Ambasadorja Soderberg: Clinton e ka parë Kosovën si çështje të interesit kombëtar

Ambasadorja Nancy E. Soderberg në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për ndërhyrjen e SHBA-së në luftën e fundit në Kosovë.

Ajo tha se Kosova është konsideruar nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, si çështje e interesit kombëtar.

“Gjithmonë varet nga interesi kombëtar. Ju nuk mund të shikoni nënën dhe babanë e një ushtari që po dërgoni në betejë për të rrezikuar jetën e tyre dhe të mos e keni të ankoruar atë veprim në interesin kombëtar. Stabiliteti i Evropës është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Ne përballemi me forca izoluese në vendin tonë dhe na u desh shumë kohë për të hyrë në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore …” – tha Soderberg.

Ajo ka shtuar se një nga keqardhjet e saj gjatë kohës kur ka shërbyer në Administratë është se nuk mund të vepronin më shpejt, në Srebrenicë, dhe pikërisht kjo i ka bërë që të ndërhyjnë në Kosovë.

“Më shumë njerëz vdiqën para se të vepronim si këtu në Kosovë, gjithashtu në Bosnje, Masakrën e Reçakut, Srebrenicën, ne duhej ta kishim parashikuar se do të ndodhte. Ishte një nga periudhat më të dhimbshme të moslëvizjes. Por presidenti Clinton, shumë përpara se të ishte në Shtëpinë e Bardhë, e dinte se ne duhet të bënim më shumë” – shtoi ajo.

Ambasadorja Soderberg, njëherësh drejtoreshë e NDI në Kosovë, në librin e saj kishte shkruar rreth masakrës së Srebrenicës.

“Serbët i ndanë burrat myslimanë, i morën në pyetje dhe i detyruan të hapnin gropa. Gjatë ditës sonë të parë, serbët çetnikë vranë rreth 500 njerëz. Ata thjesht i rreshtonin dhe i gjuanin me armë që ata të binin drejt e në gropa. Afërsisht 100 djem që i morën në pyetje kishin hapur varret masive, më pas u desh t’i mbushnin. Në fund të ditës, ata u urdhëruan të hapnin një gropë për vete dhe të rreshtoheshin para saj. Ata u vranë drejt e në varr masiv. Në agim, mbërriti një buldozer dhe hapi një gropë dhe varrosi të gjallë rreth 400 burra. Burrat ishin të rrethuar nga çetnikët, kushdo që tentoi të arratisej, pushkatohej” – rrëfeu ajo.

“Në fillim të gushtit, Clintonit dhe këshilltarëve të tij iu shfaqën fotografi të frikshme nga satelitët spiunë të SHBA-së. Fotot, të cilat Administrata shpejt i bëri publike, tregonin pjesë të mëdha të dheut të freskët të çapuritur me buldozer rreth Srebrenicës” – shtoi ajo.