Përmbledhje e Një Kujtimi Heroik

E mbante gjithmonë bishtalecin holandez, ndërsa pikat e kafta ia shtonin bukurinë në fytyrën zeshkane, krahas pamjes përherë disi të trishtuar dhe zakoneve puritane. Pak njerëz mund të mbajnë imazh aq të pandryshueshëm. R. J., punonjësja shumëvjeçare e librarisë së qytetit, ishte e njohur, por u konfirmua për të gjithë ne kur mori ftesë (që e kishte cilësuar jetësore, ka drejtësi) nga një shkrimtar amerikan për t’i asistuar në procesin e përgatitjes së një botimi të ri, e me gjasë të fundit. Shumë vjet më vonë, vetëm tani kur ajo nuk është më, erdhi në dritë eksperienca e hedhur në letër – një insistim heroik për të ndryshuar rrjedhat e ngjarjeve që diktonte shkrimtari – e që ndoshta ishte mëkat që nuk u vërejt aq shumë, shkaku i hapësirës së madhe që zunë e na interesonin botimet e shumta politike të muajit të fundit. Gazeta JnK sjell më poshtë disa nga copëzat më interesante dhe kjo mund të jetë një përmbledhje e mirë për ata që nuk kanë shumë kohë të humbin me botime të gjata.

Pjesa e parë e kujtimeve dominohet nga këmbëngulja se botimi, që sado fiktiv qe ndërtuar në stilin e konfesioneve (confessions), duhej të jepte disa ligjërime krejt të qarta, pasi ishin përfundime të arritura me punë e vuajtje, e të cilat rrugë s’i dukej se ishte e arsyeshme të merren nga miliona njerëz si ajo. Duhet të nënvizohet se në asistenten e tij, shkrimtari kishte një besim të madh dhe një dashuri për kthjelltësinë e mendimit, qartësinë e shprehjes dhe sidomos shpejtësinë e argumentimit. Nga kujtimet vërehet se, megjithatë, ndonëse asistentja ia njihte kapacitetin e madh dëgjues atij, ai në fund vendimet i merrte vetë ose, më mirë, e bënte të veten. Por, të kthehemi te rrëfimi. Ajo që botimi, i cili ishte bërë i njohur shpejt për audiencën shqiptare, nuk përfshin, ka të bëjë me idenë e asistentes se shkrimtari duhet të merrte mundin (kjo i dukej shumë çliruese) t’iu tregonte miliona njerëzve, sikur ka qenë rasti i saj, të kenë pritje të vogla, ose të shohin botimet e këtilla vetëm si kënaqësi / si momente përhumbje, sesa të presin se me to dhe vetëm përmes tyre një ditë ata do të arrinin në një kuptim të vetëm e të plotë të jetës. Nga ai që këtë e dinte fare mirë, ajo kërkonte të deklaronte sikur në një gjyq, ku njeriu betohet të thotë të vërtetën, se nuk ka një çelës magjik të kuptimit, se jetës secili i jep një shpjegim të vetin ashtu sikurse tek ai mbërrihet vetëm disi vetvetiu. Sigurisht se raportimi do të ishte shumë më i plotë, po të kishim qasje edhe në anën tjetër të ngjarjes, sikur ta pyesnim autorin.

Në pjesën e dytë të kujtimeve, ka një diskutim jashtëzakonisht të gjallë e kontrovers në lidhje me plagjiaturën. Asistentja donte që shkrimtari, ky emër i madh letrash sociale, të tallej haptazi me këtë koncept që i dukej krejt i shpifur. Në një rrafsh, ajo mendonte se të gjithë autorët fundi i fundit, sillen rreth disa temave thellë të vendosura në traditën e shkrimit. Kur e shikonte problemin nga ky kënd, i dukej e mahnitshme se sa shumë është folur e prodhuar për ato tema. Thjesht, nuk mund të besonte se ç’autoritet disa emra të mëdhenj autorësh kishin pasur mbi të dhe miliona njerëz si ajo në krahasim me atë që kishin bërë në të vërtetë. Edhe më shumë, se si njerëzit ishin bindur aq forcërisht prej tyre. Në rrafshin tjetër, asistentja besonte se, po të aplikohej e njëjta masë vlerësuese, gjithçka duket plagjiaturë: mënyra se si njerëzit hanë, vishen, flasin, bëjnë qejf, punët që duan etj, e që bëhen aq ngjashëm. Nëse është e rëndësishme të përmendet, në këtë pjesë fjala ‘çliruese’ (asaj i dukej se, nëse këto gjëra thuhen, do të kishin këtë funksion) ishte përmendur mbi 150 herë.

Ndoshta pjesa e tretë është më e vështira për t’u kuptuar, ose së paku për t’u prezantuar në mënyrën e duhur. Nëse kujtimet janë kuptuar drejt, asistentja lut shkrimtarin që t’u sugjerojë troç njerëzve se ata do të dalin më të lumtur (pra edhe më të suksesshëm) nëse do të kishin pritje të vogla. Nëse arrihet deri tek një kuptim i vogël, ky në fakt do të ishte përvetësim i madh. Në këtë linjë, asistentja donte që shkrimtari t’u kërkonte njerëzve sikur ajo, të vlerësonin gjërat e vogla të krijuara, ose të realizuara nga njerëzit, sikur ishte puna e botimit në fjalë. Ajo disa herë kishte theksuar se ky konkludim i saj, që njihte nuancat mes njerëzve, nuk binte ndesh me pjesët tjera të kujtimeve. Fundja, secili edhe për nga karakteri natyror dallon. Çfarë ajo insistonte, me fjalë që s’mund të kuptohen ndryshe, ishte se njerëzit janë shumë të ngjashëm në lëmin e njohjes ose mundësisë për të, për të qenë të sunduar aq shumë nga të tjerët. Ose, për të vuajtur nga pritjet e mëdha. Në një moment (fq.79), asistentja shkruan se ‘njerëzit e rëndomtë nuk do të mund të besonin në sasinë e vogël të njohjes dhe më shumë naivitetin e përmbajtjes së letrave të emrave të mëdhenj, po të vendoseshin në një pozicion që do t’u jepte mundësinë e një vëzhgimi të tillë’. Ajo nuk ishte kundër botimeve, sepse nuk do të linte të vetin dhe s’do të bashkëpunonte me shkrimtarin, por kërkonte një vetëdijesim për to. I dukej se po të kuptohej pamundësia e dallimeve të mëdha mes individëve (ose falsiteti i dallimeve të ndjeshme), të gjithë do të jetonin më mirë. Qytetari do të kishte vendin e vet, ashtu sikur edhe merita e veprave të tij. Ndoshta edhe kjo është një utopi tjetër, kundërnatyrore. 

Vlen të përmendet se natyra personale e shkrimtarit, nëse nuk gjykojmë nga ‘jeta’ e karaktereve të tij të shumta, është e panjohur për ne, por bazuar në kujtimet e asistentes ai, përkundër gatishmërisë për të shkëmbyer, nuk preferonte të fliste krejt zhveshur, e shikonte ambiguitetin shpesh si avantazh dhe, sidomos, kishte shumë qejf t’i komplikonte gjërat e thjeshta.

Sigurisht se limonadat e tilla as nuk guxon të mendohet të na marrin shumë kohë, në krahasim me tregimet e paevitueshme politike, që këto ditë erdhën në tirazhe të mjaftueshme. Por, ja ku është, për çdo rast, nëse gjatë fundjavës keni shumë të ftohtë dhe jeni të lodhur.