Plani Kombëtar i Kosovës për Energjinë dhe Klimën

Publikohet letër pozicioni ‘Plani Kombëtar i Kosovës për Energjinë dhe Klimën’

Ekipi i projektit ‘Europeanization of Kosovo’s Environmental Agenda”, BIRN Kosova, Bankwatch, ERA Group dhe TV Mrezha kanë publikuar një letër pozicioni të titulluar “Plani Kombëtar i Kosovës për Energjinë dhe Klimën (PKEK)”.

Kjo letër pozicioni kalon nëpër pesë shtyllat kryesore të Politikës së Energjisë së Bashkimit Evropian.

Këto shtylla përfshijnë sigurinë dhe besimin në energji, tregun plotësisht të integruar të energjisë, efiçiencën e energjisë, dekarbonizimin e ekonomisë dhe inovacionin.

Në përputhje me këto shtylla, dokumenti i pozicionit përfshin sfidat dhe nevojat e Kosovës për të adresuar këto sfera për një rrugë më të sigurt drejt arritjes së dekarbonizimit deri në vitin 2050.

Përmes kësaj letre janë ofruar edhe rekomandime për Qeverinë e Kosovës drejt arritjes së objektivave të dekarbonizimit të ekonomisë deri në vitin 2050 sipas planeve kombëtare.

“Një nga sfidat do të jetë shmangia e shpërqendrimit në politika të cilat më vonë mund të rezultojnë të jenë kundërproduktive, si gazi fosil, hidrogjeni me bazë fosile, biomasa pyjore, incinerimi i mbeturinave ose biokarburantet. E ardhmja energjetike e Kosovës qëndron në tregun energjetik të BE-së, por ajo duhet të gjejë rrugën e vet për ta vënë tranzicionin energjetik në funksion të së mirës së vendit”, thuhet në këtë dokument.

Gjithashtu në këtë analizë thuhet se rezervat e brendshme të thëngjillit në Kosovë aktualisht kontribuojnë në varësinë relativisht të ulët të vendit nga importi, mirëpo sipas kësaj analize përdorimi i thëngjillit shkakton kosto të shumta dhe shumë të larta për shëndetin e njeriut, mjedisin dhe klimën.

E ardhmja energjetike e Kosovës

Në këtë analizë, jepen këshilla si se Kosova mund të punojë në largimin urgjent të përdorimit të qymyrit dhe ecjen përpara me politikat e gjelbra.

“Çdo ekonomi familjare konsumon energji dhe shumë prej tyre janë të prekur nga ndotja ose dëmtime të tjera mjedisore të shkaktuara nga sektori. Ata që do të humbasin drejtpërdrejt vendin e punës si pasojë e ndryshimeve në sektor do të goditen rëndë, ndërsa nga ana tjetër ka mundësi që njerëzit e zakonshëm të prodhojnë energji elektrike në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë më rehat si rezultat i izolimit më të mirë”, thekson raporti.

Përveç largimit të qymyrit, kjo letër pozicioni i rekomandon Kosovës që të punojë për krijimin e një sistemi arsimor të gjelbër.

“Gjithashtu, Kosova duhet të vendosë një cak për energjinë e ripërtëritshme për vitin 2030 që është kompatibil me arritjen e 100 për qind të burimeve të ripërtëritshme deri në vitin 2050. Sipas analizës kjo duhet të llogaritet në hollësi, por gjithçka më pak se rreth 50 për qind do të thotë se pas vitit 2030, përpjekjet do të duhet të përshpejtohen edhe më tej për të arritur në 100 për qind deri në vitin 2050.

Kjo letër pozicioni u bë publike në “Ditët e energjisë së gjelbër 2022” në kuadër të projektit “Europeanization of Kosovo’s Environmental Agenda”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.