Pamje nga një takim mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel - Foto: Twitter/MajaKocijancic

BE duhet të shqyrtojë 'format të ri' për bisedimet për Kosovën

Një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës tani është “jashtë tavolinës” në dialogun me Serbinë, por të gjitha palët duhet të kapin momentin e krijuar, thotë një analiste për BIRN.

Bashkimi Europian “duhet të jetë i hapur” për një iniciativë të re nga qeveria e Kosovës që ristrukturon delegacionin e Prishtinës në bisedimet me Beogradin dhe përjashton në mënyrë eksplicite çdo opsion për shkëmbim territoresh si bazë për një marrëveshje për të zgjidhur marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, thotë një eksperte gjermane për rajonin.

Në një intervistë me BIRN-in, Johanna Deimel, zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore me seli në Mynih, tha se kundërshtimi i Gjermanisë ka ndihmuar që të hedhet poshtë propozimi për shkëmbim të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, por që të gjitha palët duhet të kapnin “momentin e ri” që është krijuar.

Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë në mes të dhjetorit për të krijuar një ekip të ri negociues që përfshinte qeverinë, një pjesë të opozitës dhe shoqërinë civile dhe vendosjen e një platforme që përjashton çdo ndryshim në kufijtë e Kosovës.

Mbetet e paqartë se ku mbetet presidenti Hashim Thaçi, i cili aktualisht përfaqëson Kosovën në negociatat e ndërmjetësuara nga BE me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

“Unë mendoj se Brukseli duhet të jetë i hapur ndaj formatit dhe iniciativës së re”, tha Deimel, duke e përshkruar platformën e Kosovës si “konstruktive”, si dhe duke mbështetur të drejtat multietnike dhe të pakicave.

“Unë jam e sigurt se kjo mund të shërbejë si bazë e mirë për negociata serioze për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat shpresoj se Gjermania do t’i mbështesë në kapacitetet e saj si një shtet anëtar i BE”.

Sondazhet tregojnë se njerëzit janë kundër ndarjes

Vitin e kaluar, Thaçi dhe Vuçiç bënë deklarata publike që nxitën spekulime se janë afër një marrëveshje mbi ndryshimin e kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, nën dyshimet për shkëmbim të veriut të Kosovës të dominuar nga serbët me Luginën e Preshevës të dominuar nga shqiptarët në Serbi.

Shtetet e Bashkuara dhe BE bënë shumë pak për të zhdukur spekulimet, derisa kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë shtypi në gusht se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë “të paprekshëm”.

Deimel, e cila ka punuar më parë për Zyrën Civile Ndërkombëtare, misioni që e mbikëqyri Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së vitit 2008, tha se kundërshtimi nga Berlini, Londra dhe kryeqytetet e tjera të BE-së do të thotë se idetë e korrigjimeve të kufijve dhe të shkëmbimit të tokës janë jashtë tavolinës së bisedimeve.

Deimel vuri në dukje vërejtjet e fundit nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, në të cilën ajo përjashtoi “ndarjet etnike midis vendeve”.

Johanna Deimel

“Ky është një mesazh shumë i qartë, që tregon se edhe Mogherini është duke u larguar dhe duke u mbështetur në qëndrimin gjerman se çfarëdo ‘marrëveshje nuk duhet të çojë në shtete monoetnike”, tha Deimel.

Ndarja etnike do të ishte një rikthim në shekullin e 19-të, një shkas i mundshëm për ndryshimet ekufijve diku tjetër në Ballkan dhe një kontradiktë e vlerave europiane, tha ajo.

Më e rëndësishmja nuk është ajo që njerëzit duan, tha Deimel duke cituar një hulumtim të fundit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në të cilin më shumë se tre të katërtat e të anketuarve shqiptarë të Kosovës thanë se janë kundër çdo shkëmbimi të territorit me Serbinë.

Deimel tha se BE aktualisht kishte mungesë të “udhëheqjes dhe kapacitetit”, por ky vrull i ri ishte krijuar. “Për një kohë të gjatë askush nuk e dinte se çfarë ishte në tavolinë”, tha ajo. “Nuk kishte informim për temat e diskutimeve”, tha Deimel për BIRN.

Ekspertja e Ballkanit tha se Thaçit i mungon legjitimiteti dhe mbështetja e brendshme e nevojshme për të nënshkruar një marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës është kundër negociatave të Vuçiqit-Thaçit, siç është opozita në Kosovë dhe shumica e njerëzve atje”, tha Johanna Deimel.