Dialogut i Ka Ardhur Fundi

Defektet e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë kanë filluar të manifestohen me të madhe. Jo vetëm që po ka probleme me implementimin e marrëveshjeve të arritura, siç është ajo për lëvizjen e lirë, por u bë e qartë se procesi që u quajt teknik në të vërtetë ishte politik, pasi këtë e pranoi edhe vet facilitatori Robert Cooper. Ky proces, në vend se të ndihmojë Kosovën, ka filluar të cenojë vet shtetësinë e Kosovës. Dhe në fund, i tërë procesi e ka prezantuar Kosovën si të paaftë që të identifikojë interesat e veta dhe mekanizmat për të promovuar dhe mbrojtur këta interesa, të paaftë që të tërheqë vija të kuqe dhe të jetë e vendosur në mbrojtjen e këtyre vijave të kuqe.

Paralajmërimi i ardhur nga Beogradi se do të mbajë zgjedhje edhe në territorin e Kosovës është pasoja më e re e defekteve të këtij procesi. Kjo e ka shfaqur paaftësinë e vërtetë të Kosovës që të dialogojë në mënyrë përmbajtësore si dhe pamundësinë që të ndryshojë diçka në veri për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Prishtina do të duhet të mjaftohet me deklarime të ashpra, e vetëdijshme se deri tani nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar realitetin në terren në pjesën veriore të Kosovës dhe për të qenë në gjendje që të ketë ndikim në zhvillimet atje.Të ashpër në deklarime u paraqitën edhe protagonistë ndërkombëtarë. Megjithatë, nuk është për tu habitur nëse e tëra mbetet në nivel të deklaratave. Për bashkësinë ndërkombëtare, në fund të fundit, Serbia është duke i mbrojtur interesat e veta, pa marrë parasysh se a pajtohet me këta hapa apo jo këta protagonistë. Rrjedhimisht, edhe Kosova, nëse do të jetë këmbëngulëse në mbrojtjen e interesave të veta, do të respektohet nga aktorët ndërkombëtarë edhe atëherë kur këta nuk pajtohen me këto interesa. Për bashkësinë ndërkombëtare me rëndësi është që të mos ketë luftë e refugjatë që do të vërshojnë shtetet e tyre. Çdo gjë tjetër është e pranueshme.

Është qenësore që klasa politike kosovare, sidomos koalicioni qeverisës, ta rimendojë tërë procesion e dialogut. Kështu si është vepruar deri tani nuk mund të vazhdohet. Një proces krejtësisht jo-transparent, pa i dhënë llogari Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, duke negociuar tema që tejkalojnë mandatin dhe duke mos fituar gati asgjë – studimi i fizibiltetit nuk është kurrfarë e arriture –nuk po i sjellë dobi Kosovës. Përkundrazi.

Një debakël i tillë i klasës politike kosovare është moment i mirë që të reflektohet për tërë qasjen ndaj promovimit dhe mbrojtjes së interesave të shtetit e ndoshta edhe të reflektohet për tërë projektin e ndërtimit të shtetit.

Shqiptarët e Kosovës lavdërohen gjithandej se janë patriotë të mirëfilltë, edhe pse faktet tregojnë të kundërtën. Duke mos pasur shtet të tyre, për shqiptarët e Kosovës ndjenja e atdhedashurisë ka qenë më tepër ëndërr e afsh për shtetin që nuk e kishin. Marrëdhëniet me shtetin, si shprehia që të paguhen tatimet shtetit, të paguhen llogaritë për shërbimet publike që i ofron shteti, të respektohen ligjet e shtetit, nuk u bënë asnjëherë traditë e shqiptarëve të Kosovës. Përkundrazi, gjatë viteve 90, për shembull, të mos paguheshin tatimet mund të cilësohej vepër patriotike pasi nuk financohej shteti i Milosheviqit. Por, tash kur shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre, po e gjejnë të vështirë të ndryshojnë mendjen për shtetin. Të respektohen ligjet e shtetit – pra të ndihen krenarë edhe kur ndalen në semafor sepse po i respektojnë ligjet e shtetit të tyre; të paguhen llogaritë për shërbimet e marra – e të mos shtihet me armë në punëtorët e KEK-ut; janë disa nga këto ndryshime të nevojshme në mendësinë e shoqërisë së shqiptarëve të Kosovës. Por, shoqëria e shqiptarëve të Kosovës duhet të mësojë edhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që i udhëheqin, edhe nga klasa politike, por edhe nga institucionet tjera si gjyqësori. Qytetarët duhet të kërkojnë shërbimet më të mira nga të gjitha institucionet publike por edhe duhet të jenë në gjendje që të protestojnë kundër tyre kur këto nuk e kryejnë detyrën që u a ka besuar shoqëria apo t’i mbrojnë kur këto kërcënohen nga dikush.

Në vend të këtij patriotizmi, shqiptarë e Kosovës dallohen më tepër me ndjenja nacionaliste që kanë ardhur, në të rastet më të shpeshta, si reagim kundër nacionalizmit serb. E tani, nacionalizmi serb mbetet i vetmi ushqim për këto ndjenja nacionaliste, pa qenë në gjendje që të kthehen në ndjenjë të mirëfilltë patriotike, të atdhedashurisë. Paradoksalisht, nacionalizmi serb po mbetet shtytësi kryesor i dëshirës dhe motivit për të ndërtuar shtetin.

Kësaj gjendjeje nuk po i ndihmon aspak klasa politike që po dështon në instalimin e një qeverisjeje të mirë të shtetit. Përkundrazi. Me mënyrën se si po qeveriset Kosova nga partitë politike që janë apo kanë qenë në pushtet, këto po pengojnërritjen e ndjenjave patriotike.

Shqipëria, në anën tjetër, është duke e tejkaluar në mënyrë më të shëndoshë traumën e saj të vuajtur për gjysmë shekulli. Mllefin e nganjëherë edhe urrejtjen për shtetin po e zëvendëson ndjenja se shteti shqiptar është vendi më i mirë ku shoqëria shqiptare mund të realizojë dëshirat dhe ambiciet e veta. Në vend të nacionalizmit, në Shqipëri po shihet një rritje e atdhedashurisë dhe patriotizmit. Kosova, në vend se të marrë shembull nacionalizmin në Serbi apo edhe Maqedoni, duhet të marrë shembull nga patriotizmi i rigjetur në Shqipëri. Të mendohen obligimet që ka shteti ndaj qytetarit por edhe obligimet që i ka qytetari ndaj shtetit.

Nëse kthehemi në temën e dialogut me Serbinë, në këtë reflektim, klasa politike kosovare duhet të rimendojë prioritetet e veta. Për qytetarët e Kosovës ka tema – ekonomia, pavarësia e gjyqësorit, arsimit – që janë më të rëndësishme se sa dialogu me Serbinë.