U miratuan apo jo në Kuvend raportet e agjencive të pavarura, është e njëjta gjë

Janë disa dhjetëra institucione të pavarura të cilat e kanë për obligim që të raportojnë për punën e tyre në Kuvendin e Kosovës, si organin themelues të tyre. Raportimi, bëhet mbi bazën e aktivitetit të zhvilluar nga këto institucione në periudhën paraprake, zakonisht njëvjeçare, por në disa raste edhe për planet e vijueshmërisë për të ardhmen. Kur raportet miratohen nga Komisionet parlamentare e më pas edhe Kuvendi, mund të konsiderohet se institucioni raportues ka bërë një punë të mirë e të pranueshme. Por, kur këto raporte nuk miratohen, del që raportuesi institucional nuk ka qenë në nivelin e përgjegjësisë së detyrave.

Për fat të keq, janë shumë raste kur agjencionet e pavarura, nuk marrin bekimin e Komisioneve parlamentare. Gjithsesi, kjo duket që ka pak rëndësi, sepse shteti i Kosovës, nuk ka ndonjë mekanizëm normativ i cili do sanksiononte këto trupa llogaridhënëse, në rastet kur raportet nuk u kalojnë. Nga hulumtimi që ka bërë KALLXO.com, del se raportet e agjencive të pavarura që s’janë miratuar në Kuvend, nuk kanë njohur masa ndëshkuese. Rrjedhimisht, duket paradoksale, por i bie që pothuajse është e njëjta gjë: Si u miratuan – si nuk u miratuan raportet.

Gjatë legjislaturës së XII, në Kuvendin e Kosovës, kanë mbetur të pa përfunduara dhe të pa shqyrtuara disa raporte vjetore të punës së institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit.

Sipas përgjigjeve të dërguara nga drejtoria për media e Kuvendit të Kosovës për KALLXO.com, thuhet se nga 21 institucione që i raportojnë Kuvendit, raportet vjetore të 20 prej tyre kanë mbetur në procedurë dhe të pa shqyrtuara.

“Gjatë Legjislaturës VII, nuk ka pasur asnjë raport që nuk është miratuar. Janë shqyrtuar, por kanë mbetur të papërfunduara – në procedurë 12 raporte, si dhe kanë mbetur të pashqyrtuara 8 raporte”, thuhet në përgjigjet e dërguar nga Kuvendi i Kosovës.

Por, përgjigjeje më të zgjeruar për KALLXO.com ka dhënë Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, i cili edhe e monitoron punën e Kuvendit.

Agnesa Haxhiu zyrtare e KDI-së dhe monitoruese e Kuvendit të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se aktualisht janë gjithsej 34 institucione të pavarura të cilat i raportojnë drejtpërdrejt Kuvendit, e të cilat dallojnë për nga mënyra e funksionimit, ku një pjesë e tyre kanë bordet si të vetmin organ me kompetenca ekzekutive, ndërsa ka nga ato që funksionojnë pa bord.

Haxhiu tha se mbikëqyrja e tyre nga ana e Kuvendit, vazhdon të jetë një prej mekanizmave mbikëqyrës që ka më shumti sfida në funksionim.

“Shqyrtimi i raporteve vjetore të punës së institucioneve të pavarura është mekanizmi i vetëm me të cilën Kuvendi mban nën mbikëqyrje dhe llogaridhënie këto institucione. Komisionet parlamentare si trupa punues të Kuvendit, shqyrtojnë raportet vjetore të institucioneve të pavarura që bien në fushëveprimin e tyre dhe të cilat më pastaj së bashku me rekomandimet përcillen për votim në seancë plenare”, tha Haxhiu.

Sipas saj, kur këto raporte nuk miratohen shkaku i performancës së dobët, ato nuk marrin masa ndëshkimore.

“Mirëpo problemi qëndron në faktin që edhe në rastet kur Kuvendi nuk i miraton raportet e institucioneve të pavarura për shkak të performancës së dobët të këtyre organeve, ato nuk sanksionohen për shkak se legjislacioni i aplikueshëm nuk parasheh ndonjë procedurë apo masë ndëshkimore për rastet e tilla”, tha Haxhiu.

KALLXO.com i ka drejtuar Kuvendit të Kosovës pyetje se a ka sanksione për institucionet, në qoftë se nuk u miratohen raportet në Kuvend, por nuk ka pranuar përgjigje të plotë.

“Për disa institucione të pavarura, sanksionet janë të përcaktuar me ligjet përkatëse”, kanë thënë ata, pa treguar se për cilat ligje bëhet fjalë, përkundër që KALLXO.com ka ridërguar pyetje në adresë të Kuvendit, përgjigjet më të plota sërish kanë munguar.

Këto raporte sipas përgjigjeve të Kuvendit, pas shqyrtimit në Komisionin funksional, shqyrtohen edhe në seancë plenare.

Monitoruesja e KDI-së Agnesa Haxhiu, tha se raportet të cilat nuk miratohen nga Kuvendi për shkak të performancës së dobët të këtyre organeve dhe mos zbatim të rekomandimeve të dhëna nga Kuvendi, duhet të shoqërohen me penalizime për udhëheqësit e tyre.

“Pas miratimit të raporteve dhe rekomandimeve të nxjerra nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Komisionet Parlamentare duhet të krijojnë mekanizma që u mundësojnë të ushtrojnë kontroll mbi institucionet përkatëse në lidhje me zbatimin e masave”, tha ajo.

Haxhiu, tha se Kuvendi jep rekomandime bazuar në të metat e identifikuara në raportet vjetore, por nuk ka një mekanizëm të ndëshkimit për moszbatim.

Ajo ka përmendur edhe sfidat e tyre.

“Për pasojë një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve, janë duke u përsëritur prej vitit në vit dhe mbesin të pazbatuara. Përveç çështjes së raportimit, Kuvendi ka në vazhdimësi sfida në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të institucioneve të pavarura, të cilat bëhen me vonesë duke ndikuar negativisht në funksionalitetin e tyre. Shto këtu faktin që emërimet e anëtarëve të bordeve në baza partiake vazhdon të jetë prezent”, tha Haxhiu.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që krahas reformës së paraparë për racionalizimin e një numri të madh të këtyre agjencive/institucioneve të pavarura, të vendosen masat ndëshkimore në ligjet bazike që rregullojnë funksionimin e këtyre institucioneve dhe që kjo procedurë të njihet me Rregulloren e re të punës.

Kuvendi i Kosovës kur është pyetur se cilat institucione i raportojnë Kuvendit të Kosovës ka listuar 21 institucione: Agjencia Kosovare për Privatizim, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe  Postare, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Këshilli për Ndihmë Juridike Falas, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi  Kulturore, Agjencia Kundër Korrupsionit, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, Trusti i Kursimeve Pensionale, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni Shqyrtues në Zyrën e Rregullatorit për Ujëra dhe Kanalizim, Agjencioni Kosovar për Prona – Bordi Mbikëqyrës, Agjencioni Kosovar për Prona- Komisioni për Kërkesa Pronësore, Agjencioni Kosovar për Prona – Sekretariati Ekzekutiv dhe Avokati i Popullit.

Kurse listën e 34 Institucioneve dhe Agjencive të pavarura sipas KDI-së e gjeni në këtë LINK.