Të Dhënat e Fshehta në Facebook

Unë e hapa një profil timin të rrejshëm në Facebook, me një pseudonim, për të më ndihmuar që t’i gjej kontaktet e mundshme për hulumtime gazetareske, por, në fund të fundit, Facebook doli të jetë më i suksesshëm duke më hulumtuar mua. 

Rrjeti gjigant social arriti ta gjurmojë jetën time të vërtetë, miqtë, gruan dhe anëtarët e familjes sime me lehtësi të paparë, përkundër faktit që unë asnjëherë nuk kisha shtuar miq në profil, nuk kisha postuar komente dhe nuk kisha ngarkuar asnjë storie.

Pa dyshim se kisha qenë i pakujdesshëm: Kur u regjistrova me emrin John Smith, emrin më të rëndomtë anglez, sikurse shumë të tjerë, pavëmendshëm lejova Facbook që ketë qasje në kontaktet e mia të emailit në njërën nga llogaritë e mia të cilën e shfrytëzoja pak. Por aftësia e Facebook për të zbuluar informata për jetën time të vërtetë shkonte përtej asaj që mund të mblidhej nga ato kontakte.

Gjatë dy viteve të fundit pas hapjes së llogarisë ishte e qartë se Facebook ngadalë kishte grumbulluar gjithnjë e më shumë informata për John Smith.

Në listën e “miqve të sugjeruar” për këtë joperson mund t’i gjeja kolegët e mi të punës, miqtë dhe anëtarët e familjes të cilëve kurrë nuk iu kisha dërguar email nga llogaria me të cilën isha regjistruar.  Madje, në listë ishin përfshirë edhe disa persona të cilët nuk i kisha kontaktuar që dhjetë vite.

Si mund t’i dijë Facebook këto gjëra? Shfrytëzova shërbimin online për t’i kërkuar të gjitha të dhënat që ekzistonin për John Smith, dhe përgjigja që mora ishte e qartë: asgjë, përveç porosive që Facebook më kishte dërguar. 

Përtej asaj që Facebook është i gatshëm të lirojë për ju përmes funksionit të tyre online, një varg të dhënash të tjera ruhen në fshehtësi; pretendojnë aktivistët.

Flickr


Kundërsulmi

Vegla e Facebook ju mundëson të keni qasje në 22 kategori, gjersa besohet se mund të grumbullohen 35. 

Por baza e jashtëzakonshme dhe gjithnjë me e madhe e të dhënave e informatave në Facebook është duke iu nënshtruar një vëzhgimi gjithnjë e më të madh. 

Një grup i ri, i quajtur Evropa vs Facebook, ka parashtruar disa ankesa kundër kompanisë në Irlandë, ku edhe është e regjistruar zyra e kompanisë në BE për qëllime tatimore.

Protestuesit kanë argumentuar para Komisionarit të Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë se Facebook është duke mbledhur në mënyrë të paligjshme të dhëna të anëtarëve, madje edhe të atyre që kurrë nuk janë regjistruar në faqen e rrjetit social. 

Pavarësisht nëse jeni bashkuar në Facebook apo jo, faqja e rrjetit social duket se po mbledh një numër të jashtëzakonshëm të të dhënave për ju.

Të ashtuquajturit “profile në hije” krijohen kur shfrytëzuesit ekzistues kërkojnë njerëzit të cilët ende nuk janë anëtarë dhe përmes shfrytëzimit të kontakteve nga regjistrat e adresave të emailit të anëtarëve, të cilët shpeshherë i lejojnë Facebook të ketë qasje. 

Kjo është një nga 22 ankesat që aktualisht janë duke u shqyrtuar nga komisionari irlandez për të dhënat, e cila edhe parashtron pyetjen nëse Facebook ka shkelur ligjet evropiane për privatësinë.

24 vjeçi Max Schrems, student austriak i drejtësisë, ka bindur Facebook që t’i lirojë informatat që ishin mbledhur për të gjatë tri viteve. Atij i janë dorëzuar 1,222 faqe të të dhënave në një CD. 

Shumica e informatave janë mbajtur nga Facebook edhe pse ai i kishte fshirë ato nga profili i tij online. Kjo e kishte shtyrë atë që ta fillonte grupin, Evropa vs Facebook.

“Nëse Posta do të hapte, skenonte dhe analizonte çdo letër që do të hynte në të dhe nëse ato kurrë nuk do të fshiheshin, të gjithë do të çmendeshin,” tha Schrems për The Sunday Times. “Kjo është pikërisht ajo që po bën Facebook me porositë tona. Është duke grumbulluar sasi të mëdha të të dhënave në prapavijë dhe madje mund të merr informata për jo-shfrytëzuesit nga profilet e miqve të tyre.”

“Unë e kam lexuar politikën e tyre të privatësisë por, pas një viti hulumtimesh, ende nuk e kam idenë se për çfarë i përdorin këto të dhëna. Ata duhet të jenë më transparentë”.

Çka din Facebook për ju?

Facebook ruan çdo adresë të IP nga e cila regjistroheni në faqe, duke i ndihmuar asaj që t’i identifikojë kompjuterët e shtëpisë dhe të punës dhe t’i gjejë mashtruesit e mundshëm. Gjithashtu, ato i lejojnë Facebook që t’i përcjellë lëvizjet e individëve.

Gjithashtu, ai ruan në afat të pacaktuar porositë që janë fshirë, kërkesat e refuzuara për miqësi dhe kontaktet që janë “çmiqësuar”. Gjithashtu, ruhet të gjitha ftesat për evente.

Metadata-t nga fotografitë e ngarkuara i japin Facebook kohën, datën dhe koordinatat e sakta të tyre. Madje ruhen edhe etiketat e fshira të fotografive – të cilat identifikonin personat në fotografi. Përsëri, kjo i lejon Facebook që t’i bëjë bashkë pjesëzat jo vetëm të lëvizjeve të atyre që kanë ngarkuar fotografitë, por edhe të atyre të cilët thjeshtë, dhe pa njohuritë e tyre, janë etiketuar.

Janë ngritur shqetësime edhe lidhur me përdorimin e teknologjisë së identifikimit të fytyrës të Facebook, e cila automatikisht identifikon njerëzit në fotografitë e ngarkuara – pavarësisht nëse ata dëshirojnë të mbesin anonimë apo jo.

Gjithashtu, Facebook, i themeluar nga Mark Zuckerberg dhe shokët e tij të klasës në Universitetin Harvard më 2004, mund të grumbullojë informata mbi aktivitetet e shfrytëzuesve online edhe pasi ata të jenë çregjistruar nga llogaritë e tyre.

Dosjet, të njohura si “cookies”, të ruajtura në kompjuterin tuaj i përcjellin shprehitë tuaja të kërkimit nëpër internet dhe ato informata i dërgojnë te Facebook. 

Megjithatë, kompania këmbëngulë se ajo vepron sipas ligjeve të BE-së dhe të Irlandës për mbrojtjen e të dhënave dhe nuk i përcjellë ato informata të reklamuesit.

Një zëdhënëse ka thënë se jo-shfrytëzuesit mund të kërkojnë në faqen e Facebook që të fshihen të gjitha informatat për ta të cilat mund t’i ketë kompania.

“Ne nuk krijojmë profile të atyre që ende nuk kanë vendosur ta shfrytëzojnë Facebook”, tha ajo. “Ne jemi të përkushtuar për transparencë të të dhënave që i mbajmë dhe të gjithë shfrytëzuesit e Facebook kanë mundësi t’i shkarkojnë të dhënat e tyre.”

Bazë arktike e të dhënave 

Informatat e mbledhura nga shfrytëzuesit në Kosovë dhe kudo në Evropë, në Lindje të Mesme dhe Afrikë, do të ruhen në një qendër të re gjigante në Suedinë veriore.

Facebook është duke ndërtuar atë që ata quajnë “qendër të gjelbër të të dhënave” për të akomoduar arkivin gjithnjë e më të madh të informatave personale.

Qyteti Lulea në Suedinë veriore, vetëm 100km në jug të Rrethit Arktik, është përzgjedhur për shkak të qasjes së tij në energji të ripërtërishme dhe klimës së ftohët e cila është vendimtare për t’i mbajtur serverët të ftohur.

Kjo qendër do të jetë më e madhja e llojit të saj në Europë dhe do të mbulojë më shumë se 30,000 metra katrorë – sa madhësia e gati 11 terreneve të futbollit.