Pamje nga publikimi i studimit nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike - Foto: KALLXO.com

Efiçienca e Energjisë Konsiderohet ‘Luks’

Studimi që ka bërë Instituti i Prishtinës për Studime Politike lidhur me ndikimin e investimeve në efiçiencën e energjisë tregon se disa nivele të politikëbërjes efiçiencën e konsiderojnë “luks”.

Eksperti i fushës së energjisë, Avni Sfishta, tha se efiçienca e energjisë konsiderohet “luks” edhe pse Kosova shpenzon shuma të mëdha si rezultat i degradimit që i bëhet natyrës.

“Në aspektin ambiental është vlerësuar se kostoja vjetore nga degradimi ambiental në Kosovë sillet mesatarisht 221 milionë euro, ndërsa si pasojë e ndotjes së ajrit vlera mesatare e dëmit të shkaktuar është 95.6 milionë euro”, tha ai.

Sfishta tha që shkaktar i gjitha këtyre dëmeve është mungesa e investimit në energjinë efiçiente.

“Emërues i përbashkët për të gjithë këto efekte negative në mjedis me kosto kaq të lartë është energjia për ngrohje nga biomasa, degradimi i pyjeve, nga prodhimi i energjisë elektrike, ndotja nga CO2, dhe grimcat e hirit nga djegia e linjitit dhe shumë faktorë të tjerë”, shtoi ai.

Shefi i Agjencisë së Kosovës për Energji Efiçiente, Bedri Dragusha, tha se kjo Agjenci nuk ka bërë mjaftueshëm për të arritur nivelin e duhur.

“Nuk kemi bërë mjaftueshëm mirëpo nuk jemi larg nga rajoni dhe nëse vazhdojmë me trendin që jemi tani do të jemi në hap me rajonin”, tha ai.

Ai tha që kjo Agjenci përballet me mungesë të stafit.

“Agjencia ka mungesë të stafit. Nga fillimi ishim 4 persona qe punonim dhe vazhdojmë të jemi ende 4 edhe pse punët dhe obligimet vazhdimisht po shtohen”, theksoi Dragusha.

Në publikimin e të gjeturave të studimit u tha se investimet në efiçiencë të energjisë përpos që zvogëlojnë konsumin e energjisë rrisin komforin, përmirësojnë ofrimin e shërbimeve, ndikojnë në hapjen e vendeve të punës dhe  ndikojnë në rritjen e sipërfaqeve të gjelbra e rrjedhimisht edhe në përmirësimin e shëndetit publik si rezultat i një ambienti të pastër.