Rrëfimi për momentin kur forcat ruse hynë në qendër të Prishtinës më 12 qershor 1999
“Ne kishim shumë frikë dhe nuk e dinim se çka ndodhi se e pritëm si një moment kthese nënshkrimin e marrëveshjes (së Kumanovës) dhe thamë që u çlirua Kosova tash hynë forcat e NATO-së, ndërkohë veç i kemi parë tanket dhe autoblindat ruse duke hyrë dhe serbët duke festuar. Ishte situatë paradoksale” – kështu e fillon rrëfimin e saj Jehona Lushaku për momentin e futjes së forcave ruse në Prishtinë.
Ajo e kishte incizuar me një kamerë amatore këtë moment.
Jehona Lushaku kujton edhe çka i kishte thënë babai i saj pasi kishin parë forcat ruse duke zbarkuar në sheshet e Prishtinës, përderisa serbët festonin duke gjuajtur me armë.
“Ne mendojshim që qenka një fitore për serbët dhe jetës tonë i kishte ardhur fundi. I shihnim me automatik duke gjuajtur. Babi tha që kështu kanë festuar serbët edhe në ditën e fundit në Sarajevë edhe në Bosnje e në Kroaci, Kjo është dita e fundit e festimit të tyre dhe thoshte që kjo është mënyra se si ata i festojnë humbjet e tyre”, thotë ajo
Për të si e re thotë se kjo mënyrë e të festuarit ishte e pakuptimtë.
“Nuk arrija me kuptu se si një popull feston kur humb, këtë e kuptuam të nesërmen vetëm kjo natë ka qenë natë tmerri” – rrëfen Lushaku.
Ajo shton se si familje e kanë ndier si një lloj përgjegjësie dokumentimin me fakte.
“Përtej frikës është historia e në këto momente vlera e jetës tonë ka qenë sekondare, gjithçka qe ndodhte, ndodhte përtej llogaritjes së jetës, veç shpëtimin nuk e mendonim” – thotë tutje ajo.