Guri i Matosit, Mushtisht, Suharekë. Foto nga droni: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Ecje nëpër gjurmët e para, cak Shpella e Matosit - VIDEO

Duke ecur nëpër gjurmët e para të rrugës që të çon në mal, rruga me shumë shtigje për te Shpella e Matosit në Suharekë ishte zor e kapërcyeshme. Qëllimi ishte që ngjitja të përfundojë aty ku thuhet se ka filluar jeta e të parëve.

Reshat Selimi është rritur me tregimin e prindërve të tij që shkëmbi madhështor që gjendet matanë shtëpisë së tyre në Mushtisht të Suharekës është shpellë parahistorike ku kanë marrë frymë të parët e shqiptarëve.  

Ngjashëm si Reshati, besojnë edhe banorët tjerë të këtij fshati. Mushtishti ka rreth 5 mijë banorë, fshat që është një prej më të mëdhenjëve në Kosovë. Megjithatë, për të vërtetuar tregime të tilla gojore, që për të cilën banorët thonë se e kanë parë shpellën me sytë e tyre, ende nuk ka bazë shkencore pasiqë në këtë lokalitet mungojnë gjurmimet arkeologjike.

Midis maleve të Sharrit, rrugë e cila të çon edhe te Maja e Bajrakut (2092), ne u ngjitëm deri lart, pa përfillur fjalët e banorëve që thoshin se rruga deri atje është shumë e vështirë nëse vizitorët nuk posedojnë pajisje të posaçme për turizmin malor.

Guri i Matosit, Mushtisht, Suharekë. Foto nga droni: Denis Sllovinja/ Kallxo.com
Guri i Matosit, Mushtisht, Suharekë. Foto nga droni: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

 Shpella besohet të jetë mesjetare. Shtigjet deri atje ishin të pa përkufizuara. Herë me thonj, herë me duar, duke rrëshqitur e ngritur në këmbë, ngjitja ishte më pak historike se ajo e para në majën me të lartë në botë në Everest të Himalajeve. Terreni ishte sikur të ngjitesh në pëllëmbë të dorës e shiu i para një dite kishte vështirësuar edhe më shumë shtigjet deri atje: baltë, lisa të rrëzuar dhe puse të shkatërruara.

Deri në kilometrin e tretë, rruga ishte më e lehtë. Rreth dy orë rrugë me kahje nga juglindja, pamjet ishin mbresëlënëse. Reshati nga poshtë e deri në gjysmë të rrugës tregoi rrëfime për gurin-shpellë. Ata besojnë që në shpellë kanë jetuar ilirët.

“Shpella e Matosit është një ndër shpellat ndoshta më të vjetrat në Kosovë, por shumë pak e eksploruar për fat të keq. Banorët tanë thjesht e vizitojnë shumë shpesh këtë shpellë dhe është shumë e popullarizuar në Mushtisht dhe në fshatrat përreth”- tha Reshati, i cili është edhe kryetar i fshatit.

Kryetari i fshatit Mushtisht, Reshat Selimi. Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Sipas tij, shpella gjendet shumë lart për shkak të pozitës më të përshtatshme gjeografike për të jetuar në mesjetë: për t’u mbrojtur nga armiqtë e shtazët e egra.”Kjo lartësi besohet që është përdorur nga ata si pozitë strategjike që të jenë të mbrojtur dhe ta kenë nën vëzhgim të gjithë territorin nga do ju vij armiku”.

Në rrugën deri atje janë gjetur artefakte të vjetra si pitosi ilir dhe një fandikonë. 

Selimi tregoi se kur është bërë për herë të parë hapja e rrugës rrëzë malit, një nga punëtorët që ka punuar me eskavator ka hasur në një enë goxha të madhe, të cilin pasi që e kanë ndërguar në Muzeun Arkeologjik në Therandë është vërtetuar që është pitos ilir.Pjesa e padëmtuar e enës ruhet si artefakt në Muze. Pitosi është një enë e vjetër e madhe ku janë ruajtur drithërat.

Duke marrë shkas lashtësinë e shpellës dhe artefaktet që janë gjet rrugës deri te Shpella, Selimi kërkon që të bëhen hulumtime arkeologjike të mirëfillta.

Arkeologu Shafi Gashi thotë që Shpella e Matosit është monument i përiudhës mesjetare në të cilën ka gjurmë arkitekturore, por me sa ka shfletuar nuk ka hulumtime të mirëfillta, por vetëm “survey” arkeologjik.

Arkeologu Shafi Gashi. Foto: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

“Gjetje sporadike ka pasur, për shembull ne në vitin 2015 kemi gjetur gjatë hapjes së rrugës te naltë për në Bjeshkën e Mushtishtit kemi hasur në një strukturë banimi dhe është zbuluar një pitos”- tha ai për KALLXO.com.

Pa arritë në cak, Selimi tregoi që në kohën pas Luftës së Dytë Botërore, shpella ka shërbyer si strofullë e arinjve. Malet e Sharrit, përkatësisht Rusenica njihet si vendbanim i ariut të murrmë.

 “Është paguar nga shteti një roje e pyllit që i ka dërguar arinjve ushqim aty, ndërsa ka qenë strofull e ariut të murrmë për shkak se ky ka qenë habitati i ariut të murrmë që sot e kësaj dite është specie në zhdukje e që mbrohet nga shteti”- tha Reshati.

Pjerrtësia e madhe Reshatit ia pamundësoi ngjitjen deri lart te njëra nga hyrjet e shpellës. Kështu që rruga deri te Shpella e Matosit vazhdoi pa tregime, por duke u ngjitur me pjesë të trupave të lisave. Arritja ishte aq sa madhështore, aq edhe dëshpruese. Pamja e fshatit nga lart ishte mbresëlënëse, gjithashtu edhe pamja e jashte e shpellës. E dëshpëruese ishte pamundësia për t’u futur brenda shpellës.

Guri i Matosit, Mushtisht, Suharekë. Foto nga droni: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Shkëmbi ishte madhështor. Vrimat që i ngjasonin dritareve ishin shumë lart të vendosura bashkë me hyrjet. Shkallët e pagdhendura mirë ishin të papërshatshme për t’u ngjitur deri te porta, sa që arrije të ngjiteshe shumë pak, përndryshe rrezikohet jeta nga lartësia.

Ngjyrat e vjeshtës kishin mbuluar relievin. Mure të vjetra me gurë të vegjël gjenden karshi shpellës. Në disa pjesë të shpellës vëreheshin vrima të mëdha, që ngjanin me strofulla.

Guri i Matosit, Mushtisht, Suharekë. Foto nga droni: Denis Sllovinja/ Kallxo.com

Edhe pse nuk u panë, Reshati thoshte se brenda shpellës gjenden grafite që janë parë vetëm nga banorët që e kanë vizituar më shpesh shpellën.

Tri veçoritë e shpellës sipas kryetarit të fshatit janë vjetërsia, krijimi i saj në formë natyrore dhe ideja që besohet që është shpellë parahistorike. Për këto arsye, ai beson që Shpella duhet të futet në radhën e monumenteve natyrore të Kosovës.

Gjurmimet, hulumtimi dhe investimi në këtë lokalitet, sipas banorëve mundëson turizmin malor dhe që Shpella e Matosit të jetë një piketim për turizëm.