Të Rejat për Korrupsionin më Vonë

Organizata Transparency International (TI) sqaroi sot se nuk e ka publikuar ende raportin “Indeksi i Perceptimit mbi Korrupsionin” për vitin 2011 dhe se rrjedhimisht janë të vjetëruara disa raportime se Kosova u rendit prapë në pozitën e 110’të për nivelin e korrupsionit.

 “Transparency International, dje ka lansuar Indeksin për Paguesit e Ryshfeteve (Bribe Payers Index), e cila rendit gjasat e kompanive nga 28 vende ekonomikisht më të forta, për të fituar biznes jashtë vendit, duke paguar ryshfet”, ka shpjeguar për Gazetën Jeta në Kosovë, Rachel Davies, zyrtar për informim i Transparency International në Britani të Madhe.

“Indeksi i Perceptimit për Korrupsionin (Corruption Perception Index – CPI) do të publikohet më 1 dhjetor”, ka saktësuar Davies.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), ka reaguar ndaj plasimit të lajmit në disa medie në Kosovë se Kosova renditet e 110-ia për nivelin e korrupsionit.

KDI/TIK njofton se të dhënat e referuara nga mediet janë të vitit 2010 dhe nuk i përkasin vitit 2011.

Sipas indeksit të organizatës anti-korrupsion TI, për paguesit e ryshfeteve, vendet më pak të korruptuara janë Holanda, Zvicra, Belgjika dhe Gjermania. Kurse lista përmbyllet me Rusinë, Kinën dhe Meksikën.