Opsionet për rritjen e investimeve të diasporës në Kosovë

Shumë shpesh pyesim veten si mund diaspora, ata të cilët emigrojnë nga vendet në zhvillim, ta mbështesin zhvillimin e vendit të tyre? A duhet ata ta ndajnë rrogën e tyre me shtetin apo edhe talentet dhe aftësitë e tyre? A munden emigrantët dhe migrimi ta ndihmoj një shtet dhe ta shtyj përpara progresin e qëllimeve të zhvillimit të tij?

Gjatë 38 viteve të fundit mund të thuhet se roli i diasporës në politikat internacionale është rritur dukshëm. Nëse analizojmë politikat aktive të komuniteteve nga diaspora, sic janë: asociacionet e hebrenjëve, grekëve, kubanezëve dhe armenian-amerikanëve, mund të shohim se si ata e reprezentojnë dhe sa fuqishëm lobojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Poashtu, grupet e diasporës iraniane kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në inkurajimin e militarëve amerikan për të intervenuar në Irak në vitin 2003. Mund të themi se kjo është shumë e ngjashme, në mos e njëjta situatë me çka ka ndodhur me diasporën e Kosovës për intervenimin e Amerikës dhe Europës në luftën e vitit 1998.

Kjo na tregon se si diaspora luan një rol mjaft të rëndësishëm në politikat e një vendi. Për shembull, vendet si Izraeli dhe Armenia e konsiderojnë diasporën e tyre si shumë aktive në strategjitë politike. Vendet si India, Filipinet i gëzojnë kontributet masive që diasporat e tyre bëjnë përmes remitancave vjetore.

Ndërkohë, një studim i bërë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2013, shpjegon se 43% e familjeve kosovare kanë pjesëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, përderisa 22.4% e këtyre kanë pranuar remitanca nga familjarët e tyre gjatë vitit 2012.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës thonë se në vitin 2017 është shënuar rekord i dërgimit të parave nga diaspora në Kosovë krahasuar me vitet paraprake. Në vitin 2017, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, janë dërguar 759 milionë euro nga diaspora në Kosovës. Që nga viti 2011, remitancat janë vazhdimisht në rritje. Rënie të remitancave kishte nga viti 2008 deri në vitin 2011, vite këto kur bota ishte në krizën globale financiare.

Investimet e diasporës në Kosovë konsiderohen si investime të huaja direkte. Pra, një pjesë të investimeve të huaja e bëjnë diaspora, që tregon rolin e rëndësishëm edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Nga një anketim që është bërë për bizneset kosovare, tregon se 25% e bizneseve janë themeluar dhe kanë një mbështetje të pjesshme ose edhe të të plotë nga diaspora.

Shumë popuj, të tillë si, grekët, hebrejtë, armenët, kinezët janë kthyer në tregtarë të mëdhenj. Këta tregtarë të huaj ndonjëherë ishin politikisht të fuqishëm në vendet ku kishin migruar, por shpesh ishin të dobët të ballafaqoheshin me diskriminim ndaj tyre. Si rezultat, ata mund të bëhen një pasuri e çmuar jo vetëm për vendin e tyre të destinacionit, por gjithashtu dhe shumë e rëndësishme për vendin e tyre të origjinës.

Interesat politike dhe aktivitetet brenda diasporave nuk janë diçka e re. Studimet historike të komuniteteve emigrante tregojnë shkallë të lartë të angazhimit politik të tyre edhe 100 vjet më parë. Pesha e interesave dhe mbështetjes se diasporës shumë shpesh sjell forma të veçanta të përfaqësimit në qeveri apo ministri të cilat janë të dedikuara për diasporat. Për shembull, një ilustrim interesant mund të jetë shembulli i diasporës kroate në zgjedhjet e vitit 1990. Kroatët jashtë vendit kanë dhënë 4 milionë dollar për fushatën zgjedhore të Fanjo Tuxhmanit, dhe më pas kjo është shpërblyer më përfaqësimin e tyre në parlament, ku 12 nga 120 vende u caktuan për kroatët e diasporës. Kjo shifër e kalon atë e cila u nda për pakicat etnike të Kroacisë.

Qeveritë e shumta tani iu ofrojnë shtetasve të tyre në diasporë llogari të posaçme në valutë të huaj dhe kjo ndihmon për parat e dërguara në shtëpi, gjë që është shumë e kërkuar nga shumë vende (të zhvilluara apo jo), stimuj ose obligacione për investime jashtë vendit, dogana ose nxitje të importit, të drejta të posaçme pronësore ose qasje të privilegjuara në zona të veçanta ekonomike. Një gjë e tillë duhet të ndodh edhe me qeverinë dhe diasporën e Kosovës. Sa më shumë përkrahje dhe privilegje që i ofrohet diasporës, aq më shumë përfitime do të ketë Kosova si shtet. Mirëpo, për të mbajtur diasporën politikisht të interesuar dhe për të mbështetur rrjedhat financiare, politikanët e emigracionit shpesh përdorin solidaritet midis shtetasve të tyre. Një gjë e tillë është ilustruar në vitin 1990, kur presidenti irlandez, Mary Robinson shpalli veten udhëheqës të familjes së zgjeruar irlandeze jashtë vendit.

Edhe Kosova është një shembull i mirë për kontributin që ka dhënë gjatë viteve të ’80-ta duke angazhuar aktivist të ndryshëm në Europë si dhe Amerikë, të cilët, fillimisht kanë bërë të njohur problemet të cilat zhvilloheshin në Kosove. Poashtu duhet të ceket edhe mbështetja financiare që është dërguar gjatë viteve të ’90-ta kur popullata shqiptarë ishin të pa-punësuar. Kjo ndihmë ka qenë e dedikuar në fusha të ndryshme, por është e rëndësishme të përmendet që një investim i madh ka shkuar edhe në fushën e mjekësisë duke bërë të mundur të paktën të shpëtojnë jetën e nxënësve dhe studenteve të cilët kanë qenë të atakuar në mënyra të ndryshme.

Pra, diasporat luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e ndërtimit të kombit në vendet e varfra dhe ato kanë pësuar transformim të madh, siç janë vendet e Europës Lindore dhe ish-shtet sovjetike.

Një nga programet më të njohura është ajo e ‘UN Development Program’s Transfer of Knoëedge through Expatriate Nationals” (TOKTEN) e cila filloi në Turqi në vitet 1970 dhe tani është themeluar edhe nga 50 vende të tjera. Ky program mbështet mijëra shtetas emigrant me ekspertizë profesionale për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës dhe të punojnë për disa javë ose muaj apo edhe të qëndrojnë më gjatë.

Diasporat fuqishëm mishërojnë prirjet më të gjëra në ndryshimin e natyrës të shteteve – kombeve. Sot identifikimi kombëtar / etnik, komuniteti politik dhe vendi i banimit nuk mund automatikisht të përshtaten së bashku me kujdesin. Në vend të kësaj, emigrantët kanë lidhje të shumta edhe përmes teknologjisë moderne e cila tani ka lehtësuar çdo komunikim dhe jep më shumë mundësi që diaspora të ketë relacion më të fortë me vendin e tyre. Identitetet dhe praktikat e tyre politike lehtësisht formohen ndërmjet dhe brenda kontekstit të të dy vendeve.

Lyra Hadri ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik –Departamenti Menaxhment dhe Informatikë. Pas një eksperience të gjatë pune në Kosovë, ka vazhduar studimet post-universitare në Londër, London Metropolitan University, në fushën e psikologjisë, Psikologjia organizative dhe e konsumit (MSc.Organisational and Consumer Psychology). Për momentin punon si vullnetare ne nje organizate jo-qeveritare dhe punon si “freelancer” ne fushën e konsulences dhe “coaching” per biznese dhe individ.

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.