Sqarim i Gazetës Jeta në Kosovë

Artikulli është publikuar fillimisht në gazetën norvegjeze “Aftenposten”. Gazeta Jeta në Kosovë e ka ri publikuar pasi që gazeta norvegjeze ka argumentuar pohimet e saj në artikullin hulumtues që tregon për rastin e z. Shkëlzen Shalës (Elshanit).

1.    Është fakt që Shkëlzen Shala u dënua nga autoritetet norvegjeze për shkak të dyshimeve për mashtrim. Kjo është konfirmuar nga prokurori i rastit si dhe avokati i tij
2.    Është fakt që në ndërkohë u ngrit biznesi “Aktiv” në Drenas në pronësi të Ekrem Elshanit dhe autoritetet norvegjeze po hetojnë dyshimet se miliona euro të fituara ilegalisht nga Shkëlzen Shala (Elshani) u transferuan në Drenas.
3.    Është fakt që vëllai i Shkëlzenit punoi në Norvegji me një identitet të rremë. Kjo u argumentua në artikullin e  “Aftenposten”-it të ri publikuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.
Avokati mbrojtës dha këtë deklaratë dhe konfirmoi se vëllai i biznesmenit të dënuar punoi me një identitet tjetër në Norvegji dhe më pas u arrestua.

“Shala kishte besuar se vëllait të tij i është dhënë shtetësia belge nën emrin Curri. Duke qenë se atij i ishte dhënë leja e punës dhe kartela tatimore në Norvegji pasi që autoritetet e vendit kishin kryer kontrollin e identitetit, ai nuk kishte asnjë arsye për mos ta punësuar në kompani. Më vonë, Curri hapi biznesin e vet dhe klienti im e kontraktoi atë në disa raste. Shala nuk u pyet në gjykatë nëse kishte njohur Currin para se ta angazhonte atë. Prandaj, Shala vendosi që të mos sqarojë lidhjet familjare”, thuhet në përgjigjen e avokatit Ibsen dhënë “Aftenposten”-it.

Ripublikimi i këtij artikulli nuk përbën kurrfarë tendence për linçim publik. Gazeta Jeta në Kosovë pjesë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka bashkëpunuar edhe më herët me gazetën norvegjeze “Aftenposten”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka ri publikuar më 19 janar të këtij viti artikullin me titull “Në Norvegji të Falimentuar, e në Kosovë Jetojnë Si Yje”, që flet për veprimet e biznesmenëve Musa e Isa Gërbeshi.
http://gazetajnk.com/?cid=1,986,9580

Gazeta Jeta në Kosovë ka bashkëpunuar edhe me gazeta tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe prestigjiozen britanike The Guardian dhe bashkëpunimi me një gazetë norvegjeze që ka raportuar për veprimet e një shqiptari nga Kosova nuk përben tendencë për linçimin e familjes së tij.
Proceset gjyqësore janë aktivitete që mbulohen nga mediat në mbarë botën. Gazetat në Kosovë nuk përbëjnë përjashtim.