Kosova harxhon rreth 600 milionë euro në vit për karburante

Avni Sfishta, ekspert i energjisë në organizatën GIZ, ka thënë se Kosova do të arrijë që deri në vitin 2050 të bëjë balansimin klimatik siç parashihet me Planin Kombëtar të Kosovës për Energjinë dhe Klimën.

“Besoj dhe jam i bindur që mund të mbërrihet për arsye se janë disa elemente që shkojnë në favor të vendit. Konsumin më të madh të energjisë e kemi nga sektori i ndërtesave. P.sh. për me i prodhu 1 mijë euro të GDP-së të vendit, ne i harxhojmë 460 euro energji. Ndërsa për me i prodhu 1 mijë euro në vendet e BE-së, shpenzohen 110-150 euro energji” – ka thënë Sfishta në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se kjo diferencë e madhe tregon se sa ka potencial Kosova për të kursyer energji e në të njëjtën kohë të zvogëlojë edhe konsumin.

“Në sektorin e ndërtesave, nëse e kemi një program të mirë për kursim të energjisë që nënkupton izolim të ndërtesave, e zvogëlon në minimum konsumin e energjisë, pastaj i shtojmë në kulm të ndërtesave burime të riprodhueshme të energjisë etj.” – tha më tej ai.

Në Planin Kombëtar të Kosovës për Energjinë dhe Klimën parashihen masat për kodin e ndërtimit, kriteret minimale për performancë energjetike, standardet që duhet t’i plotësojnë ndërtesat e reja, të cilat i nënshtrohen fazës së ndërtimit.

“Është rekomandu masë që është edhe obligim, vendosja e certifikimit energjetik në ndërtesa. Po presim që gjatë këtij viti me ndërtu sistemin, gati jemi në përfundim të plaftormës e cila e proceson lëshimin e certifikatave, me të cilin fillon një standard i ri që ndërtesat duhet të plotësojnë për zvogëlimin e përdorimit të energjisë” – thotë tutje ai.

Kostoja e energjisë në sektorin e transportit, sipas Sfishtës, në Kosovë është më shumë se 600 milionë euro.

“Këtu hyn çmimi i karburanteve. E prej Kosovës po kërkohet që të subvencionojë kerret elektrike, të vendosen pajisje për mbushjen e kerreve elektrike. Në sektorin e energjisë nëse llogarisim kosto sa shpenzojmë në nivel vendi është diku 400-500 milionë euro” – tha Sfishta.

https://kallxo.com/ëp-content/uploads/2022/05/Final-position-paper-alb-1.pdf