Korsia e re në rrugën ‘Eqrem Çabej’ shndërrohet në parking
Në fillim të muajit tetor Komuna e Prishtinës nisi punimet për hapje të një korsie të re qarkullimi në rrugën “Eqrem Çabej” në kryeqytet, por korsia e re po shfrytëzohet për parkim të makinave.
Punimet në këtë korsi të re kanë nisur me qëllim lehtësimin e qarkullimit.
“Po hapim një korsi të re qarkulluese në rrugën “Eqrem Çabej”. Ky hap është shprehje e përkushtimit tonë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe për të lehtësuar në masë të madhe qarkullimin e komunikacionit”- ishte shprehur drejtori i Investimeve Kapitale në Komunë, Krenar Xhaferi.
Komuna e Prishtinës ka marrë këtë hap për hapjen e një korsie të re në këtë rrugë në qendër të kryeqytetit pasi me mbylljen e rrugës, tashmë sheshi “George Bush”, pjesa më e madhe e qarkullimit është drejtuar në rrugën ‘Eqrem Çabej’ si dhe nëpër ‘Pejton’.
Lidhur me gjendjen aktuale, Kallxo.com ka tentuar të marrë deklarim nga ana e Komunës nëse punimet kanë përfunduar dhe përse po lejohet parkimi i makinave në zonë, por deri në momentin e publikimit të artikullit Komuna nuk ka kthyer përgjigje.