Sipas raportit të ASK dhe UNFPA, Kosova do të ketë rënie të numrit të banorëve – Foto: Rtv21

Normat sociale dhe fuqia e tyre për të ndërtuar shoqëri pa dhunë

Normat sociale janë “ligje të pashkruara” që drejtojnë sjelljen e njerëzve në një kontekst a  mjedis shoqëror. Ato na mundësojnë të parashikojmë sjelljen e të tjerëve, të kuptojmë veprimet e tjerëve dhe sigurojnë rend në marrëdhëniet shoqërore. Normat shoqërore janë funksionale në rregullimin e jetës shoqërore, ato zhvillohen sidomos kur veprimet individuale shkaktojnë efekte anësore negative për të tjerët (Coleman, 1990). Në këto raste, normat shoqërore shërbejnë në funksion të përmbysjes së impulseve egoiste në favor të rezultateve kolektive (Biel et al., 1999). Normat shoqërore nënkuptojnë që njerëzit duhet të kryejnë një sjellje të këshilluar apo të mos kryejnë një sjellje të ndaluar.

Normat shoqërore themelohen mbi parimet e “të vërtetës lokale”. Pjesëtarët e një komuniteti ndajnë një “të vërtetë” të përbashkët për disa çështje. Pa këtë parakusht nuk mund të ketë norma sociale që respektohen nga anëtarët e grupit. Për shembull, një bashkësi njerëzish e percepton si të vërtetë pohimin se “gruaja është qenie inferiore në raport me burrin”. Duke pasur konsensus rreth kësaj të “vërtete” ata mirëmbajnë normën se burri ka të drejtë t’i mohojë gruas disa të drejta, të ketë përparësi në marrjen e disa vendimeve apo të ushtrojë forcë fizike mbi të për ta rivënë në “rrugën e drejtë”. “E vërteta” e veçantë, ajo e komunitetit, ajo që s’ka nevojë për testim është e lidhur ngushtë me “moralin” e bashkësisë, i cili, po ashtu, shërben si themeli mbi të cilën ngjizen dhe pleksen normat shoqërore.

Grupet shoqërore themelojnë rregulla dhe i vendosin ato në qendër të marrëdhënieve midis anëtarëve të tyre. Normat shërbejnë si strumbullar ku kryqëzohen fijet që lidhin dhe mbajnë një bashkësi njerëzish. Zakonisht rregullat kanë si nevojë për të frenuar një problem apo për të rregulluar një çështje. Me kalimin e kohës problemi për të cilin është thirrur norma mund të tretet,por norma brumoset në kodin zakonor të shoqërisë duke u bartur nga brezi në brez. Norma tashmë mund të ketë humbur dobishmërinë, ajo nuk shërben praktikisht asgjë, megjithatë vazhdon të mbrohet me fanatizëm nga pjesëtarët e grupit. Disa norma janë beninje, rregullojnë raportet njerëzore, nxisin mirëkuptimin, tolerancën, solidaritetin midis anëtarëve. Por, ka edhe norma që iu ka dalë afati, që iu ka humbur efektiviteti, që janë shndërruar në dogma, janë bërë arkaike, që janë mbetje të një epoke patriarkale. Të parat, mund të modelohen dhe të gjejnë vend në legjislacionin e shtetit, duke u mbështjellë me ambalazh institucional. Të dytat, lulëzojnë në kushtet e injorancës, mungesës së informacionit apo varfërisë ekonomike dhe kulturore. Ato priren të jenë anti-institucionale, anti-etatiste, kundërqendërzuese. Të parat ka gjasë të minimizojnë dhunën, të dytat e nxisin, ose së paku, e miratojnë atë. Të parat i ndihmojnë shtetit, të dytat rivalizojnë me të për pushtet. Por a kanë fuqi normat shoqërore të konstruktojnë një shoqëri që nuk i lë dhunës vend në gjirin e saj?!

Për disa, shoqëria pa dhunë është një ideal, për disa të tjerë një kauzë që duhet ndjekur, për disa një utopi të cilës duhet t’i ofrohemi, për disa iluzion që duhet braktisur, për të tjerë një motor që vë në lëvizje historinë. Në fakt historia njerëzore nuk është vetëm një tren ngjarjesh të dhunshme që pikturohet nga imazhe vrasjesh, masakrash, luftërash që i kanë dhënë formë botës tonë, por është edhe një zinxhir përpjekjesh të vazhdueshme për të përvijuar konturet e një shoqërie ku dhuna do të bëhej e panevojshme. Lista e atyre që tentuan të themelojnë pamfletin e “parajsës në tokë” është e gjatë, sa ne sot nuk ia rrokim dot fillin. E fundit ndër narracionet e mëdha që skicoi parimet e një “shoqërie ideale” ishte marksizmi. Kjo ideologji vazhdon të ngacmojë ende mendjet e disa “arkitektëve të shoqërisë”, por fuqia e saj për të marrë drejtimin e një procesi revolucionar duket e zbehtë. Madje, ai u diskreditua nga një varg diktaturash vrastare që pretendonin se kishin marksizmin si ideologji të tyren. Përveç kësaj, edhe kur e thërrasin në ndihmë, marksizmi na vjen i ndryshëm nga ai origjinari sepse edhe lentat tona nuk janë më ato të shekujve që lamë pas. Prandaj, duket sikur i kemi braktisur përpjekjet për të gjetur ligjet shoqërore gjenerale që shpjegojnë gjithçka.

Megjithatë, “e vërteta” është konstrukt social, është bijë e kohës, produkt i rrethanave, ajo është subjektive, është e ndryshueshme dhe e përkohshme. E vërteta krijohet dhe perceptohet nën ndikimin e kushteve materiale, duke marrë pamje të ndryshme në kultura të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. “Të vërtetat” e kosovarëve shpesh gjenerojnë norma shoqërore të tilla që e miratojnë dhunën, sidomos dhunën si mjet “edukimi” i fëmijëve dhe dhunën ndaj gruas si “larje e fytyrës”. Ne përgjithësisht kemi brendësuar modelet e dhunës pothuaj në të gjitha strukturat. Jemi rritur në një ambient që shtyt dhunën dhe e ofron atë si ‘mjet’ për të zgjidhur probleme. Fëmijët në shoqërinë tonë shpesh janë rrahur sa herë kanë prekur dekorin e vendosur mbi tavolinë, janë qortuar kur kanë guxuar të bëjnë pyetje për të cilat prindërit nuk ishin të përgatitur të përgjigjeshin, dhe janë poshtëruar kur nuk kanë bërë detyrat në shkollë. Kjo fatkeqësisht vazhdon të ndodh edhe sot. Shumë njerëz në Kosovë dhunën e kanë pjesë të karakterit, veti të personalitetit, të introjektuar nga modele dhe norma shoqërore që nuk i janë nënshtruar një procesi të rishqyrtimit, rivlerësimit. Familja, si agjente direkte e shoqërisë, shpesh është udhëhequr e vazhdon të udhëhiqet nga norma që kultivojnë dhunën. Tashmë dhuna është sistemuar brenda fjalorit tonë të përditshëm. Duke zënë vend brenda gjuhës si të tillë, dhuna bëhet pjesë e qenies, e drejton atë dhe redukton nga një subjekt që mendon në një objekt që vepron. Fjalori përditshëm kosovarit përmban numër alarmant të shprehjeve që përshkruajnë dhunën. “Ta thyej kryet”, “ulu se të rraha”, “mos e prek se u çova (me të rrehë), “unë ja shqyej gojën”, “stupci ka dalë prej xheneti”, “gruaja edhe veza sa ma shumë rrehen aq më të mira bëhen”, “të kalli”, “të prej” “ të mbys” “të furë” janë vetëm disa nga fjalët që i stërpërsërisim çdo ditë, para çdokujt. Kështu ne trasojmë rrugën dhe vendosim kufijtë brena të cilëve do të zhvillohen fëmijët tanë. Madje, ka evidencë që mbështet pretendimin se edhe fëmijët janë autorë të dhunës, sidomos kundër fëmijëve tjerë.

Hulumtimet evidentojnë se dhuna në Kosovë është një fenomen shqetësues. Në vitet e fundit, është shfaqur nevoja për të analizuar normat shoqërore. Kjo për shkak se  dhuna është një fenomen kompleks për të cilin asnjë faktor nuk mund të mbahet përgjegjës. Përkundrazi, ajo është parë si një kombinim i faktorëve të ndryshëm që bashkëveprojnë brenda niveleve të ndryshme të shoqërisë. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës, gjë që rrit shanset që ata të modelojnë sjellje agresive. 75,6 % e nxënësve raportojnë të kenë qenë dëshmitarë në situata kur dikush është goditur ose është qëlluar (Save Children, 2005). Në një hulumtim të kryer nga UNICEF-i del se forma e dhunës fizike e raportuar më shpesh ishte dhuna e fëmijës ndaj fëmijës. Një numër alarmant fëmijësh raportuan shembuj të presionit nga bashkëmoshatarët. Rezultatet e intervistave të fëmijëve zbuluan se thuajse gjysma e fëmijëve të intervistuar (48%) raportonin se ishin viktima të dhunës fizike nga dora e fëmijëve të tjerë.

Fëmijët kanë nevojë të ndihen të rëndësishëm dhe të kenë ndikim mbi vendimet që merren për ta. Sipas një hulumtimi të Save Children (2005) del se fëmijët kosovarë shprehen të pakënaqur me hapësirën që iu jepet në vendimmarrje lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ta. Gjithnjë duke u mbështetur në këtë hulumtim, 86,4% e fëmijëve raportojnë se do të donin që mendimet e të kishin më shumë peshë në vendimet që merren për ta.

Dhuna ndaj fëmijëve

Ndëshkimi trupor i fëmijëve ka qenë një praktikë gjerësisht e përhapur e cila është përdorur si “mjet edukimi” në familje dhe në shkollë. Çështja nëse kjo metodë është e drejtë dhe efektive ka nxitur debate dhe ka shtruar nevojën për hulumtime. Kosova i është bashkuar një liste të gjatë të vendeve të cilat synojnë të zhvillojnë dhe miratojnë politika ose ligje që frenojnë ose ndalojnë përdorimin e ndëshkimit trupor si mjet disiplinimi. Megjithatë, ligji kërkon njerëz për ta zbatuar.

Lidhja midis ndëshkimit trupor të fëmijëve agresivitetit është një nga gjetjet më të studiuara dhe nga çështjet më të debatuara në fushën e edukimit (Coie & Dodge, 1998; Steinmetz, 1979). Hulumtime të shumta kanë gjetur se ndëshkimi trupor është i lidhur sjelljen agresive (Becker, 1964; Patterson, 1982; Radke- Yarrow, Campbell, & Burton, 1968; Steinmetz, 1979). Literatura evidenton se i dhunuari i sotëm është dhunuesi i së nesërmes,  pasi që sjellja agresive modelohet (p.sh. Aronfreed, 1969; Bandura &Ëalters, 1959; Eron, Walder, & Lefkoëitz, 1971; Walters & Grusec, 1977); promovon atributet armiqësore, të cilat parashikojnë sjellje të dhunshme (Dodge, Pettit, McClaskey, Brown, 1986); dhe inicion cikle shtrënguese të sjelljeve të padëshirueshme midis prindit dhe fëmijës (Dishion & Patterson, 1999, Patterson, Reid, & Dishion, 1992). Përvojat e hershme me ndëshkimin trupor mund të modelojnë dhe legjitimojnë shumë lloje të dhunës gjatë gjithë jetës së individit. Në një studim longitudinal, Cohen, Brook, Cohen, Velez, dhe Garcia (1990)zbuluan se përdorimi nga ana e prindërve i ndëshkimit trupor në fëmijëri ishte parashikuesi më i fortë i agresionit të adoleshentëve 8 vite më vonë.

Pavarësisht se rrahja e nxënësve/fëmijëve është e kundërligjshme, kjo nuk ka ndaluar prindërit/mësuesit të përpiqen ta përdorin atë në përpjekje për të vënë gjërat në vijë. Praktikisht, Kosova ndodhet në një situatë kur adetet shoqërore tregohen më kokëforta se ligjet institucionale, duke triumfuar mbi to. Një studim tjetër rezultoi se gjysma e fëmijëve të moshës 12-18 vjeç që u intervistuan, raportuan se kanë përjetuar dhunë fizike nga një anëtar i familjes të paktën një herë. Pothuajse 15% raportuan se kanë përjetuar dhunë psikologjike të ushtruar nga një anëtar i familjes dhe 1% raportuan se kanë përjetuar ngacmim seksual nga një anëtar i familjes (UNICEF, 2013).

Pavarësisht kësaj, fëmijët vazhdojnë ta ndjejnë familjen si një mbrojtëse dhe shtëpinë si një vend të sigurt. Hulumtimi i Save Children (2005) ka gjetur se 96,3 % e fëmijëve të anketuar raportojnë se ndjehen të sigurt kur janë në shtëpi, ndërsa kjo shifër është diçka më e ulët për sa i përket klasës, ku 81,1 % e fëmijëve ndjehen të sigurt. Megjithatë, përtej shifrave, duhet të mbahet parasysh se fëmijët raportojnë siguri për ato vende ku ka një autoritet. Njëjtë sikur një gjendje anarkike ngjall më shumë pasiguri se sa një sistem politik çfarë doqoftë. Pra, problemi i fëmijëve që i ekspozohen ndëshkimit fizik nga prindërit dhe mësuesit mbetet i hapur. Norma shoqërore në Kosovë instalojnë një mënyrë të menduari sipas së cilës rrahja e fëmijës nga prindi nuk ka lidhje me pasigurinë, pasi që “kush të rrahë, të do”.

Megjithëse hulumtimet ofrojnë të dhëna që tregojnë se dhuna ka efekte negative në zhvillimin psikologjik të fëmijëve, morali i normuar shoqëror e sanksionon fëmijën si “pronë” të prindërve. Duke i dhënë ambalazhin e virtytit mos përzierjes në punët familjare të tjetrit, shoqëria pothuajse e kthen fëmijën në “homo sacer”, d. t.th në një qenie tek e cila nuk arrin të depërtojë ligji. Në këto rrethana, “edukimi” i fëmijëve kërkohet nëpërmjet ndëshkimit trupor ose emocional, ndërkohë që raportimi i rasteve mbetet diçka e rrallë. Presioni moral bie mbi ata që tentojnë ta bëjnë “edukimin” e fëmijëve çështje shoqërore. Pra, shoqëria i gdhendë problemet duke ushtruar një presion moral, të padukshëm, mbi individët që kryejnë sjellje të cilat ajo i mendon si të gabuara apo të denja për përçmim. Kosovarët e djegin moralisht dikë nëse raporton në polici rastin kur fqinji ndëshkon fëmijën e tij.

Normat shoqërore dhe mënyra se si përjetojmë moralin janë faktorët kryesorë që e farkëtojnë personalitetin e individit dhe modelojnë sjelljet njerëzore, përfshirë edhe ato agresive. Problemi kryesor i kosovarëve është mënyra si e konceptojnë moralin. Ata moralin e përjetojnë ngushtë, vetëm deri në kufijtë e afërsisë personale/shoqërore, pa arritur ta derdhin veten morale në një kallëp më të gjerë, siç është kombi/shteti. Prandaj, edhe kur bëhemi dëshmitarë të dhunës ndaj fëmijëve ne nuk ndjejmë obligim të ndërhyjmë. Ajo është ‘punë e huaja’, sikur që është puna e jona ajo se si silleni ne me familjarët tanë.

Rivlerësimi i normave është i domosdoshëm për çdo shoqëri që tenton të bëjë hapa drejt progresit. Shoqërisë kosovare i duhet një rishqyrtim i “të vërtetave” të saj. Nën dritën e të dhënave të reja dhe nën ndikimin e kushteve të reja materiale ky proces bëhet më i lehtë. Shkolla është institucioni kryesor që mund të aftësojë shoqërinë të lëvizë përtej zonës së rehatisë dhe të zhvlerësojë “të vërtetat” që nuk i rezistojnë rigorozitetin të provës dhe argumentit. Jo shkollës kosovare, e cila ka degraduar dhe nuk përmbush as për së afërmi rolin për të cilin është e thirrur, por shkollës si institucion ku edukohen qytetarët. Prandaj, reformimi i sistemit arsimor përbën hapin e parë në një zinxhir përpjekjesh që shënon procesin e kalimit nga një shoqëri fisnore e “para-politike” në një shoqëri politike e liberale, nga një shoqëri që çimenton normat për t’i kthyer në dogma në një shoqëri që i vendos normat në funksion të reduktimit të dhunës.

Autorja është psikologe