Rushdie Kërcënohet nga Mafia e Mumbait

Romancieri britanez me origjinë indiane Salman Rushdie është tërhequr nga festivali më i madh letrar i Azisë, pasi që ishte paralajmëruar që mafia “don” e Mumbait synon vrasjen e tij. 

Rushdie ishte i ftuar të ligjëronte për veprën e tij “Midnight’s Children” me të cilën fitoi çmimin Booker për letërsi. Ai ishte paraparë të hapte festivalin Jaipur në veri-perëndim të Indisë.  

Sipas gazetës britanike “The Guardian”, të premten në mesditë, organizatorët e festivalit, përfshirë shkrimtarin William Dalrymple, lëshuan një deklaratë përmes së cilës Salman Rushdie shpjegonte arsyet për mospjesëmarrje në këtë festival.  

Ndonëse 64 vjeçari Rushdie ka thënë se kishte “disa dyshime” lidhur me besueshmërinë e informatës, e cila kishte ardhur nga disa burime në Indi, ai shtoi se megjithatë “do të ishte…papërgjegjësi ndaj familjes sime, festivalit dhe kolegëve të mi shkrimtarë…të vijnë në këtë festival nën rethana të tilla”. 

Zhurma rreth prezencës së Rushdie në këtë festival u bë pas telefonatës së një gazetari me një klerik musliman, i cili kishte deklaruar se Salman Rushdie kishte “lënduar ndjenjat e muslimanëve në gjithë botën”. 

Fituesi i shumë çmimeve prestigjioze të letërsisë, për një kohë të gjatë ka qenë mjaft kontravez për botën islamike. Publikimi i “The Satanic Verses” u përcoll me pakënaqësi të mëdha deri te thirrjet e liderit iranian Ayatollah Ruhollah Khomeini për vdekjen e tij. Këto kërcënime e kanë detyruar shkrimtarin të fshehet për vite me rradhë. 

Festivali Jaipur mbledh më shumë se 250 shkrimtarë dhe mbi 60,000 njerëz nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në sesionet që do të mbahen nga shkrimtarë të tjerë botërorë.