Një Task Forcë e Diasporës për hartimin e politikave shtetërore

Mërgata shqiptare do të duhej të trajtohet si një aset i fuqishëm për Republikën e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një Task Forcë me profesionistë të diasporës, me qëllim të hartimit të mirë të politikave qeverisëse dhe sigurimin e zbatimit të tyre në kohë reale.

Në Gjermani përafërsisht jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Mendohet se grupet e para të shqiptarëve që kanë shkuar në Gjermani janë ato të vitit 1968. Ata janë integruar duke punuar si punëtorë në profile të ndryshme, kryesisht në industri. Ndryshimet politike dhe zhvillimet në ish-Jugosllavi në vitet 80-të dhe pastaj gjatë viteve 90-ta, kanë bërë që të rritet edhe më shumë migracioni i shqiptarëve nga Kosova në Gjermani. Deri në fund të vitit 1999, numri i shqiptarëve të Kosovës në Gjermani ishte rreth 480 mijë, ndërsa rreth 100 mijë ishin kthyer vullnetarisht pas luftës në Kosovë, apo ishin dëbuar me forcë nga Gjermania.

Largimi nga Kosova nuk ka përfunduar

Ky numër ndryshon çdo herë, sepse edhe sot kërkesa e shqiptarëve për t’u larguar nga Kosova është e madhe, sidomos e atyre që kërkojnë të shkojnë në Gjermani kryesisht për punësim, por ka edhe azilkërkues. Sipas të dhënave zyrtare rreth 2 mijë e 500 persona nga Kosova kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të botës, vetëm në pjesën e parë të vitit 2018. Qindra të tjerë presin vazhdimisht para ambasadave në Prishtinë, në përpjekje për të marrë një vizë, duke marrë parasysh që vendi jonë është i izoluar, dhe qytetarët tanë duhet të presin me muaj të tëra edhe nëse qëllimi i tyre është vizitë turistike.

Shkaktarë të kësaj situate janë gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia me shkallë të lartë në Kosovë, por edhe politikat joadekuate qeverisëse, në raport me nevojat e shtetit dhe të qytetarëve. Kjo gjendje është trashëguar për disa vjet, edhe pse janë bërë 19 vjet të përfundimit të luftës dhe mbi 10 vjet të pavarësisë së Kosovës.

Mërgimtarët shqiptarë kanë dhënë kontributet e tyre për Kosovën në të gjitha kohërat. Ata po vazhdojnë të dërgojnë edhe më tutje remitenca. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vitin e kaluar (2017), remitencat kanë arritur vlerën prej 760 milionë euro. Në qoftë se bëhet një llogaritje mesatare për shkallën e remitencës që kanë hyrë në Kosovë që 19 vjet pas luftës, atëherë ajo del të jetë rreth 15 miliardë euro, sa buxheti i Kosovës për gati 10 vjet. Mirëpo sa në fakt kanë ndihmuar remitencat në zhvillimin e Kosovës? Apo a kanë ndikuar ato që një pjesë e Kosovës të mbetet e varur socialisht nga mërgimtarët?

Pavarësisht kontributeve të tyre në Kosovë, shumë shqiptarë në mërgim kanë arritur të ndërtojnë biznese të suksesshme në vendet ku punojnë. Në Gjermani ka disa shqiptarë që tashmë janë emra të njohur për tregun gjerman dhe atë evropian. Unioni i Bizneseve Shqiptare – Gjermane, që prej themelimit, po vazhdon të identifikojë bizneset e suksesshme shqiptare në Gjermani dhe jo vetëm. Suksesi i tyre nuk do të mund të arrihej në qoftë se nuk do të kishte ide të shkëlqyeshme për zhvillimin e biznesit dhe që të zbatonin në përpikëri ligjet dhe rregullativat ligjore të qeverisë gjermane. Mendoj që diciplina e shqiptarëve mërgimtarë ndaj ligjit dhe shtetit ka ndikuar edhe që qeveria gjermane të ofrojë mbështetje për Kosovën në ditët më kritike të saj. Qeveria gjermane dhe shumë organizata gjermane kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e Kosovës edhe sot.

Kosova ka hartuar dhe ka miratuar ligje në harmoni të plotë me vendet e Bashkimit Evropian, por fatkeqësia është që pikërisht këto ligje nuk zbatohen për shkak të shumë parregullësive dhe shumë faktorëve. Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të ndërtojnë besimin e qytetarëve, përkundrazi, ato e kanë thelluar krizën, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë paralizuar funksionimin normal të shtetit.

Në shumë vende të zhvilluara, shqiptarët bëjnë një jetë dinamike, duke qenë mirë të organizuar në kohë dhe në punë, si dhe duke arritur shkallën e arsimimit të nevojshëm për profile që iu kërkohen, sidomos në mesin e gjeneratave të reja në mërgim. Në këtë formë, ata janë lobuesit më të mirë për gjendjen dhe nevojat e popullit të Kosovës.

Diaspora, urë e miqësisë së Kosovës me shtetet tjera

Prandaj, ka ardhur koha që Kosova të ndryshojë qasjen ndaj pjesëtarëve të diasporës. Përmes tyre, ajo do të forcojë marrëdhëniet me vendet tjera, në interes të qytetarëve. Edhe pse kohëve të fundit ka një komunikim më të mirë të institucioneve të Kosovës me përfaqësues të diasporës, edhe pse ende mungon një strategjie e qartë dhe e qëndrueshme qeveritare për angazhimin e diasporës përtej remitencave, dhe për këtë ky komunikim do të duhet të zgjerohet dhe të plotësohet me plane konkrete të zhvillimit.

Diaspora shqiptare ka qenë dhe është e gatshme të mobilizohet në çdo kohë, në të gjitha nevojat dhe emërgjencat që janë shfaqur. Në të gjitha ngjarjet me rëndësi për kombin, mërgimtarët shqiptarë kanë reaguar të parët. Prandaj, ata janë të gatshëm të ndihmojnë me zgjidhjen e krizës ekonomike dhe politike që pastaj të krijohen mundësi të reja për qytetarët e Kosovës. Intelektualë nga diaspora janë kuadro me interes për të ndihmuar qeverinë e Kosovës në bërjen e politikave qeverisëse, sidomos ato në raportin Kosovë-Mërgatë. Avancimi i këtij raporti është shumë më interes tani kur Kosova pritet të marrë liberalizimin e vizave. Kosova duhet të krijojë një sistem identifikues për të gjithë njerëzit që ka aktualisht jashtë vendit, në mënyrë që të sigurojë lëvizjen e saktë në hyrje dhe dalje pas liberalizimit të vizave. Kështu, Kosova do të mund të ishte me imazh më të mirë dhe më korrekte në përmbushjen e standardeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian.

Deri tani mërgata shqiptare nuk ka qenë e përfshirë në hartimin e politikave qeverisëse në Kosovë, që do të ndihmonin në zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës. Kjo përfshirje do të ndihmonte edhe komunikimin më të mirë të Kosovës dhe vendeve tjera, në këtë rast të Gjermanisë, për të realizuar investime në fusha të ndryshme. Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë pjesëtarët e diasporës si një ASET të rëndësishëm dhe me shumë interes. Mërgimtarë shqiptarë të bërë bashkë në një strukturë intelektuale nga profile të ndryshme, do të mund të formojnë një Task Forcë, e cila do të shtynte shumë procese përpara. Atyre do të duhej t’iu krijohej hapësirë e veçantë gjatë hartimit të politikave në mënyrë që të përfshihen sa më drejtë dhe që pastaj përmes një Plani të Veprimit me objektiva të përcaktuara, të duket performanca e tyre.

Në këtë rast Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike po harton një projektligj të ri, ku do të përfshihen edhe investimet strategjike në Kosovë. Një ndër segmentet kryesore që lejon ai ligj është hapësira për projektet nga sektorët prioritarë të zhvillimit, të cilët i kontribuojnë rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja. Kjo do të çonte në rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës, rritjes së eksportit dhe zvogëlimit të deficitit tregtar dhe që përgjithësisht ndikojnë në rritjen e mirëqenies dhe të kushteve të jetesës së qytetarëve të Kosovës.

Kosova ka shumë resurse ku do të mund të investohet dhe të kthehet investimi në përfitim, në një periudhë të shkurtër. Kosova ka nevojë për sistem ndryshe të arsimit dhe edukimit, për një qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit, për një ekonomi dhe treg konkurrues, për një vëmendje të re ndaj resurseve në miniera dhe në energjetikë, për një rishikim të sipërfaqes bujqësore dhe investime të qëndrueshme në të, për resurset ujore dhe sipërfaqet pyjore, për një industri të planifikuar, për një sistem të ri dhe të qëndrueshëm shtetëror. Të gjitha këto fusha janë mundësi e hapur për investime. Për secilën fushë do të mund të hartohen plane për investime strategjike, të cilat do të mund të realizohen mirë. Diaspora shqiptare ka përvojë të suksesshme në të gjitha fushat e përmendura. Përfaqësues të saj, mund të sjellin edhe ekspertë të huaj që studiojnë planin e investimeve në detaje. Prandaj, përfshirja e intelektualëve shqiptarë nga diaspora në hartimin e politikave qeverisëse dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre në Kosovë, do të çonte në shfrytëzimin më të mirë të resurseve njerëzore dhe materiale që ka vendi ynë.

Institucionet e Kosovës, me shpejtësinë më të madhe, duhet të krijojnë një Këshill të përbashkët me intelektualë të diasporës, një strukturë e fortë, që do të mund të identifikonte dhe të përcillte çdo zhvillim, duke nisur nga pozitat në administratë, e cila nuk funksion ende mirë, e deri te punëtorët e krahut.

Shërbimi diplomatik i Kosovës duhet të jetë më azhur, që të përcjellë me vëmendje të veçantë edhe mundësinë e zgjerimit të rrjetit të intelektualëve shqiptarë që jetojnë në vende të tjera .

Njëkohësisht, mëgimtarët mund të mobilizohen mirë në vendet ku jetojnë. Për shembull, në vend të remitencave që vazhdojnë të dërgojnë në Kosovë çdo vit, do të mund të organizojnë më mirë atë ndihmë, duke e shndërruar në një Fond të mërgatës . Ai fond do të grumbullohej dhe do të sigurohej për investime në Kosovë. Nga ato investime do të siguroheshin vende pune për të rinj dhe rrjedhimisht do të ndalohej, apo do të zvogëlohej migrimi nga Kosova!

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.

Bekim Brestovci – është me profesion jurist dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare-ekonomike dhe drejtor ekzekutiv i Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane.