array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Diga e dëmtuar tek liqeni artificial. Foto: Kallxo.com

Rrena dhe neglizhenca që rrezikon jetën e qytetarëve

Deklarata

Ragip Begaj: Kjo ka ndodhur vitin e kaluar (2016), ka pasur vërshime të jashtëzakonshme në komunën e Malishevës, megjithatë jemi edhe ne të brengosur, kemi kërkuar nga Ministria me na ndihmu, e kemi paraqitur projektin, e kemi bërë vetë Komuna projektin, kushton diku 170 mijë euro sanimi i saj, ne nuk kemi pasur të parapamë buxhet, vitin e ardhshëm sigurisht do të riparohet.

 

Ragip Begaj

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Diga e ujëmbledhësit në fshatin Mirushë ende nuk është sanuar, përkundër që krerët e institucioneve janë të vetëdijshëm që ajo paraqet rrezik për jetën e qytetarëve. Përveç kësaj, kjo ka nxjerr edhe disa lëshime që janë bërë në kohën kur është ndërtuar kjo digë, por edhe mungesën e komunikimit të mirëfilltë në mes të institucioneve. Një digë e dëmtuar që paraqet rrezik për qytetarët është dhe duhet të jetë prioritet për komunën e Malishevës dhe ministrin e mjedisit.

Artikulli

Diga e ujëmbledhësit në fshatin Mirushë vazhdon të mbetet e dëmtuar nga viti 2016. Dëmet e shkaktuara nga vërshimet nuk janë sanuar ende edhe pse kanë kaluar gati tre vite dhe vendimmarrësit janë të vetëdijshëm që ajo paraqet rrezik për jetën e qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj e kishte pranuar në debatin për kryetar të Komunës para Jeta Xharrës, se nga kjo digë rrezikohet jeta e qytetarëve të asaj ane, pasi e njëjta nuk është e sigurt.

“Kjo ka ndodhur vitin e kaluar (2016), ka pasur vërshime të jashtëzakonshme në komunën e Malishevës, megjithatë jemi edhe ne të brengosur, kemi kërkuar nga Ministria me na ndihmu, e kemi paraqitur projektin, e kemi bërë vetë Komuna projektin, kushton diku 170 mijë euro sanimi i saj, ne nuk kemi pasur të parapamë buxhet, vitin e ardhshëm sigurisht do të riparohet por megjithatë ai është një projekt i ndërtuar pa leje dhe nuk e di se si do të veprohet”, kishte thënë Begaj.

Begaj, i cili e ka marrë mandatin në fund të vitit 2017, kishte premtuar se kjo digë do të sanohej, në vitin e parë të mandatit, në vitin 2018.

“Diga e lumit Mirusha kryhet në vitin 2018”, kishte deklaruar Begaj.

Në maj të vitit 2018, Kallxo.com e kishte pyetur Komunën e Malishevës nëse diga e ujëmbledhësit në fshatin Mirushë është sanuar. Por Komuna e Malishevës e kishte hedhur përgjegjësinë te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Rregullimi i digës në ujëmbledhësin në Mirushë, është një problematikë që duhet të merret Ministria e Mjedisit, e cila menaxhon me ujërat në territorin e Republikës. Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje nga ana e ministrisë. Ujërat menaxhohen nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë rast, komuna merret vetëm me menaxhim të situatës në rast rreziku për banorët poshtë digës”, thuhej në përgjigjen e Komunës së Malishevës në maj të vitit 2018.

Kallxo.com kishte pyetur edhe MMPH në lidhje me pretendimet e Komunës së Malishevës, por edhe përkundër premtimeve nuk ishin përgjigjur brenda kohës së përcaktuar.

Më shumë se një vjet pas, Kallxo.com përsëri ka kërkuar llogari nga Komuna e Malishevës nëse është sanuar diga e cila po vazhdon të rrezikojë banorët e asaj ane.

“Jo”, thuhet shkurt në përgjigjen e Komunës së Malishevës kur është pyetur nëse është sanuar diga.

Por kanë thënë se i janë drejtuar MMPH me kërkesë për sanimin e saj dhe janë në pritje të financimit.

“Ne ju kemi drejtuar me kërkesë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe jemi në pritje të financimit të projektit për sanimin e digës, nga ana e Ministrisë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës për Kallxo.com.

Ministria e ka konfirmuar se ka marrë një kërkesë nga Komuna e Malishevës në muajin mars të vitit 2016 viti për sanimin e digës.

“Më 21.03.2016, kemi pranuar Lëndën: Renovimi i digës së ujëmbledhësit në fshatin Mirushë”, thuhet në përgjigjen e MMPH.

Por në përgjigjen e Ministrisë thuhet se nga Komuna e Malishevës i kanë kërkuar disa dokumente, por që nuk kanë marrë përgjigje prej tyre.

“Me 24.03.2016, ekipi vlerësues në përbërje: AME/MPB, ShGjK/MZHE, Dep. Ujërave/MMPH, andaj Grupi Vlerësues kërkon nga organet komunale: Dokumentacionin Investivo-teknik dhe projektin për ndërtimin e pendës së Mirushës, Dëshminë /Lejen e punës së pendës, si dhe Pranimin teknik të pendës, Për analizim me qëllim të hartimit të raportit Vlerësues përfundimtar. Por nga komuna nuk kemi marr asnjë përgjigje”, theksohet në përgjigje.

Ministria më tej ka thënë se Komuna e Malishevës është dashur të aplikojë për leje ujore.

“(Komuna) fillimisht është dashur te aplikojnë për leje ujore dhe me projekt të kompletuar. Nuk ka paraqitur projekt kryesor siç kërkohet me leje ujore”, ka deklaruar MMPH për Kallxo.com.

Kallxo.com e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit se pse ky projekt nuk është shqyrtuar deri tani. Por Ministria ka thënë se projekti i Komunës së Malishevës ka pasur shumë mangësi.

“Kemi hulumtuar projektin ekzistues, nuk kemi hasur në ndonjë elaborat gjeomekanik apo shqyrtime gjeomekanike, hidrologjike, e  cila e përcakton qartë përbërjen gjeologjike të përbërjes së materialeve në shtresa në thellësinë e bazamentit dhe skarpateve përreth ku do të ndërtohet diga. Nuk është specifikuar nëse gjatë ndërtimit të digës në akse është përdorur injektimi, e as elaborat të shqyrtimit të rrëshqitjes së skarpateve në trupin gjatë mbushjes-vendosjes së materialit rrethanor”, numërohen mangësitë e projektit nga MMPH.

Po ashtu në Ministri kanë thënë se matjet gjeodezike të paraqitura në projekt, nuk janë në përputhje me matjet gjeodezike ekzistuese në teren të cilat janë bërë gjatë hartimit të projektit për sanimin e digës së dëmtuar.

“Lloji dhe tipi i digës së propozuar në vizatim nga materiali rrethanor me kurorë nuk është në përputhje me digën e ndërtuar ekzistuese, pasi dimensionet e digës në projekt nuk janë në përputhe me digën ekzistuese të ndërtuar”, vazhdon arsyetimi i MMPH për mangësitë e projektit të dorëzuar nga Komuna e Malishevës.

Ministria ka thënë se në teren mungon kurora e digës ekzistuese, ndërsa në vizatim është paraqitur.

“Autorët e projektit nuk kanë bërë dimensionim të digës në aspektin statik, hidrostatik dhe sizmik duke i marrë për bazë ndikimet natyrore që ndikojnë në stabilitete e digës”, përfundon përgjigja e Ministrisë.

Në maj të vitit 2018, Kallxo.com ka matur në Krypometër premtimin e kryetarit Begaj të thënë publikisht në emisionin “Debat Përnime” përballë Jeta Xharrës.

Frika nga diga e dëmtuar në lumin Mirusha

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.