Skema e tjetërsimit të pronave në Shëngjin

Gjykata e Lezhës miratoi dërgimin në gjyq të dosjes në të cilën akuzohet kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe 19 persona të tjerë për tjetërsimin e rreth 298 mijë metrave katrorë në bregdetin e Shëngjinit. Hetimet e prokurorisë tregojnë se të njëjtët njerëz u përfshinë edhe në tjetërsimet për të cilat akuzohet ish-deputeti i PS, Arben Ndoka e të tjerë. Të pandehurit mohojnë akuzat.

Në gusht të vitit 2017, Nikoll Tinaj u bë pronar i 17601 metrave katrorë tokë në plazh në zonën që njihet si “Rana e Hedhun”. Pak kohë pasi toka ishte rregjistruar në emër të tij, ai takoi B.P i cili e pyeti nëse kishte tokë për të shitur dhe Tinaj ia shiti atij këtë pronë për 30 mijë euro.

Tinaj nuk e mban mend se si u bë pronar i tokës, që pas hetimeve të Prokurorisë rezultoi të ishte pjesë e rreth 298 mijë metra katrorë plazh, e tjetërsuar në tokë arë përmes një serie falsifikimesh.

I pyetur si person që njeh rrethanat e ngjarjes, Tinaj i tha prokurorëve të çështjes se nuk kishte qenë asnjëherë te toka në “Ranën e Hedhun”, nuk e dinte “me kë kufizohej” dhe se nuk mbante mend “kush i kishte sjellë në shtëpi certifikatën e pronës”. Ai pranoi megjithatë se kishte dorëzuar në hipotekë “aktin e marrjes së tokës në përdorim”, por nuk rezulton të jetë personi që firmosi formularin e aplikimit për certifikatë pronësie.

Prokuroria e akuzon Nikoll Tinajn për falsifikim dhe çështja ndaj tij dhe 20 personave të tjerë, përfshi kryetarin e bashkisë së Lezhësm Fran Frrokaj dhe kreun e Këshillit të Qarkut Lezhë Gjok Ndoka kaloi për gjykim me një vendim të ditëve të fundit në një seancë paraprake të Gjykatës së Lezhës. Në të njëjtën çështje akuzohen për shpërdorim detyre edhe zyrtarë të Bashkisë dhe Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Në kërkesën për gjykim të prokurorëve Simon Pashuku dhe Erjon Shehaj, të cilën BIRN e disponon, rezulton se kryebashkiaku dhe personat e tjerë të përfshirë tjetërsuan mijëra metra katrorë tokë plazh. Pronat kryesisht në zonën e Malit të Rencit dhe Malit të Shëngjinit, janë kryesisht pjesë bregdeti, rërë, pyll dhe shkëmb, por sipas prokurorisë përmes hartave të falsifikuara dhe vërtetimeve të lëshuara nga bashkia e Këshilli i Qarkut, janë paraqitur si tokë arë dhe janë ndarë sipas ligjit 7501. Me kërkesë të prokurorisë, 298 mijë metra katrorë u vunë në sekuestro preventive nga Gjykata e Lezhës.

Njëzet të akuzuarit kanë mohuar kryerjen e veprimeve ilegale dhe kërkuan gjatë seancës paraprake pushimin e çështjes. Neshat Fana, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Frroku i tha BIRN në një bisedë telefonike se ata kishin kërkuar që çështja të pushohej, ndërsa pretendoi se çështja për shpërdorim detyre nuk qëndronte. Të njëjtin pretendim kishte edhe Genc Gjokutaj, mbrojtës i kreut të Këshillit të Qarkut, Gjok Ndoka.

Por ndërsa mbrojtën klientët e tyre, Fana dhe Gjokutaj ia adresuan fajin të tjerëve. Fana tha se verifikimi i pronave nuk ishte detyrë e bashkisë, duke i mëshuar faktit se përgjegjësit binin mbi Këshillin e Qarkut dhe hipotekën.

“Nuk është punë e bashkisë fare, verifikimin duhet ta bënte hipoteka, Këshilli i Qarkut”, tha Fana.

Ndërsa Gjokutaj tha në telefon se “Këshilli i Qarkut është jashtë kësaj, problemi është me bashkinë dhe hipotekën”.

Kjo nuk është çështja e vetme për tjetërsim pronash në bregdetin e Shëngjinit. Në tetor të këtij viti Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka, vëllait të tij Gjevi Ndoka, familjarëve të tyre dhe disa personave të tjerë të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte bërë tjetërsim pronash në Lezhë.

Ndërkohë çështje të ngjashme janë në gjykim në Vlorë, Kavajë dhe Shkodër, ku kryesisht përmes falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronës nga pyll e rërë në tokë arë, toka publike është ndarë te persona të tretë përmes ligjit 7501 ndonjëherë pa dijeninë e tyre dhe më pas shitur e dhuruar të përfitues të lidhur me pushtetin.

Denoncimi dhe hetimet

Bashkia e Lezhës

Prokuroria e Lezhës u vu në dijeni të tjetërsimit të pronave publike nga denoncimi i dy personave. Në korrik dhe gusht të vitit të kaluar, Pjetër P. dhe Gjek C. denoncuan në prokurori se pronat që atyre u ishin njohur me vendim gjykate të trashëguara nga prindërit, ishin rregjistruar për të tretë në hipotekë.

Pjetri kallëzoi se ai kishte përfituar në vitin 1994 një pjesë të pronës së gjyshit të tij përmes Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por në vitin 2017 ka mësuar se ngjitur me pronën e tij, persona të ndryshëm kishin rregjistruar si tokë bujqësore, toka që në fakt ishin rërë dhe shkëmb. Ai thotë se bëri kallëzim, pasi kjo dëmtonte biznesin e tij.

Ndërsa Gjek.C iu drejtua prokurorisë kur mësoi se pronat e gjyshit livadh e pyll, të cilat i ishin njohur familjes së tij me vendim gjykate në vitin 2006 por të pamarra fizikisht ishin rregjistruar në hipotekë në emër të të tretëve.

Prokuroria thotë se vendosi të bashkonte kallëzimet, pasi bëhej fjalë për të njëjtën zonë dhe për të njëjtën skemë. Në këtë kohë në gusht dhe nëntor 2017, prokuroria i kërkoi gjykatës së Lezhës të vendoste sekuestro preventive mbi pronat e identifikuara si të cënuara prej procesit. Sipas kërkesës për gjykim më shumë se 298 mijë metra katrorë u vendosën në sekuestro preventive.

Pas kryerjes së një sërë hetimesh më 16 mars 2018 prokuroria kërkoi dhe mori miratimin nga gjykata për arrestimin e kryebashkiakut Fran Frrokaj dhe masa sigurie të ngjashme për 23 persona të tjerë. Hetimet prokurori i mbylli në gusht të këtij viti dhe i kërkoi gjykatës kalimin e çështjes për gjykim.

Në 18 dhjetor, Gjykata e Lezhës pranoi kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve për katër persona dhe për dërgimin për gjykim me akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim të kryebashkiakut Frrokaj, nënkryetarit  të bashkisë Enver Hafizi, kreut të Këshillit të Qarkut Gjok Ndoka, ish-punonjësve të ZVRrPP Lezhë Artan Djala, Ermando Jakaj dhe juristit të saj Bledar Cara.

Me të njëjtën akuzë do të gjykohen edhe Juxhina Mema, me arsim fizioterapiste, por e punësuar si specialiste pranë sektorit të kadastrës në Bashkinë Lezhë, Ardenis Haxhia, jurist pranë Bashkisë Lezhë, Eduart Leka, ish – sekretar pranë ish – Komunës Shengjin – Lezhë.

Ndërkohë personat në emrat e të cilëve prona është rregjistruar Frrok Frroku, 75 vjeç dhe katër djemtë e tij Ndue, Gjin, Martin dhe Lek Frroku, dy vëllezërit Vasil e Pjetër Gjoni, Zef Gjini, futbollisti i Vllaznisë, Renato Malotaj dhe Nikoll Tinaj akuzohen për “falsifikim dokumentesh”.  Po për falsifikim dokumentesh akuzohet edhe topografi 76-vjeçar Luigj Paloka.

Të dyshuarit nuk kanë pranuar akuzat. Në dëshmitë për prokurorinë përfituesit e pronës kanë pranuar transaksionet me të, por kanë thënë se e kishin përfituar atë prej ligjit 7501, ndërsa zyrtarët e përfshirë kanë mohuar përgjegjësitë penale.

Avokati i kryebashkiakut Fran Frrokaj, Neshat Fana, në një bisedë telefonike për BIRN këmbënguli se akuza e shpërdorimit të detyrës ndaj të mbrojturit prej tij nuk qëndronte, pasi në Kodin Penal shpërdorim detyre konsiderohej shkelja e ligjit, ndërsa në këtë rast bëhej fjalë për shkelje të supozuar të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili ngarkon bashkinë me verifikimin e gjendjes së pronave.

“Jo më kot Kodi Penal e ka të përcaktuar qartë se shpërdorimi i detyrës është kur kemi shkelje të ligjit dhe vetëm ligjit,” tha Fana.

Amnezi dhe padijeni

Frrok Frroku i cili bashkë me të bijtë ka përfituar një pjesë të mirë të pronave që dyshohet në tjetërsuara, në dëshminë e tij ka pranuar vetëm pasjen e tokës dhe firmosjen e një transaksioni shitje me një person me emrin Arben. Frroku ka pretenduar se gjithë pjesa tjetër e procedurave është kryer nga djemtë e tij, kryesisht Ndue Frroku.

Njësoj si Nikoll Tinaj, edhe 75-vjeçari pretendoi se nuk mbante mend një pjesë të mirë të veprimeve që kishte kryer për të përfituar pronën dhe se nuk e dinte se çfarë procedurash ishin ndjekur.

Në dëshminë e tij, ai po ashtu thotë se tre nga djemtë ndodhen në emigracion. “Ndue Frroku i cili është në Amerikë, Gjin Frroku ndodhet në Greqi, Martin Frroku ndodhet në Greqi dhe Lek Frroku ndodhet në Shqipëri”, i tha ai prokurorit.

Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur Zef Gjini. Ai ka thënë prokurorit se kishte përfituar pronën me ligjin 7501, por nuk mbante mend kohën e përfitimit, as se si i kishin ardhur në shtëpi dokumentet. Ndërsa ka pranuar se kishte firmën në disa dokumente të vitit 2017 të sekuestruara nga prokuroria, ai thotë se nuk e di ku ndodhej toka që kishte përfituar dhe as sa tokë i ka takuar. “Pasurinë tokë që ka tek Mali Rencit e ka shitur në shumën 15 milion lekë të vjetra një personi nga Miloti që nuk e kujton si emër”, perifrazohet dëshmia e tij në prokurori.

Ndërkohë zyrtarët e përfshirë i kanë qëndruar versionit se kishin bërë detyrën dhe se nuk e dinin që dokumentet ishin të falsifikuara, por se kishin nënshkruar në mirëbesim. Një prej tyre Juxhina Mema, e diplomuar në fizioterapi, por që punoi deri në gusht 2017 në zyrën e kadastrës pranë bashkisë, i tha prokurorit se dokumentet e firmosura prej saj ishin përpiluar nga shefja e zyrës, e cila i kishte kërkuar që të hidhte një firmë.

Fran Frrokaj

Zyrtarët akuzojnë njëri-tjetrin

Prokuroria akuzon kryebashkiakun dhe kreun e Këshillit të Qarkut se kanë konfirmuar, pa kryer verifikime dhe plan rivelimet që ndryshonin kategorinë e tokës nga pyll e ranishte në tokë arë.

Prokuroria thotë se bashkia, pa kryer verifikimin i kishte përcjellë për regjistrim ZVRPP-së Lezhë “praktika tërësisht të falsifikuara”. Sipas prokurorëve detyrat e bashkisë të përcaktuara në një VKM të vitit 2015 ishte që të bënte një sërë verifikimesh për AMTP të para vitit 2008.

“Bashkia Lezhë megjithëse i ka dërguar këto praktika për regjistrim rezulton se nuk është asnjë verifikim në lidhje me sipërfaqen e tokës se çfarë zeri kadastral ishte, nuk ka verifikuar  AMTP-të nëse ishin lëshuar nga personat përgjegjës, sepse në asnjë AMTP nuk kishte nënshkruar përfituesi”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Prokuroria pretendon se bashkia i kishte ndërmarrë këto veprime edhe duke parë se përfituesit nuk ishin banorë të njësive ku po u jepej tokë.

“Fakt tjetër i rëndësishëm dhe i përfshirjes së drejtpërdrejtë në këto veprimtari kriminale është dhe konfirmimi që Bashkia Lezhë i bën ZVRPP Lezhë për konfirmimin e zërit kadastral të cilat (janë bërë) pa asnjë lloj verifikimi dhe gjithmonë në kundërshtim me ligjin dhe në një kohë shumë të shpejtë, pa verifikuar në regjistrat kadastral që i disponponojnë vetë”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Avokati Neshat Fana i tha BIRN se megjithëse se kryebashkiaku i kishte firmosur këto dokumente, ai e kishte bërë atë në mirëbesim si për çdo dokument të prodhuar nga administrata.

Fana tha se Kryetari i Bashkisë nuk mund të verifikojë gjithë letrat që i dërgohen për të nënshkruar dhe se kishte firmosur në mirëbesim dokumentet që i kishte dhënë stafi. “Administrata bën dokumentet, ai i firmos, nuk është kryetari që i identikon këto, nuk është kryetari që merret me atë punë,” tha Fana.

Ai tha se në këtë rast nuk kishte as dashje, duke thënë se punonjësja e bashkisë që kishte sigluar dokumentet dhe dërguar kryetarit për firmosje ishte shkarkuar nga puna prej Frrokut, për shkak të paaftësisë. Fana këmbënguli se në këtë rast nuk mund të kishte shpërdorim detyre, pasi bashkia sipas tij ngarkohej për të bërë verifikimin me VKM dhe jo në bazë të ligjit. “Nuk mund të kesh përgjegjësi penale për një detyrë që ta ngarkon Vendimi i Këshilli të Ministrave. Cilin ligj ka shkelur”, tha Fana.

Fana po ashtu ia kaloi përgjegjësinë kryesore hipotekës, duke thënë se ishin ZVRPP që duhej të bënin verifikimet nëse dokumentet ishin të falsifikuara dhe jo bashkia. Për të njëjtin argument ai ngarkoi me përgjegjësi Këshillin e Qarkut Lezhë.

Kolegu i tij Genc Gjokutaj megjithatë pretendoi të kundërtën. Ndërsa emri i kreut të Këshillit të Qarkut dhe ky institucion rezulton se ka bërë veprime të ngjashme me ato të bashkisë, Gjokutaj tha se përgjegjësia nuk ishte e Gjok Ndokës.

“Ne kërkuam pushimin e çështjes”, tha Gjokutaj, ndërsa shtoi se në detyrimet për verifikim në këtë rast i takonin bashkisë dhe hipotekës.

Arben Ndokaj

Nga Frrokaj te Ndoka, e njëjta skemë, të njëjtat duar

Kërkesa për gjykim ndaj kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj dhe 19 personave të tjerë miratuar nga Gjykata e Lezhës  dhe vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka, vëllait të tij Gjevi Ndoka dhe personave të tjerë të arrestuar me ta, dëshmojnë se dy grupet e ndryshme përdorën të njëjtën skemë dhe në disa raste, të njëjtët njerëz për të tjetërsuar sipërfaqe të bregdetit të Shëngjinit.

Nga dokumentet gjyqësore të cilat BIRN i disponon rezulton se dy grupet e akuzuar kanë përdorur të njëjtin topograf Luigj Paloka, i akuzuar në të dyja hetimet për falsifikim dhe po ashtu “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” në hetimin e Krimeve të Rënda.

I njëjti noter Emanuel Gjura përmendet në të dy hetimet si noterizues i dokumentave. Gjura është marrë si i pandehur vetëm nga Krimet e Rënda, ku akuzohet veç falsifikimit edhe për pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”.  Ai megjithatë përmendet në hetimet e prokurorisë së Lezhës si noter i njërit prej aplikimeve të dyshuara si abuzive, ndërsa po aty thuhet se një nga blerësit e pronës së tjetërsuar për 1700 euro është xhaxhai i tij.

Po ashtu i akuzuar në të dy dosjet është juristi i hipotekës së Lezhës, Bledar Cara, ndërsa përmenden edhe emra të dy punonjësve të tjerë të Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, një prej të cilëve është i akuzuar në dosjen e dërgurar së fundmi në gjykatë nga prokuroria e këtij rrethi.

Kryebashkiaku Frrokaj përmendet po ashtu të paktën dy herë në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që i bashkëlidhen vendimit për masë sigurie, ndaj vëllezërve Ndoka e të tjerëve. Në një rast, noteri Emanuel Gjura duke biseduar sipas prokurorisë me vëllanë e deputetit Ndoka i thotë këtij sipas transkriptit të akuzës: “E kam me i thonë Franit (kryetarit të bashkisë) se, …ke me e konfirmue…! Se “ai” çfarë s’ka bo vetë…, “a do me i hy me rregulla”.!?”

Sipas prokurorisë në këtë rast bëhej fjalë për një konflikt, pasi zyrtarë të bashkisë pretendonin të njëjtat prona të përfituara përmes kësaj skeme nga grupi i drejtuar prej Gjevi (Xhevahir) Ndokës. I pyetur nëse do të përfshiheshin hetimet e bëra nga Krimet e Rënda në dosjen që ishte dërguar tashmë për gjykim, prokurori Erjon Shehaj tha se kjo mund të bëhej gjatë gjykimit.

Në të dy hetimet prokurorët thonë veç e veç se kanë vërtetuar përdorimin e të njëjtës skemë. Toka që rezultonin pronë shtetërore dhe ishin rregjistruar si ranishte, pyll apo gur, por që ndodheshin në bregdet, tjetërsoheshin përmes falsifikimit dhe më pas konfirmimeve nga Këshilli i Qarkut dhe Bashkia Lezhë në tokë me frut dhe ndaheshin sipas ligjit 7501 te fshatarë të zonës. Përfituesit më pas i trasferonin pronat te të tretë përmes shitjes ose dhurimit.

Në hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezulton se vëllezërit Ndoka ishin përfitues të pronave pas tjetërsimit. Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat. Ndërkohë avokati i ish-deputetit Arben Ndoka, i cili u lirua nga qelia në mes të nëntorit nga Apeli, Maks Haxhia akuzoi prokurorin për “montim të procesit” dy ditë pas arrrestimeve.

Marrë nga Reporter.al