumtuesit dhe fotografit Korab Krasniqit, kuruar nga Vesa Sahatçiu, është një ftesë për përfshirje në diskutime për të menduar dhe përfaqësuar humbjen individuale apo kolektive.

Kryeministri Kurti tha në hapje të kësaj ekspozite se për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës Qeveria e Kosovës është e angazhuar për ngritjen e një memoriali përkujtimor.

Sipas tij, ngjarje si kjo i shërben kujtesës kolektive për të mos e harruar të shkuarën.

“Liria jonë i ka rrënjët tek të rënët për liri, vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë, andaj e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë dhe drejtësinë që e synojmë që kurrë të mos i harrojmë”- tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha gjatë fjalës së saj se ekspozita u dedikohet fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur më forcë gjatë luftës në Kosovë.

Tragjedia e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë përveç një plagë kombëtare është edhe shenjë e dallueshme e krimeve të shumta që regjimi i Serbisë i ka bërë gjatë shekullit të kaluar e veçanërisht gjatë luftës së fundit”- tha ajo.

Kurse, hulumtuesi dhe fotografi i ekspozitës, Korab Krasniqi, tha se kjo ekspozitë është një thirrje për paqe dhe drejtësi për fëmijë që përjetuan krimet e luftës.

“24 vjet pas, plagët për fëmijët e vrarë dhe të pagjetur mbesin të hapura, ndërsa fëmijët e mbijetuara vazhdojnë të jetojnë mes pasojave të përditshme të luftës”- tha ai.

Një fjalë rasti mbajti edhe kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu. Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen hapësira të kujtesës kolektive që rrëfimet sikurse të ekspozitës “Bebëzat e mallit” të kenë zë. “Janë këto rrëfime qe formësojnë të kaluar tonë dhe dukshmëria tyre garanton që  të mos ta harrojmë të kaluarën tonë”- tha ajo.

Kjo ekspozitë bazohet në rrëfimet e librit të kujtimit “Fëmijëri të rrëmbyera” të botuar në vitin 2022.

Albin Kurti. Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Bebëzat e mallit’. Foto KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Bebëzat e mallit’. Foto KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Bebëzat e mallit’. Foto KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Bebëzat e mallit’. Foto KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Bebëzat e mallit’. Foto KALLXO.com.