S'ka vend për nevojtarët: Bosnja dështon t'i strehojë të zhvendosurit e vet

Mijëra boshnjakë që humbën shtëpitë gjatë luftës vijojnë të jetojnë në strehime “të përkohshme”, edhe 25 vjet më vonë. Për rrjedhojë, nuk është habi që Bosnja pati vështirësi për të strehuar mijëra refugjatë dhe migrantë që janë bllokuar këtu.

 

Në të dielën e Pashkëve 2010, Angelina Jolie erdhi në qytezën e Rogaticës në Bosnjën lindore dhe bëri një mrekulli. Ylli i Hollivudit udhëtoi në këtë vend në rolin e saj jashtë ekranit si ambasadore e agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR. Në një ndërtesë ish-shkolle të përshtatur në strehë, ajo u prezantua me Lena Babicin, një grua e moshuar që kishte humbur shtëpinë gjatë luftës së Bosnjës 18 vjet më herët. Dy gratë komunikuan përmes një përkthyesi – Angelina duke folur për fëmijët e saj, Lena për pritjen e gjatë për një shtëpi të re.

“Unë nuk e dija se ajo ishte një aktore e famshme,” tha Lena, duke rikujtuar takimin. “Ndjehej sikur ne njiheshim prej kohësh.” Të dyja pinë kafe të shoqëruar me biskota dhe, për shkak se ishte e Diela e Pashkëve, qëruan disa vezë të ziera, të lyera me dorë – një traditë Orthodokse që përkujton mrekullinë e ringjalljes së Krishtit.

Shpejt, takimi rastësor i Lenës me Angelinën ofroi një rast tjetër për festë. Mbulimi mediatik i takimit të tyre vuri në pah kushtet e mjera në këtë strehë dhe solli dhurata për ndihmë të huaj. Brenda dy vjetësh, Lena dhe fqinjët e saj u ristrehuan në një pallat të ri, të ndërtuar posaçërisht për ta – një arritje që, në Bosnjën e pasluftës, llogaritet si asgjë më pak se sa një mrekulli.

Rreth 8,000 njerëz nga ata që humbën shtëpitë në Luftën e Bosnjës janë ende në pritje të mrekullive. Ata kanë kaluar 25 vjet në kushte të mjera në të ashtuquajturat “qendra kolektive” – streha nga koha e luftës të cilat synohej të ishin të përkohshme por janë bërë, në mungesë të alternativave, permanente. Gjashtë vjet më parë, qeveritë europiane premtuan 60 milionë euro kredi për strehimin e tyre, por pothuajse asnjë shtëpi e re nuk është ndërtuar.

Lena Babic mban foton e takimit të saj me Angelina Jolie pranë televizorit në apartamentin e saj.

Vitin e kaluar, sistemi politik përgjegjës për këtë dështim të stërgjatë u mbyt nga një krizë tjetër humanitare – këtë herë për strehimin e migrantëve dhe refugjatëve të bllokuar në dimrin boshnjak gjatë udhëtimit të tyre drejt Europës perëndimore. Kriza nuk ishte ngushtësisht faj i Bosnjës. Politikat e Bashkimit Europian mbi kufirin, të cilat u zbatuan në këtë rast nga Kroacia fqinje, ishin në përgjithësi fajtore.

Gjithsesi, përgjigjja nga Bosnja e bëri situatën akoma më të rëndë. Njësoj si me qendrat komunitare, ofrimi i strehës dhe i ndihmave të huaja u pengua nga një sistem politik kompleks që ushqen neglizhencë dhe mjegullon llogaridhënien. Në fund të krizës këtë dimër, mijëra refugjatë dhe migrantë ishin ngjeshur në një kamp të mbushur me sëmundje në Vucjak, në Bosnjën veri-perëndimore ndërsa udhëheqësit vendës argumentonin se si të mund t’i zhvendosnin ata.

Sistemi politik i Bosnjës është i modeluar sipas Marrëveshjes së Dejtonit, e ndërmjetësuar nga SHBA, të cilës i është dhënë merita se i dha fund luftës. Por defektet e sistemit, ekspozuar nga bllokimi mbi çështjen e Vucjakut, nuk mund t’i ngarkohet vetëm marrëveshjes.

“Qëllimi i Dejtonit ishte që të ndalonte luftën, jo të krijonte një shtet funksional,” tha

Jessie Barton-Hronesova, një studiuese dhe eksperte e Ballkanit në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Oksfordit. “Bosnja mund të ishte bërë një shtet funksional nëse do të kishte pasur vullnet politik, nëse politikanët kyçë do të kishin vendosur ta bënin atë shtet funksional.”

Nga kampet në ishujt e Greqisë deri te muri përgjatë kufirit me Hungarinë, mënyra se si vendet e ndryshme i janë përgjigjur migrantëve dhe refugjatëve ka treguar po aq shumë për këto vende sa edhe për vetë Bashkimin Europian. Në Bosnjë, kriza e migrantëve ra në një shtet të dështuar. Trajtimi i mijëra shtetasve të huaj nga ky vend, ndërsa këta përpiqen të gjejnë shtëpi larg vendeve të veta, është lënë në hije nga trajtimi i mijëra shtetasve të vet, të cilët presin për një shtëpi që prej 25 vjetësh.

Sreten Lazic, një banor i një qendre kolektive në Zvornik, po pushon në dhomën e ndenjes që e ka të përbashkët me familjen e tij.

‘Ne humbëm kohë të çmuar.’

Përpjekja e fundit për të ristrehuar banorët e qendrave kolektive nisi në vitin 2013, përmes Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB), një institucion me bazë në Paris i krijuar fillimisht për të strehuar refugjatët pas Luftës së Dytë Botërore. Projekti i bankës në Bosnjë, të cilit i është vënë nofka CEB II, parashikoi të shpenzonte 104 milionë euro në shtëpi të reja sociale për të zëvendësuar 121 nga 158 qendrat ende në përdorim. Më shumë se gjysma e këtyre fondeve, ose 60 milionë euro, u morën nga vendet anëtare të CEB – më së shumti vende të Bashkimit Europian – dhe u ofruan përmes bankës si kredi pa interes. Pjesa tjetër duhej të paguhej nga autoritetet vendëse në Bosnjë.

Gjithsesi, projekti është tashmë së paku me pesë vite vonesë.

Afati fillestar i realizimit ishte viti 2017 por tashmë është viti 2022. Deri tani, vetëm tetë nga 121 qendrat kolektive janë mbyllur. Menaxherja e CEB për Bosnjën, Karin Lepp, i tha Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, se banka nuk ishte përgjegjëse për zbatimin e projektit. “I përket autoriteteve të Bosnjës të përdorin fondet e tyre të marra hua,” tha ajo. “Ne nuk kemi asnjë lloj mekanizmi për të ushtruar presion mbi shtetin.”

Pavarësisht se çfarë ndodh me projektin, ajo do të vijë tepër vonë për Grozdan Cvijanovic. Ish-ushtari vdiq në shkurtin e kaluar në moshën 59 vjeçare. Ai i pati shtyrë muajt e fundit të jetës vetëm, i shtrirë në shtrat dhe pa ndjenja, në një kabinë druri në periferi të Zvornikut, një qytezë në Bosnjën lindore. Kabina është pjesë e një kompleksi me tipare kazerme që u ndërtua për të strehuar punëtorët e një fabrike alumini aty pranë. Me origjinë nga koha e Jugosllavisë, ajo pati shërbyer si qendër kolektive që nga koha e luftës.

Fqinjët e Grozdanit i thanë BIRN se shëndeti i tij mendor dhe fizik, sakaq i dobët, u përkeqësua ndjeshëm pas vdekjes së nënës së tij. Ndërsa ai mbeti i bllokuar në krevat, mjedisi ku ai jetonte u pushtua shpejt nga minjtë, të tërhequr nga mbeturinat e tij ushqimore. Nga fundi i jetës, Grozdani po mbështetej te fqinjët për të larguar minjtë. Milan Petrovic, i cili jeton në një kabinë pranë tij, përshkroi se si pa një mi që ra nga krevati i Grozdanit për t’u fshehur në një dhomë tjetër. “Në rrugën e kthimit miu u përpoq të kalonte pranë meje,” i tha ai BIRN. “Unë thash, ‘jo më, jo sot’ dhe e vrava në vend.”

Banorët në qendrën kolektive pranë fabrikës së aluminit në Zvornik ndajnë një banjo me gropë.

Pse njerëzit po jetojnë dhe vdesin në baraka të mbushura me minj edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës? Kërkimi për përgjigje kalon përmes një sistemi të komplikuar politik të ndërtuar mbi Marrëveshjen e Dejtonit. Sistemi respektoi objektivin më imediat të marrëveshjes: t’i jepte pjesëmarrësve në një konflikt tripalësh të papërfunduar një interes për të arritur paqen. Ajo e bëri këtë duke e ndarë Bosnjën në dy entitete me afërsisht përmasa të barabarta – Republika Srpska, ku serbët janë shumicë, dhe Federata e Bosnjë-Herzegovinës, e përbërë kryesisht nga boshnjakë dhe kroatë si dhe qeveri vendore. Për t’i komplikuar problemet më tutje, Federata ka dy nivele qeverisjeje – kantonet dhe komunat – ndërsa Republika Srpska ka vetëm një nivel – komunat.

Shumë detyra të shtetit, të tilla si ofrimi i strehimit dhe arsimimit, i janë dhënë të gjitha këtyre niveleve, si një mënyrë për të pajtuar kërkesat për autonomi të gjerë me kërkesat për ushtrimin e përbashkët të pushtetit. Në praktikë, gjithsesi, kjo ka sjellë dublikim dhe disfunksionim. Detyrat e shtetit janë neglizhuar dhe burimet e saj janë shpërdoruar ndërsa askush nuk e di se kush është tamam përgjegjësi.

“Gjërat kanë rënë në të çara, mes shtresave të ndryshme të qeverisjes,” thotë për BIRN Boris Divjak, themelues i kapitullit të Transparency International për Bosnjën, një organizatë monitoruese kundër korrupsionit. “Dhe kështu çdokush përfundon duke akuzuar tjetrin për dështimet apo për mungesën e transparencës.”

Karin Lepp nga CEB tha se autoritetet vendore nëpër të gjithë Bosnjën kanë përgjegjësinë më të madhe për mbylljen e qendrave kolektive. Përgjegjësia tjetër e madhe është në nivel të entitetit ndërsa qeveria qendrore ka “autoritet të kufizuar” në zbatimin e CEB II.

Në Zvornik, kryebashkiaku i qytetit Zoran Stevanovic, pranoi se bashkia ishte në fund fare përgjegjëse për mbylljen e qendrës kolektive pranë fabrikës së aluminit. Ai tha se autoritetet vendore nuk e kanë trajtuar qendrën si prioritet që në fillim, për shkak se kanë qenë të përmbytur nga kërkesa për shtëpi nga njerëzit e zhvendosur pas luftës. Vetëm në vitin 2011 ata aplikuan për të blerë apartamente të reja për banorët e qendrës – por, tha Stevanovic, zyrtarët në nivelin e entitetit në Republikën Srpska shpenzuan katër vjet kohë për të analizuar dhe hedhur poshtë aplikimin. Ne kërkuam të zgjidhim problemin sa më parë të ishte e mundur, por humbëm kohë të çmuar,” i tha ai BIRN.

Administrata e Republikës Srpska nuk iu përgjigj rastit specifik të qendrës kolektive pranë fabrikës së aluminit. Por Dragan Strbac, zyrtari më i lartë përgjegjës për strehimin e të zhvendosurve, tha se “nuk kishte fare probleme” me zbatimin e CEB II në Zvornik. Ai këmbënguli gjithashtu se projekti po ecte pa asnjë pengesë në të gjithë entitetin. “Gjithçka po zhvillohet sipas skedulit fillestar,” i tha ai BIRN.

Zyrtari në qeverinë qendrore përgjegjës për zbatimin e CEB II, Ministri i Bosnjës për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët, Semiha Borovac, nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për intervistë. Në vend të saj, ministria dërgoi një deklaratë me email në të cilën thuhet se projekti është vonuar për shkak të “kompleksitetit” të tij dhe nga “bashkitë që ndryshojnë kërkesat e tyre” për ndihmë.

Një gjeneratë e re po rritet në qendrat kolektive si kjo këtu në Mihatovici.

‘Subvencion për korrupsion’

Lufta e Bosnjës detyroi rreth 2.2 milionë njerëz – më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit – të largohen nga shtëpitë e veta. Kur konflikti përfundoi më 1995, UNHCR vlerësoi se qendrat kolektive në të gjithë vendin po strehonin rreth 50 mijë njerëz. Të 8 mijët që mbeten atje sot, të shpërndarë në 158 qendra, janë ata që nuk kanë pasur asnjë vend më të mirë për të vajtur. Ata janë më së shumti të varfër, të moshuar dhe të dobët dhe në disa raste, fëmijë të tyre. Ata nuk kanë miq të politikë dhe, ndryshe nga veteranët e konfliktit, ata nuk përbëjnë një grup lobues. Vendi i tyre i ka braktisur.

“Çdo gjë në Bosnjë aktualisht është e politizuar dhe kjo është gjithashtu një problem prioritetesh politike,” thotë Dr Barton-Hronesova, nga Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Oksfordit. “Këta 8 mijë njerëz janë, gjithsesi pa ndikim në zgjedhje. Le të jemi të ndershëm – askujt nuk ia ndjen për ta.”

Sistemi i Bosnjës ka dështuar në shumë drejtime. Bosnja nuk funksionon si një shtet unitar për shkak se sistemi politik i saj ka ruajtur ndasitë e kohës së luftës. Pas zgjedhjeve të vitit 2018, vendi kaloi më shumë se një vit në paralizë administrative ndërsa udhëheqësit debatonin mbi qeverinë e ardhshme. Ndërkohë, shtetasit e vet më të aftë kanë vijuar të largohen nga vendi, duke i shpëtuar normës më të lartë në botë sa i përket papunësisë mes të rinjve. Ekonomia është e bllokuar nga korrupsioni, e mbajtur gjallë nga ndihmat, remitancat dhe kreditë.

Në një qendër kolektive në fshatin Mihatovici në Federatën e Bosnjës dhe Herzegocinës, familje të reja janë të shqetësuar mbi rritjen e një gjenerate të re mes kushteve të mjera dhe varësisë së gjithëpërhapur nga droga.  Me një popullsi prej afro 500 vetësh, kjo është qendra më e madhe e këtij lloji në Bosnjë. Banorët e saj përfshijnë shumë nga bashkësia e varfër rome, strehuar në kazerma të vjetëruara me fasadat e mbuluara nga barishtet dhe balta.

“Ishte e vështirë të rriteshe këtu,” thotë Adnan Mekic, një banor 25 vjeçar në qendër, duke përmendur problemet me drogën. Ai i jep merita të atit, një burri të moshuar me paterica, si personi që mbajti atë dhe motrën e tij “larg telasheve”. Tani që ai është vetë një baba i ri, Adnani udhëton rregullisht për në Gjermani për të punuar si hekurlidhës.

Bosnja është e detyruar të ristrehojë banorët e qendrave kolektive si pjesë e angazhimit të saj ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, e cila sanksionon të drejtat e të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Megjithatë dështimi i vendit për të respektuar këtë detyrim nuk mund t’i atribuohet vetëm sistemit politik të modeluar sipas kësaj marrëveshjeje. Ajo është gjithashtu një dështim i gjeneratave të politikanëve boshnjakë.

Senad Bratic, një ish-president i komitetit përgjegjës për refugjatët në qeverinë e Republikës Srpska thotë se CEB II nuk është zbatuar për shkak se mungon vullneti politik. “Mjetet janë atje, kontratat janë firmosur, tenderët janë shpallur,” i tha ai BIRN. “Por njerëzit kanë gjithashtu nevojë të kenë dëshirë për të bërë punën.”

Korrupsioni ka luajtur gjithashtu një rol në dështimin për të zëvendësuar qendrat kolektive, megjithëse jo në kuptim të drejtpërdrejtë: nuk ka prova që fondet e huaja të caktuara për projektin janë keqpërdorur. Megjithatë, Boris Divjak nga Transparency International tha se fakti që Bosnja ka nevojë për financime të huaja është në vetvete një simptomë e shpërdorimeve endemike gjithkund tjetër në sistem.

“Paratë që vijnë nga organizmat ndërkombëtare shërbejnë në vetvete si një subvencion për korrupsionin,” tha Divjak. “Nëse nuk do të kishte korrupsion në Bosnjë, nëse nuk do të ishte një shtet transparent, paratë nga të ardhurat nga taksat dhe remitancat do të mjaftonin për ta mbajtur makinerinë në punë.” Kjo është e vërtetë për çdo sektor, tha ai, përfshirë strehimin. “Ka pasur mjaftueshëm para për të mbyllur qendrat kolektive, në nivel vendor dhe kombëtar,” tha ai.

Siç demonstroi Angelina Jolie, zëvendësimi i qendrave kolektive nuk ka nevojë të jetë një punë veçanërisht e kushtueshme. Shtëpia e re e Lenës në Rogaticë u ndërtua brenda dy viteve pasi qeveria e SHBA-së dha 500,000 dollarë amerikanë (453 mijë euro) për të. Kur një vizitë e shpejtë nga një yll i Hollivudit e realizoi atë që autoritetet e Bosnjës nuk mund të bëjnë prej dekadash, kjo shërben si dëshmi jo aq shumë të fuqisë së famës se sa të apatisë së shtetit të pasluftës.

Shi dhe sëmundje në Vucjak

Përgjatë vitit të fundit, dhjetëra-mijëra njerëz janë ende duke u zhvendosur nëpër Bosnjë. Ata kanë lënë pas krahëve luftë dhe varfëri në vende të tilla si Afganistani, Pakistani, Siria dhe Iraku, në kërkim të një jete më të mirë në Bashkimin Europian. Rruga e tyre e shpresuar është ajo përmes kufirit kroat, por shumë nga ata që përpiqen ta kalojnë kapen nga policia kroate dhe detyrohen të kthehen me forcë në Bosnjë. Kjo taktikë e ashpër, e njohur si “shtyji pas”, e shtyu Bosnjën së fundmi në prag të krizës së parë humanitare që vendi has që nga koha e luftës.

Nga të 50 mijë refugjatët dhe migrantët që vlerësohet se kanë hyrë në Bosnjë vitin e kaluar, rreth 8 mijë janë bllokuar këtu si pasojë e shtyrjeve pas nga kroatët. Shumë kanë përfunduar të flenë nëpër malet pranë kufirit, apo nëpër kampe johigjenike dhe të mbipopulluara në Vuckak, pranë qytezës veri-perëndimore të Bihaçit.

Kampi u ndërtua verën e kaluar nga autoritetet e Bihaçit në zonën e një ish-fushe plehrash që është e rrethuar nga fusha të minuara, pa furnizim me ujë të rrjedhshëm apo elektricitet. Ndërsa vjeshta solli shi dhe temperatura të ulëta, agjencitë e ndihmave paralajmëruan se ky vend është bërë i rrezikshëm për stafet e tyre dhe për refugjatët e migrantët që varen prej tyre. Në një pikë në tetor, Vuçjaku numëronte 2,500 vetë – tri herë më shumë se sa kapaciteti që kishte. Kampi ishte gjithashtu fare pranë një epidemie zgjebeje.

Një numër agjencish humanitare dhe të të drejtave të njeriut – nga Kryqi i Kuq te Amnesty International – nxitën autoritetet vendore të mbyllin kampin dhe të zhvendosin banorët, ndërsa Bashkimi Europian premtoi fonde për një kamp alternativ. Megjithatë, të gjitha përpjekjet për të gjetur një strehim alternativ hasën në kundërshtinë e bashkësive vendëse, të cilat nuk dëshironin të strehonin refugjatë dhe migrantë. Dhe kështu kampi mbeti i hapur për shumë muaj, ndërsa dimri përkeqësoi kushtet.

Në një intervistë me BIRN Nëntorin e kaluar, kryebashkiaku i Bihacit,

Suhret Fazlic, kritikoi politikanët e zonës të cilët kishin bllokuar përpjekjet për të zhvendosur kampin. Ai kritikoi gjithashtu autoritetet shtetërore të Bosnjës për delegimin e përgjegjësisë për trajtimin e krizës së migrantëve dhe refugjatëve te bashkitë si ajo e tija, pranë kufirit me Kroacinë. Shteti, i tha ai BIRN, duhet të regjistrojë migrantët, t’i strehojë dhe të procesojë aplikimet e tyre. Por në vend të kësaj, tha ai, shteti vetëm sa “i dërgon ata në Bihaç”.

Vucjak më në fund u mbyll në dhjetor, kur një kamp në kryeqytetin Sarajevë pranoi t’i marrë banorët e saj.

‘Jo optimist’

Njerëzit në qendrat kolektive nuk janë në nevojë të dëshpëruar, ndryshe nga refugjatët dhe migrantët. Strehët e tyre, sado që të papërshtatshme, janë më të ngrohta se sa tendat në Vucjak. Ata më së shumti kanë akses në ujë dhe elektricitet dhe nuk janë më duke lëvizur. Por historia e Vucjakut ilustron atë që banorët e qendrave kolektive e kanë ditur prej kohësh – ti ke nevojë për më shumë fonde për të siguruar strehim në Bosnjë; ti duhet të kesh gjithashtu një sistem politik në anën tënde.

“Ata na mbajnë ne këtu si bagëti,” tha Jasmin Rizmanovic, banor i qendrës kolektive së Hrasnicës në rrethinat e Sarajevës, Federata e Bosnjë-Herzegovinës. “Tonelata ndihmë na është sjellë ne për të na ndihmuar por ne nuk kemi parë kurrfarë përfitimi.”

Familja e Jasminit iku nga Bosnja lindore e dominuar nga serbët kur ai ishte 12 vjeç. Tashmë është në të tridhjetat dhe po rrit fëmijët e vet në një ndërtesë të vjetëruar që strehon rreth 50 njerëz. Kunata e tij, Amina Rizmanovic, thotë se ajo shpesh buburrecët mbi familjen e saj ndërsa janë duke fjetur.

Borislav Bojic, një ish kryetar i komitetit shtetëror për të drejtat e njeriut në Bosnjë, tha se koha po mbaronte për trajtimin e këtij problemi. “Shumica e njerëzve në qendrat kolektive janë të moshuar, ata nuk do të jetojnë 150 vjet,” i tha ai BIRN. “Ky problem duhet të zgjidhet menjëherë, por unë nuk jam optimist për këtë.”

Lena Babic dhe fqinjët e saj në Rogatica e konsiderojnë veten me fat. Ato kishin një banjo të përbashkët në një ndërtesë të vjetër ish-shkolle. Në shtëpinë e tyre të re, të quajtur Vila Angelina sipas emrit të bamirëses, apartamentet janë të shoqëruara me tualete, frigoriferë dhe lavatriçe.

“Ne mund të ishim kalbur prej kohësh nëse nuk do të ishte Angelina,” thotë Persa Radovic, fqinja ngjitur me Lenën, e cila është gjithashtu në të tetëdhjetat. Dy gratë takohen çdo mëngjes për kafe – rituali i dytë i përbashkët dhe i përditshëm i tyre. Dita fillon me ritualin e parë: ato i bien murit që ndan apartamentet dhe dëgjojnë për përgjigje. “Kur marr përgjigje,” thotë Persa, “mendoj se është një ditë e mirë, se Lena është ende gjallë!”