Milorad Ulemek - Legija

Kryengritje, vrasje dhe një komplot politik serb

Vendimi për lirimin nga akuzat në gjyqin për kryengritje të oficerëve të Njësisë së Operacioneve Speciale të sigurimit të shtetit në Serbi, të cilët vranë gjithashtu kryeministrin Zoran Djindjiç, i jep fund mundësisë që sfondi politik i këtyre krimeve të ndërlidhura të dalë më në fund në dritë.

Gjykata e Lartë në Beograd të premten liroi nga akuzat shtatë ish-anëtarë të Njësisë së Operacioneve Speciale të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, JSO, për organizimin e një kryengritjeje të armatosur në nëntor të vitit 2001.

Ky vendim i jep fund të gjitha gjasave tashmë të pakta që mbështetësit politikë të kryengritjes – që ishte një prelud i vrasjes së kryeministrit serb Zoran Djindjiç dy vjet më vonë nga të njëjtët burra që udhëhoqën kryengritjen e JSO-së – do të hetohen ndonjëherë për rolin e tyre në të dy krimet.

Midis burrave të liruar nga akuzat ishin Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si Legija, dhe Zvezdan Jovanoviç, të dy ish-udhëheqës të JSO-së, të cilët tashmë janë dënuar me 40 vjet burg për vrasjen e Djindjiçit.

Kryengritje dhe kapitullim

JSO u krijua zyrtarisht në vitin 1996, por shumë prej anëtarëve të saj ishin aktiv që nga viti 1991, duke marrë pjesë në luftën në Bosnje dhe Kroaci si pjesë e grupeve që mbanin emra të ndryshëm, si dhe duke shërbyer në njësitë paraushtarake dhe duke u bërë të njohur për aktet e tyre sadiste e mizoritë.

Anëtarët e JSO-së dalloheshin nga luftëtarët e njësive të tjera serbe nga kapelet e tyre karakteristike – një beretë e kuqe – duke u dhënë kështu atyre emrin jozyrtar nën të cilin ata janë më të njohur midis publikut të gjerë, “Beretat e Kuqe”.

Shumica e këtyre burrave nuk gjykuan asnjëherë për krimet që dyshohet se kryen në Bosnje, Kroaci apo Kosovë, ku për herë të parë luftuan si JSO-ja.

Në qershor 2001, qeveria e Djindjiç ekstradoi ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviç në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, dhe më pas në nëntor prezantoi një kod të procedurës penale që lejonte ekstradimin e shtetasve jugosllavë në gjykatë.

Kundërshtarët politikë të Djindjiçit, më së shumti presidenti jugosllav Vojisllav Koshtunica dhe Partia e tij Demokratike e Serbisë, Vojisllav Shesheli dhe Aleksandër Vuçiç nga Partia Radikale Serbe, së bashku me shumë të tjerë, kundërshtuan legjislacionin dhe drejtuan një fushatë toksike mediatike kundër Djindjiçit dhe bashkëpunimit me ICTY-në, duke e quajtur atë, siç e quajti vetë Millosheviçi, një “gjykatë anti-serbe”.

Në nëntor 2001, sapo legjislacioni hyri në fuqi, anëtarët e JSO-së Predrag dhe Nenad Banoviç u ekstraduan në ICTY. Predrag Banoviç u deklarua fajtor për akuzat për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992 dhe u dënua me tetë vjet burg. Nenad Banoviç megjithatë u lirua nga paraburgimi i ICTY-së në vitin 2002 pasi prokuroria rrëzoi akuzat për të njëjtat krime lufte.

Pas arrestimit dhe ekstradimit të vëllezërve Banoviç, anëtarët e JSO-së që druheshin nga ndjekje të tjera penale në ICTY organizuan një kryengritje të armatosur në Beograd në bashkëpunim me krerët e bandës më të madhe kriminale në atë kohë në Serbi, Klani i Zemunit.

Kryengritësit e JSO-së nuk iu bindën eprorëve të tyre, ndaluan marrjen e urdhrave dhe shkëputën kontaktet me qeverinë dhe botën e jashtme nga 9 nëntori deri më 17 nëntor.

Në një moment, anëtarët e armatosur të JSO-së me 24 automjete luftarake Hummer bllokuan një pjesë të autostradës që kalon nëpër Beograd.

Kërkesat e tyre ishin politike. Duke kërcënuar përdorimin e forcës, ata thanë se nuk do të merrnin pjesë në operacionet e arrestimit të ICTY-së pa miratimin e legjislacionit të ri dhe kërkuan zëvendësimin e ministrit të brendshëm së bashku me kreun dhe nënkryetarin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror.

Në atë kohë, kërkesa të njëjta politike u parashtruan nga presidenti i atëhershëm Vojisllav Koshtunica dhe Partia e tij Demokratike e Serbisë.

Koshtunica, i cili ishte përgjegjës për forcat e armatosura dhe për këtë arsye ishte i vetmi që mund të kishte shtypur kryengritjen, e mbështeti publikisht atë në vend që ta ndalonte, duke e krahasuar atë me një “grevë të mjekëve”.

Duke mos pasur forca me të cilat mund të luftonte, Djindjiç nuk kishte zgjidhje përveçse të plotësonte pjesërisht kërkesat e JSO-së dhe partisë së Koshtunicës dhe t’i vendoste aleatët e tyre në poste të larta në agjencitë e sigurimit shtetëror.

Anëtarët e JSO-së e ndërprenë “protestën” e tyre sapo njerëz pranë tyre, Andreja Saviç dhe Milorad Bracanoviç, u njoftuan si liderë të rinj të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë të Serbisë.

Bracanoviç kishte lidhje të ngushta me liderin e JSO-së Legija dhe me Klanin kriminel Zemun, anëtarësimi i të cilit u mbivendos me JSO-në dhe mbetjet e tjera nga aparati i pushtetit i Millosheviçit.

Ndërkohë, Koshtunica dhe partia e tij e përdorën kryengritjen e JSO-së për të përforcuar axhendën e tyre politike, pasi ata donin të arrinin të njëjtat qëllime politike – të cilat ishin të mos lejonin që Djindjiç të vazhdonte me reformat që qeveria e tij sapo kishte filluar të ndërmerrte.

Politikë dhe vrasje

Me qëllim fillimin e luftimit të krimit të organizuar, figurat e larta të të cilit ishin të lidhura ngushtë me JSO-në, qeveria serbe filloi përgatitjen e një sërë ligjesh në vitin 2002 për të krijuar një Gjykatë të re Speciale, Prokurori Speciale dhe një kuadër ligjor për dëshmitarët e mbrojtur.

Në janar 2003, qeveria zbuloi se anëtarët e Klanit Zemun po merrnin informacione të klasifikuara rreth planeve të saj për të luftuar krimin e organizuar për shkak të rrjedhjeve të vazhdueshme nga Agjencia Informative e Sigurisë. Kjo bëri që Djindjiç të zëvendësonte krerët e sigurimit që qe i detyruar t’i emëronte pas kryengritjes.

Në të njëjtën kohë, Djindjiç njoftoi gjithashtu bisedimet rreth statusit të Kosovës, gjë që bëri që armiqtë e tij ta portretizonin atë më tej si tradhtar dhe Jugosllavia pushoi së ekzistuari, duke u bërë një bashkim shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi, duke e lënë Koshtunicën pa presidencën jugosllave dhe partinë e tij pa pushtet politik.

Në mars të vitit 2003, mes kësaj vorbulle ngjarjesh politike, Djindjiç u vra nga anëtarët e klanit të Zemunit dhe JSO-ja, të cilët donin që – siç pranuan më vonë vrasësit – të provokonin kaos në vend duke vrarë kryeministrin dhe duke ngjitur në pushtet “forcat patriotike” .

Menjëherë pas vrasjes së Djindjiçit, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë deklaruan gjendjen e jashtëzakonshme, shpërbënë njësinë dhe nisën një operacion policor që pjesërisht e spastroi Serbinë nga kriminelët dhe zbuloi vrasësit e Djindjiçit dhe rrjetin që komplotoi vrasjen e tij.

Gjatë viteve që pasuan, vrasësit u gjykuan dhe u dënuan. Anëtarët e JSO-së u gjetën se kishin komplotuar për të kryer vrasjen me ndihmën e Klanit Zemun dhe Milorad Ulemekut, i njohur ndryshe si “Legija”, ish-komandanti i JSO-së, u shpall fajtor për organizimin e grupit që komplotoi për të vrarë Djindjiçin.

Zvezdan Jovanoviç, i cili ishte në shërbim aktiv me njësinë në kohën e vrasjes, u shpall fajtor për shkrepjen e armës që vrau kryeministrin serb. Ulemeku dhe Jovanoviçi aktualisht po vuajnë dënime me nga 40 vjet burg.

Megjithatë, pavarësisht nga sukseset e shumta, operacioni nuk mund të parandalonte të pashmangshmen – një numër i pasuesve të Djindjiçit, së bashku me armiqtë e tij politik, morën postet më të rëndësishme politike në vend menjëherë pas vdekjes së tij, duke kthyer mbrapa orën dhe duke mbrojtur ata që mbështetën vrasësit e tij.

Pyetje pa përgjigje

Në vitet pas vrasjes së Djindjiçit, familja, miqtë, disa nga bashkëpunëtorët e tij, mediat dhe BE-ja kanë kërkuar një hetim mbi sfondin politik të vrasjes.

I ndjeri Srdja Popoviç, përfaqësuesi ligjor i familjes së Djindjiçit gjatë gjykimit të vrasësve të tij, paraqiti propozime të shumta që do të kishin hedhur dritë mbi këtë sfond politik dhe zyrtarisht propozoi zgjerimin e aktakuzës për të hetuar ngjarjet që rrethojnë kryengritjen e JSO-së dhe personat e përfshirë në të.

Në vitin 2010, Popoviç paraqiti një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Koshtunicës dhe tetë bashkëpunëtorëve të tjerë të akuzuar, duke i akuzuar ata për përfshirje në kryengritjen e JSO-së.

Propozimet e Popoviçit nuk u morën kurrë seriozisht, edhe pse filloi një hetim dhe rezultoi në padinë e vitit 2012 për kryengritjen e JSO-së – e cila, megjithatë, akuzoi vetëm të njëjtët persona që tashmë ishin gjykuar për vrasjen.

Në vitin 2014, një letër dërguar një letre dërguar Komisionit Europian nga eurodeputetët Jelko Kacin, Arnaud Danjean, Maria Eleni Koppa dhe Marije Cornelissen thoshte se Serbia duhet të zbulojë lidhjet politike të vrasjes së Djindjiçit si një parakusht për anëtarësimin në BE.

Më vonë të njëjtin vit, Komisioni u përgjigj duke deklaruar se zbulimi i sfondit të atentatit nuk do të ishte një kusht i drejtpërdrejtë për negociata të suksesshme, por do të ndihmonte në përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit.

Megjithatë, asnjë gjykatë nuk ka eksploruar lidhjen mes kryengritjes së armatosur të anëtarëve të JSO-së në 2001 dhe vrasjes së Djindjiçit në vitin 2003, pavarësisht faktit se edhe kryengritja edhe vrasja u kryen nga të njëjtët persona dhe me të njëjtat synime politike – për të ndaluar qeverinë “tradhtare” të Djindjiçit nga bashkëpunimi me ICTY-në, të ndalonte luftën kundër krimit të organizuar dhe t’i rikthente fuqinë politike ultranacionalistëve, të cilët, ndër të tjera, do të mbronin të akuzuarit për krime lufte përpara gjykatës së OKB-së dhe gjykatave vendase.

Shtatë anëtarët e JSO-së mund të jenë liruar nga akuzat për kryengritjen, por të paktën fajësia e tyre tashmë është vendosur për vrasjen e Djindjiçit.

Por ata që frymëzuan, mbështetën dhe ndihmuan vrasësit do të mbeten të sigurt në hije dhe ndoshta nuk do të përballen kurrë me drejtësinë për mbështetjen e tyre për kryengritjen e JSO-së, e cila ishte një gur themeli i komplotit për të vrarë Djindjiçin.

Edhe pse prokuroria mund të apelojë kundër vendimit të lirimit nga akuzat të ditës së premte, vendimi i gjykatës e bën pothuajse të sigurt se ata që autorizuan dhe mbështetën vrasësit e Djindjiçit dhe përfituan politikisht nga vrasja e tij s’do të përballen kurrë me drejtësinë.

 

Milos Ciric është një politolog, edukator, mësues dhe aktivist serb i të drejtave të njeriut. Ai ka diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Beogradit, master në Politikë Kulturore nga Universiteti i Arteve, Beograd, dhe Lumiere University Lion 2, Francë, dhe master në Studimet e Medias nga The New School University, Nju Jork.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.