Frika nga diga e dëmtuar në lumin Mirusha
Deklarata
Ragip Begaj: Kemi kërkuar nga ministria me na ndihmu, e kemi paraqitur projektin, e kemi bërë vetë komuna projektin, kushton diku 170 mijë euro sanimi i saj, ne nuk kemi pasur të parapamë buxhet, vitin e ardhshëm sigurisht do të riparohet
Vlerësimi
Me kos
Ndërkohë, që Komuna e Malishevës dhe Ministria e Mjedisit nuk kanë komunikim dhe pajtueshmëri, diga e lumit Mirusha vazhdon të jetë një rrezik për qytetarët e asaj ane. Kryetari i Komunës së Malishevës kishte thënë se kjo do të rregullohet, mirëpo deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodh. Edhe nëse rregullimi i saj është kompetencë e Ministrisë, i takon kryetarit të Komunës të jetë më këmbëngulës për të evituar një katastrofë të mundshme.
Artikulli
Diga e lumit Mirusha është dëmtuar. Betoni i vendosur në këtë digë është dëmtuar nga vërshimet e vitit 2016 që kanë ndodh në këtë anë. Nga fotot e prezantuara nga emisionin ‘Jeta në Kosovë’ shihet se trashësia e betonit të vendosur ka qenë shumë e hollë.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj e kishte pranuar në Debatin për kryetar të Komunave para Jeta Xharrës së nga kjo digë rrezikohet jeta e qytetarëve të asaj ane, pasi e njëjta nuk është e sigurt.
“Kjo ka ndodhur vitin e kaluar, ka pasur vërshime të jashtëzakonshme në komunën e Malishevës, megjithatë jemi edhe ne të brengosur, kemi kërkuar nga ministria me na ndihmu, e kemi paraqitur projektin, e kemi bërë vetë komuna projektin, kushton diku 170 mijë euro sanimi i saj, ne nuk kemi pasur të parapamë buxhet, vitin e ardhshëm sigurisht do të riparohet por megjithatë ai është një projekt i ndërtuar pa leje dhe nuk e di se si do të veprohet”, kishte thënë Begaj. “Diga e lumit Mirusha kryhet në vitin 2018”.
Tash në Komunën e Malishevës po thonë se përgjegjës për sanimin e dëmeve në këtë urë është Ministria e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor.
“Rregullimi i digës në liqenin në Mirushë, është një problematikë që duhet të merret Ministria e Mjedisit, e cila menaxhon me ujërat në territorin e Republikës. Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje nga ana e ministrisë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës. “Ujërat menaxhohen nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë rast, komuna merret vetëm me menaxhim të situatës në rast rreziku për banorët poshtë digës.”
KALLXO.com ka dërguar pyetje në ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të kuptuar pse nuk është trajtuar ende kërkesa e Komunës për sanimin e digës në lumin e kësaj komune. Kjo ministri, përkundër premtimit, nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, rreziku nga vërshimet në Malishevë nuk është tejkaluar. Për më tepër në fshatin “Mirushë” jetohet me frikën se një ditë Diga e vendosur nga Komuna mund të shpërthej për shkak të dëmtimit që ka pësuar.