Rrëfimi i Jehona Lushakut, e cila incizoi pamje të luftës nga dritaret e banesës

Jehona Lushaku gjatë kohës së luftës ishte vetëm 19-vjeçare. Ajo bashkë me familjen e saj u strehuan në banesën e axhës në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Nga dritaret, ajo arriti të xhirojë me një kamerë amatore shumë ngjarje pasi aty përballë banesës ishte baza e ushtrisë serbe.

Në rrëfimin e saj dhënë për emisionin “Kallxo Përnime”, ajo ka shpalosur shumë gjëra që ajo dhe familja e saj përjetoi gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo ka treguar që me kamerë të axhës kishte xhiruar gjithçka përreth banesës që ajo kishte mundësi të shihte, pasi sipas saj në shesh atë kohë ishte heshtje, nuk lëvizte askush pos ushtrisë serbe.

“Në atë kohë s’kishte kaseta të reja dhe unë vendosa me incizu mbi një kasetë që axha i kishte ditëlindjet e fëmijëve. Në njërën nga dhomat e preva perden dhe vendosa të xhiroj se çka po ndodh, në shesh s’kishte gazetar, s’kishte banorë, ishte heshtje edhe unë thosha që meqë është qendër këtu ndodhin gjëra që ia vlen të dokumentohen dhe mund të jenë historike për të ardhmen apo dëshmi për atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës”, thotë Lushaku.

Ajo nga dritaret e banesës kishte arritur t’i xhironte edhe bartjen e dokumenteve të ndryshme nga ana e ushtrisë serbe.

“Ka pasur bartje të ushtrisë, bartje dokumentacioni, sjellje të civilëve, maltretime të njerëzve, edhe ishte një lloj drame që ndodhte në anën e djathtë të banesës ku ne banonim. Nuk arrija t’i xhiroja të gjitha pjesët por me të thënë të drejtën as nuk guxonim, kam pasur disa xhirime që kur ka filluar kontrolli nëpër banesa i ushtrisë serbe e kemi shkatërruar kasetën nga frika që mund të binim pre e asaj, apo edhe mund të pushkatohemi shkaku i atyre pamjeve” – rrëfen më tej ajo.

Ndryshe 12 qershori njihet si dita e çlirimit të Kosovës.

https://kallxo.com/lajm/per-disa-pervjetori-i-nato-s-i-kosoves-shkakton-emocione-te-perziera/