
Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Vija e kuqe e Haradinajt dhe synimet kryesore të tij nëse bëhet kryeministër
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, mëton që nëse i fiton zgjedhjet parlamentare dhe zgjidhet kryeministër, gjënë kryesore që do të bëj është që t’i shkojë për shtati SHBA-së. Këtu e sheh edhe çelësin e zgjidhjeve të krejt problemeve tjera. Ai e ka një vijë të kuqe për koalicion paszgjedhor, sikundër që planifikon një sërë shkarkimesh të personave që pretendon të jenë emëruar me ndikimin e partisë që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizjes Vetëvendosje.
Ramush Haradinaj synon që të rikthehet në krye të Qeverisë me disa ide që në këndvështrimin e tij janë të qarta dhe kanë një emërues të përbashkët: të jetë partner i besueshëm i presidentit amerikan, Donald Trump.
Strategjia kryesore, siç e cilëson ai, është që “ta rikthejë besimin te partnerët”, të zbatojë secilin obligim që ka ndërmarr Kosova me aleatët ndërkombëtarë dhe të ulet pranë presidentit Trump si një partner serioz.
Nëse nuk arrin që të fitojë votat e mjaftueshme që të formojë Qeverinë me koalicionin: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët dhe Lista Ideal, ai i konsideron si partnere partitë opozitare: Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Por, Haradinaj përjashton çdo mundësi për koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Për këtë parti ka vijë të kuqe.
Kundërkandidatë në zgjedhje, ai e ka Bedri Hamzën nga PDK-ja, Albin Kurtin nga LVV-ja dhe Lumir Abdixhikun nga LDK-ja.
“Gjithçka sillet rreth Amerikës”
Një prej planeve kryesore të kreut të AAK-së, është që në takimin e parë që do ta mbajnë si Qeveri nëse arrijnë si Koalicion 137 të triumfojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ta dorëzojë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Përveç saj, Haradinaj mëton që nën mandatin e tij të mundshëm, Kosova mos të vazhdojë më Dialogun me Serbinë, por ky shtet të trajtohet si një vend jonjohës.
Haradinaj, i cili dy herë ishte shef i ekzekutivit, kësaj radhe në listën prioritare ka vendosur politikën e jashtme. Ai beson që Kosova është diskualifikuar nga partneriteti që ka pasur me fuqinë botërore dhe se tani duhet të bëj gjithçka për t’u rreshtuar në krahët e Amerikës.
Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ai thotë se Kosova duhet t’i përfundojë të gjitha obligimet “bilaterale, multilaterale, të dialogut” që i ka marr me partnerët ndërkombëtarë.
“As kurrkush mos me mujt me na bo me gisht që nuk jenm serioz. Dua ta kthej nderin e shtetit, të Republikës, Kosovës, për të gjithë. Çdo obligim që është diskutuar ndonjëherë me Amerikë mendoj me e kry menjëherë. Shpejtë, saktë, menjëherë”- u shpreh Haradinaj në “Debat Përnime” më 05.02.2025.
Këto veprime, ai premton që do t’i ndërmarr në mënyrë që Kosova të kualifikohet si palë serioze.
“Mendoj që me mujt me bind presidentin Trump, Serbia na njeh. Nëse i thotë për 24 orë, Serbia na njeh për 23 orë. Pra qëllimi im, strategjia ime është që me mujt sa më shpejt me hy në tavolinë te presidenti Trump, duke e ditur që është krejt ndryshe, është ndryshim tektonik që ka ndodhë në botë”- thekson Haradinaj, duke shtuar se epoka e Trumpit është e paparë më herët dhe se Kosova duhet ta zë hapin në mënyrë që mos të ketë pasoja të mëdha.
Për Dialogun Kosovë- Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian (BE) që nga viti 2013, ai thotë se të mos vazhdohet më, me arsyetimin se ka një “inflacion të kontratave” prej nisjes së tij.
Haradinaj thotë se administratat e mëhershme të SHBA-së e kanë toleruar, duruar, mbrojtur dhe përkëdhelur Kosovën, por një gjë e tillë nuk do të ndodh nga administrata Trump.
“Nuk i intereson kësaj [administrate] a je mirënjohës a mosmirënjohës. Nuk e kanë më atë problem. Zgjidhja e jote është ‘na kushton pare, nuk je në linjë me ne, nuk je partner i besueshëm- vazhdo’. Unë mendoj me ndërru këtë. Na duhet me u rikualifiku. Kjo ka me qenë bukur e zorshme sepse është një administratë vërtetë shumë interesant. Ndryshe se çfarë ka parë bota më parë”- është shprehur Haradinaj.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar.
Hera e fundit kur dialoguan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të Dialogut Kosovë- Serbi më 14.09. 2023, takimi rezultoi pa ndonjë përparim. Si rrjedhojë, fati i dialogut ka mbetur tek pas zgjedhjeve në Kosovë.
Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Mirosllav Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve europiane.
Kurse për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Haradinaj u përgjigj shumë shkurt.
“Menjëherë. Në takimin e parë të Qeverisë”- u përgjigj në pyetjen se kur do ta dorëzojë këtë dokument për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nëse ai e udhëheq Qeverinë.
Se cilin version do ta dërgojnë në Kushtetuese, ai tha se “atë që e kemi dhuratë nga Kurti e që është më i keqi i mundshmi”, nën arsyetimin se nuk kanë më hapësirë për rioganizim, rishkrim apo manovrim në lidhje me këtë draft-statut.
Fjala është për Marrëveshjen e Ohrit për të cilën më 18.03.2023 pas 10 orë bisedimesh, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Në vijimësinë e planeve në fushën e politikës së jashtme, Haradinaj tha se nuk kërkon fajtor e as nuk vajton për masat që BE-ja dhe SHBA i kanë vendosur ndaj Kosovës, por do të zbatoj marrëveshjet që të fitojë besimin e shteteve jonjohëse, të cilat më pas ndihmojnë edhe në anëtarësimin në NATO, gjë që është qëllim parësor i AAK-së- me parullën “Direkt në NATO”.
Shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes të masave ndaj Kosovës. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin në vitin 2024 ishin të mëdha.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë. Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
“Nuk ka me mujt Macroni ma me thënë: kryeministri i Kosovës nuk e mban fjalën, ose ai tjetri… unë do ia lehtësoj edhe Spanjës edhe Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë që do të zbatojë obligimet”- theksoi ai.
Për këtë, ai tha se nga Plani franko-gjerman do t’i zbatoj obligimet në mënyrë që secili vend do ta ketë të lehtë t’i thotë Parlamentit të vet, “po e ratifikojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO, sepse Kosova i ka kryer obligimet që ne ia kemi dhanë- e tani është radha jonë”.
Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-atlantike. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon.
Edhe pse trupat e NATO-s ndodhen në Kosovë që nga lufta e fundit 1998/1999, shteti më i ri në Europë nuk ka zënë ende vend aty. Më 09.02. 2022, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për themelimin e Grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Administrata e re amerikane ka ndikuar edhe në premtimet para zgjedhjeve në Kosovë, pas vendimeve që mori Trump në javët e para pas betimit si president i 47-të. Një vendim që mori së fundmi, pezullimi i fondeve të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për 90 ditë e ka prekur edhe Kosovën si një përfituese e madhe e këtyre fondeve që nga paslufta.
Megjithatë, Haradinaj thotë se SHBA mund t’i rikthej këto investime, veçse me kritere.
“Je me ta, ta gjejnë një mënyrë. Nuk je me ta, nuk mundesh me shpresu me pas investime më… Kurrkush nuk ka me mujt me marr asnjë cent të Amerikës pa kanë në linjë me ta- i besueshëm për ta. Nuk kanë ma bamirësi globale…”- tha ai.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999 dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës. Përgjatë 25 vjetëve USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, fuqizimin ekonomike të grave, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura.
Për anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në UNESCO, ai tha se për këtë të parën e kanë prioritet sepse ju duhet për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa për UNESCO-n i qëndroi pas veprimeve të Trumpit i cili ka vendosur ta tërheq SHBA-në nga kjo organizatë ndërkombëtare.
“Këshilli i Europës është shpejt, ndërsa sa i përket UNESCO-s nuk e di si do të shkojë”- përfundoi ai.
Çka “për” e çka “kundër”?
Nëse zgjidhet kryeministër, Ramush Haradinaj premton se do të shkarkojë shumë persona të emëruar dhe përzgjedhur gjatë qeverisjes së kryeministrit, Albin Kurti. Në çdo pyetje në lidhje me shkarkimet, ai u përgjigj shkurt- “Po”.
Së pari Haradinaj thotë se do ta shkarkojë ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është nën hetime nga autoritetet kosovare të drejtësisë.
Ai thotë se nuk i ka krejt faktet që mund t’i ketë Prokuroria dhe hetuesia, por thotë se “ era po i vjen shumë asaj që ka ndodh me të dhe me Kurtin”.
Sipas tij, Prokuroria dhe Gjyqësori duhet t’i japin një epilog kësaj situate, sepse ekzistojnë dëshmitë, marrëdhëniet me të dhe mbrojtja që i është dhënë Berishajt.
“Çfarë pyetje? Po”- u përgjigj ai kur u pyet nëse do të shkarkohet.
Ndërsa, për diplomatët tjerë me çelës politik, Haradinaj tha se do t’ua masin performancën dhe nëse kanë arritur suksese ose kanë rritur marrëdhëniet tregtare nuk do t’i shkarkojnë.
“Asnjë nuk është i garantuar, asnjë ambasador, asnjë post, nëse nuk ka performancë. Edhe ministri i Jashtëm nëse emërohet e nuk ka performancë, nuk kemi kohë, jo për shkak timin, por besoni se nuk kemi kohë”- tha ai.
Ndërsa për shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti, i cili është emëruar nga kryeministri Albin Kurti, ai tha tërthorazi që do ta shkarkojë.
“Është një proces i njohur i emërimeve politike. Mendoj që të gjitha do të jenë emërime të reja. Aty ku është emërim politik në përgjithësi të caktuar p.sh në mandatin e presidentit dhe kryeministrit”- tha ai.
Ndërsa, në lidhje me procesin për Kryeprokurorin Blerim Isufaj, Haradinaj tha se është “për” që ky proces të vazhdojë me po këtë person.
“Proceset duhet të zhvillohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës pa ndërhyrje politike edhe pa pengim politik. Pra me mbështetje dhe këndo që e nxjerr procesi i brendshëm ai është kryeprokuror edhe i imi”- tha Haradinaj.
Se a e ka në planet e tij që ta vazhdojë Vetting-un në Polici dhe institucionet tjera të sigurisë, Haradinaj tha se nuk është ithtar i këtyre veprimeve, duke i quajtur ato edhe si humbje kohe dhe shprehje mosbesimi ndaj institucioneve.
Sipas tij, kontrolli i brendshëm ekziston dhe në cilindo institucion i kanë mekanizmat e brendshëm të kontrollit dhe të performancës.
“Ajo që do të bëjë është që t’i nxitim në performancë më të mirë”- u shpreh ai.
Për Byronë për Sekuestrimin e Pasurisë, Haradinaj beson që nuk është çelësi i zgjidhjes së problemeve në Kosovë dhe se beson të vazhdojë me legalizim të plotë në Kosovë, si në ndërtime ashtu edhe në zvogëlimin e ekonomisë joformale.
Për Kodin Civil, Haradinaj tha se personalisht është për familje tradicionale, por jo edhe për ta mbajtur peng Kodin.
“Mendoj që nuk është mirë me e mbajt peng Kodin Civil për shkak të këtij neni. Duhet me ec me Kod. Personalisht nuk ndërhyjë në privatësinë e askujt, por qëndroj për familjen tradicionale, babë, nanë, fëmijë ashtu qysh jena mësu pa nxit asnjë lloj pengese apo pasoje për njerëz që kanë zgjedhje tjera”- tha ai.
Në anën tjetër, Haradinaj nuk premtoi se nuk do të punësohen militantët politikë nëpër borde dhe institucionet publike, por tha se do të punësohen me kritere.
Ai tha se nuk është në situatë që të premtojë pastërti të plotë të rekrutimit, por nuk mendon që do të dominojë përkatësia partiake apo lidhja me pushtetarët.
“Nëse ndodh që dikush me afërsi ose lidhje partiake ka depërtuar në një pozicion e nuk është i suksesshëm nuk besoj që do të ketë mëshirë. Nuk kam më kohë. Nuk jam më në hyrje në politikë, unë jam në përmbyllje të angazhimit tim në politikë”- tha ai.
Haradinaj tha se do të shkarkojë bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe të KOSTT-it.
“Po, menjëherë. Besoj të gjitha”- u përgjigj ai.
Njëjtë u përgjigj edhe në pyetjet në lidhje me çkapjen e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe shkarkimin e Sekretarëve të ministrive që kanë lidhje partiake dhe familjare.
“Ne ju kemi dhanë RTK-së pavarësinë sepse financohet nga parlamenti. Nuk kanë nevojë me u nënshtru e servilos. Kjo situatë fatkeqësisht është ashtu.”- tha ai.
Edhe pse e pranoi që nuk kanë një listë se kë prej sekretarëve permanent nëpër ministri e kanë në plan ta shkarkojnë, ai tha se megjithatë do të ketë shkarkime.
“Jo nuk kemi listë, por do t’i shkarkojmë. Do ta shohim a kanë ndonjë performancë. Por në përgjithësi njerëzit që kanë ardhë dhe i kanë shërbyer kësaj politike, nëse mundësia ligjore na lejohen, do të shkarkohen”- tha ai.
Katër arsye pse beson që duhet të jetë kryeministër
Ramush Haradinaj ka renditur katër arsye kryesore përse beson se duhet të jetë fituesi i zgjedhjeve parlamentare.
Ai theksoi se e para, është “siguria e plotë dhe e përjetshme”, ku synon një zgjidhje përfundimtare të çështjes së sigurisë dhe anëtarësimin e Kosovës direkt në NATO, që sipas tij, do të sjellte përfitime politike, diplomatike dhe do të lehtësonte anëtarësimin në organizata të tjera.
E dyta, Haradinaj ka folur për sigurinë energjetike, duke premtuar se do të vendosë një prag çmimi për energjinë elektrike, për të parandaluar rritjet e çmimit dhe për ta ulur atë për dy vjet e gjysmë. Ai gjithashtu ka përmendur ndërtimin e një kapaciteti të ri energjetik, përkatësisht një centrali me gaz në Ferizaj.
Në lidhje me zhvillimin ekonomik, ai ka premtuar mbështetje për sektorin privat, duke krijuar mundësi për qytetarët dhe diasporën që të investojnë në projekte strategjike.
Së fundi, ai ka folur për zgjidhjen e statusit financiar dhe material të Kosovës, duke premtuar dyfishimin e pagës, të drejtat për çerdhe për çdo fëmijë dhe bursa për studentët që të qëndrojnë në Kosovë. Haradinaj gjithashtu ka theksuar rëndësinë e rritjes së pagës minimale dhe zgjidhjes së çështjeve të pensioneve dhe kategorive të lirisë.
Stabiliteti i brendshëm
Ramush Haradinaj ka diskutuar disa nga masat që i ka përgatitur për forcimin e ekonomisë së Kosovës, duke përmendur dy instrumente kryesore: Ligjin për investime strategjike dhe mobilizimin e kapitalit privat. Po ashtu, ai premtoi se do të bëjnë reforma në shëndetësi dhe në arsim.
Ai ka theksuar se kapaciteti i buxhetit të Kosovës për investime kapitale është aktualisht 1.5 miliardë euro, ndërsa investimet kapitale private janë më të mëdha, duke arritur në 2.8 miliardë euro.
Një nga qëllimet kryesore të Haradinajt është krijimi i një lloj amnistie fiskale, që do të inkurajonte qytetarët dhe diasporën të investojnë në projekte të sigurta dhe me fitim të garantuar. Ai ka theksuar se kjo do të ndihmonte në ndryshimin e gjendjes ekonomike dhe do të nxiste pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në zhvillimin e vendit.
Gjithashtu, ai ka premtuar rritjen e borxhit publik nga 2 miliardë në 5 miliardë euro.
Haradinaj ka shprehur besimin se Kosova duhet të bëhet partner i besueshëm për shtetet si SHBA dhe Bashkimi Europian, duke shpresuar në kthimin e fondeve dhe granteve që janë paraparë për Kosovën nga këto institucione.
Në lidhje me oligarkët, Haradinaj ka deklaruar se kualifikimi i sipërmarrësve si oligarkë është një krim dhe ka hapësirë për ndjekje penale. Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se politikat e tij janë shkatërruese për ekonominë dhe se përpjekja për të shkatërruar sipërmarrësit është në interes të armiqve të Kosovës.
“Kualifikimi si oligark i sipërmarrësve është krim, pra me siguri ka hapësirë për ndjekje penale. Vetëm gjyqtari mund ta kualifikoj dikënd kështu ose ashtu”- tha ai.
Lidhur me ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, Haradinaj ka kundërshtuar politikën e Kurtit për të kontrolluar çmimet e naftës dhe barnave, duke e cilësuar atë si një formë të diktaturës dhe një deformim të së majtës.
“Po të ishte e majtë (Vetëvendosja) do të rriste taksën në alkool ose në duhan, do të ndihmone të shumë çështje që i prek të varfërit. Asnjë veprim s’e ka bërë të tillë”- tha ai.
Shteti, sipas tij, duhet të nxisë operatorët dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e tregut të lirë, në vend se të ndërhyjë drejtpërdrejt në çmime.
Haradinaj ka folur edhe për politikat fiskale të qeverisë, duke premtuar ulje të TVSH-së për produktet ushqimore, por ka theksuar se në energji kjo nuk mund të ndodhë, pasi energjia ka një kosto të vetë. Ai ka premtuar përpjekje për të ulur çmimet e energjisë përmes uljes së humbjeve dhe investimeve në prodhimin vendor.
Në lidhje me rritjen e mundshme të çmimit të energjisë, Haradinaj ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kërkesave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për një rritje deri në 20%.
Ai ka paralajmëruar se, nëse ky çmim rritet, do të angazhohet për të siguruar që kjo të mos ndodhë, duke kërkuar që operatorët e energjisë të fokusohet në pastrimin e mënyrës së operimit dhe uljen e humbjeve.
Në fund, Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke i kujtuar se në vitin 2019 kishte premtuar uljen e çmimit të energjisë, por sipas tij, ai ka dështuar të realizojë këtë premtim.
Në lidhje me rritjen e pagave, ka theksuar se planifikimet buxhetore janë të tilla që do të mundësojnë që paga të mos jetë nën 1000 euro.
Ai ka përmendur se aktualisht paga në sektorin publik është mesatarisht 400-500 euro dhe ka premtuar dyfishimin e saj.
Haradinaj gjithashtu ka shpjeguar se për të realizuar këtë, do të bëhen disa sakrifikime në shpenzimet kapitale, duke zvogëluar ato nga 450 milionë euro në 350 milionë euro për këtë vit.
Kur është pyetur për implementimin e dyfishimit të pagave, Haradinaj ka thënë se ai beson se kjo mund të ndodhë menjëherë, por jo në javën e parë të mandatit.
“Nuk mundem me thënë në javët e para, kam deklaru që javën e parë e çoj Asocacionin në Gjykatë Kushtetuese, kam deklaru që do të marrë edhe vendime të tjera, por pagat nuk mundem me i rritë në javën e parë sepse duhet një ristrukturim i këtij buxheti”- tha ai.
Sipas tij, duhet një riorganizim i buxhetit pasi ka linja buxhetore të cilat nuk mund të ndryshohen menjëherë me një vendim.
Haradinaj ka theksuar se për të përmirësuar sistemin arsimor, duhet të kthehet dinjiteti i mësimdhënësve, të cilët ai i ka kritikuar për trajtimin që kanë marrë nga Qeveria Kurti.
Ai ka shtuar se arsimi duhet të lidhë të gjitha nivelet dhe të nisë që nga arsimi parafillor, duke u fokusuar në mundësitë dhe opsionet për nxënësit.
“Do ta lidhim arsimin tonë në të gjitha nivelet, do fillojë që nga arsimi parafillor që me i dhanë drejtim mundësive, opsioneve, identifikimeve të potencialit të gjithë atyre që marrin pjesë në procesin e nxënies së mësimit”- tha ai.
Në lidhje me vlerësimin e mësimdhënësve, ai ka theksuar se matja e performancës është e nevojshme, por ka kundërshtuar rikualifikimin e detyruar të mësimdhënësve.
“Kjo forma e rikualifikimit është një lloj ofendimi. Pse spo rikualifkohemi ne politikanët apo pushtetarët, por po i rikualifikohet mësimdhënësi. Unë nuk do të shkojë me ofendime tilla”- tha ai.
Haradinaj ka përmendur edhe mundësinë e pensioneve të parakohshme për ata që nuk arrijnë të përmbushin standardet e performancës.
Sa i përket shëndetësisë, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e krijimit të statistikave të sakta dhe informatave për pacientët, për të mundësuar një planifikim të duhur.
Ai ka shtuar se është e nevojshme të zgjidhet çështja e kostos së shërbimeve shëndetësore dhe të krijohet një sistem sigurimi shëndetësor që do të mbulojë këto kosto.
“Neve na duhet me mbyll këtë marrëdhënien mes pacientit dhe mjekut edhe kush e mbulon koston, në këtë rast sigurimi shëndetësor”- tha ai.
Haradinaj ka deklaruar se mbledhja e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore nuk mund të ndodhë menjëherë duke theksuar nevojën për një investim të publikut për të krijuar një sistem të tillë.
Ai ka shtuar se këto para mund të përdoren për investime kapitale dhe jo për shpenzime të drejtpërdrejta, duke thënë: “Nuk do të çojmë pare në Brezovicë. Nuk ka nevojë. Do të ftojmë investitorë privat”.
Për fund, Haradinaj premtoi se nëse zgjedhet kryeministër do të pranoj përsëri që të intervistohet në “DebatPërnime”.
“Po ju vi. Edhe jo vetëm te ju. Unë i nxiti mediat që të jenë kritike ashtu siç janë çdoherë ndaj çdo qeverie, edhe asaj të udhëhequr prej meje”- tha ai.
Përvoja e Ramush Haradianj në pushtet
Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.
Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.
Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.