Projekt-propozim për Sallën Koncertale; Foto:KALLXO.com

CHwB reagon pas prezantimit të projekteve për sallën koncertale në Prishtinë

Fondacioni  i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij (CHwB), dega në Kosovë, ka reaguar pas prezantimit të projekt-propozimeve për ndërtimin e sallës koncertale nga Komuna e Prishtinës.

Përmes një reagimit të publikuar në Facebook, CHwB potencon se ish- “Gërmia” përfaqëson një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës së pasluftës së Dytë Botërore, andaj si e tillë duhet të ruhet.

CHwB kërkon nga Komuna e Prishtinës që në përzgjedhjen e fituesit të konkursit për projektimin dhe adaptimin e kompleksit ish-“Germia” për sallë koncertale, t’i qëndrojnë besnik parimeve bazë të ruajtjes dhe adaptimit të monumenteve.

“Është një nga shembujt e paktë të trashëgimisë moderne të qytetit, por mjaft domethënës për vlerat e saja arkitektonike dhe shoqërore, prandaj edhe duhet të ruhet si e tillë. Megjithëse ka pësuar disa ndryshime fatkeqe në të kaluarën, këto lehtë mund të përmirësohen dhe integriteti i saj arkitektonik të rikthehet”, thuhet në reagimin e CHwB-së.

“Gërmia”, thuhet më tej në reagim, lehtë mund të rizhvillohet si një aset kulturor për qytetin dhe të paraqesë këtë periudhë të rëndësishme të historisë së Prishtinës dhe Kosovës për brezat e ardhshëm.

Foto: Atdhe Mulla

CHwB kritikon MKRS-në për mosfutjen e këtij aseti në Listën e Përhershme të Trashëgimisë Kulturore, pasi sipas saj,  ndërtesa e ish- “Gërmisë” është e përfshirë në Listën e Përkohshme të Mbrojtjes së Monumenteve tash e tre vite.

“Kësisoj do të përcaktoheshin vlerat e ndërtesës si dhe parimet bazë mbi të cilat monumenti do duhej të restaurohej dhe adaptohej, dhe se të gjitha aspektet me vlerë, që do të mund të ishin përtej fasadës dhe ruajtjes së saj, do të inkorporoheshin në detyrën projektuese të konkursit të organizuar nga Komuna e Prishtinës. Në këtë mënyrë qeverisja lokale do ta kishte edhe më të lehtë trajtimin e këtij monumenti”, thuhet tutje në reagim.

Javën e kaluar Komuna e Prishtinës prezantoi tri projekt-propozime për ndërtimin e sallës koncertale.

Salla koncertale pritet të ndërtohet në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia”.

Salla koncertale do të ketë një  kapacitet prej 800 ulëseve, ndërsa do të ketë edhe një  sallë më të vogël me kapacitet prej  200 ulësesh.

Projekt-propozim për Sallën Koncertale; Foto:KALLXO.com