Konferenca kushtuar ngacmimit seksual. Foto: Kallxo.com

Gjykatat dhe UP Nuk e Ndëshkojnë Ngacmimin Seksual

Gjykatat në Kosovë kanë dështuar t’i trajtojnë rastet e ngacmimit seksual, u tha sot në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Luljeta Demolli, Drejtore e kësaj organizate, tha se nuk ka asnjë rast të ngacmimit seksual në gjykatat e vendit dhe kjo, sipas saj, vjen edhe nga mungesa e njohjes dhe e raportimit të këtij fenomeni.

Demolli shtoi se është e domosdoshme që në ndryshimet rreth ngacmimit seksual që po bëhen në Kodin Penal.

“Arsyeja pse po punojmë në Kodin Penal është që (ngacmimi seksual) të bëhet vepër penale e ndëshkueshme. E dimë se gjykatat në Kosovë nuk e kanë asnjë rast të ngacmimit seksual”, tha Demolli.

Ndërkaq, Jehona Lushaku, ligjëruese në Fakultetin e Shkencës Politike në UP tha se në nivel të përgjithshëm nuk ka njohje të mjaftueshme të ngacmimit seksual si problem shoqëror.

“Shoqëria jonë nuk e njeh si problem”, tha Lushaku.

E pyetur nga KALLXO.com, rreth masave që janë marrë në UP për ta luftuar ngacmimin seksual, ajo u përgjigj se UP e ka përfshirë ngacmimin seksual në Rregulloren e Etikës por vetëm në mënyrë të përgjithshme.

“Besoj që ka nevojë për më shumë gatishmëri sepse kjo është trajtuar nga universiteti më shumë si çështje që duhet të shkojë në polici dhe që ka implikime të tjera dhe nuk është vetë institucioni që duhet ta trajtojë”, tha Lushaku.

Sipas saj, duhet të ndërtohet organ brenda universitetit që do të mundësonte raportimin në mënyrë anonime.

Ndërsa, Demolli tregoi se Universitetit të Prishtinës i janë dhënë edhe më herët propozime për adresimin e kësaj çështjeje.

“Ne në vitin 2006 e kemi dërguar një politikë për ngacmimin në universitet dhe ajo është në sirtarët e rektorit. Asnjëherë nuk kemi parë asgjë konkrete, vetëm një poster të vendosur. E mos të flasim që ka edhe sulme seksuale në shkolla të mesme dhe në universitet”, tha drejtoresha e QKSGj-së.

Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë brenda Zyrës së Kryeministrit, theksoi nevojën për hulumtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës, si në institucione publike ashtu edhe në biznese.

Edhe bashkëshortja e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Vonda Kimble Delawie ftoi për ndryshime në qasjen e trajtimit të ngacmimit seksual.

“Duhet t’i bëjmë ndryshimet e domosdoshme për t’u kujdesur për njerëzit tanë në mënyrë proaktive dhe të qëndrueshme në një masë sa asnjë person nuk do të mund të ikë me këtë sjellje qoftë edhe për një herë të vetme”, u shpreh ajo.

Javën e kaluar, organizatat e shoqërisë civile thanë se brenda një viti e gjysmë janë regjistruar mbi 50 raste të ngacmimit seksual në punë.

http://kallxo.com/shqeteson-niveli-larte-ngacmimeve-seksuale-ne-pune/