Pierre Hassner. Foto: sciencespo.fr

Filozofi i 'pasioneve njerëzore' dhe mbrojtjes së kauzës për Kosovën

Në vitin 2016, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi si shumë të tjera figura me ‘’Urdhrin e Lirisë’’ edhe filozofin Pierre Hassner, një figurë e shquar në botën e filozofisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare i cili vdiq dy javë më parë.

Mendimtar, politolog, teoricien e intelektual, përherë kureshtar, Pierre Hassner meriton vëmendje të veçantë sidomos për nyjëzimin e arsyes filozofike me atë politike, që e sjell më pranë thelbit të njerëzimit dhe ekzistencës.

U lind në Rumani në vitin 1933 në familje me prejardhje hebraike frankofile. Gjatë Luftës së Ftohtë në 1948 arratiset në Francë bashkë me familjen. Studioi në liceun Janson-de-Sailly në Paris dhe më tej në Sorbonë për filozofi. Si student u piketua si tejet i mprehtë dhe me mendje brilante nga mësuesi i tij Raymond Aron, sociolog francez, i njohur për idetë e tij racionale humaniste, i cili e shqoi menjëherë diskursin e tij asokohe dhe nuk ngurroi të shkruante në ditarët e tij që në rrethana të cilat nuk i mban mend, kujton që Pierre Hassner dha një ligjëratë të shkëlqyer dhe mahnitëse mbi Tukididin, duke i thënë që nga asnjë student apo mësues nuk kishte dëgjuar kurrë një fjalim me cilësi të krahasueshme. Fitoi bursën Rockfeller që e dërgoi për studime në Universitetin e Çikagos, ku u njoh me filozofin politik gjermano-amerikan Leo Shtraus. Jeta e tij akademike vijon mes SHBA-së dhe Europës, si profesor vizitues, kërkues shkencor etj.

Shkrimet e tij të publikuara ndër vite janë ndikuar sigurisht nga dinamikat e jetës së tij dhe përvojat si pjesë e një shoqërie në rimëkëmbje të vlerave etike, morale dhe politike pas dy luftërave botërore. Hassner është ndër të paktët që i dha politikës ngjyra të filozofisë dhe e përdori këtë të fundit si udhëzues për të kuptuar më në thellësi arsyen dhe qëllimin prapa skenës së politikës botërore, përplasjes së ideologjive dhe politikave të jashtme. Studiues i flaktë i filozofëve Emanuel Kant, Xhon Lok dhe Tomas Hobs. Veprimtaria dhe analiza e tij lidhet ngushtë me shndërrimin, konsolidimin dhe integrimin e shoqërive të ish bllokut lindor dhe Ballkanit, me interes të veçantë në luftërat e pas viteve ’90 në Bosnjë dhe Kosovë.

Ndër veprat dhe esetë e tij më të njohura janë: ‘Hakmarrja e pasioneve. Metamorfozat e dhunës dhe krizës politike’, ‘Europa dhe spektri i nacionalizmit’, ‘Ndërhyrësit. Teoria dhe praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare përballë çështjes së refugjatëve’, ‘Mes Kantit dhe Kosovës’, Kosova, Ballkani, Europa: takim i shkurtër apo martesë e qëndrueshme? etj. Hassner ishte kritik i parimit uillsonian që justifikonte politikat e ndërhyrjes ‘’me përgjegjësinë për të mbrojtur’’ Bosnjën dhe Kosovën, të administratës së Bush-it. Qasja neo-konservatore e kish vjedhur termin e ndërhyrjes me qëllime humanitare, për qëllime strategjike, siç e dëshmoi lufta në Irak dhe siç po e paguajnë ende sirianët. Hassner e ekspozoi Europën, SHBA-në dhe OKB-në si pa shumë besueshmëri dhe të paqarta në politikat e vendimet e tyre për misionet paqeruajtëse dhe pajtuese në Kosovë dhe Bosnjë. Sipas tij, kjo është arsyeja që këto shtete ende kanë një status kontradiktor dhe të paqartë dhe sidomos për Kosovën, kjo është mënyra e vetme për të vijuar shtet-formimin.

I ndjeshëm ndaj natyrës tragjike të politikës, Hassner i dha një dritëhije filozofike, duke nisur me botën paqësore, demokrate dhe liberale të Lokut dhe Kantit, të tronditur nga bota e Hobsit ku të gjithë luftojnë kundër të gjithëve, e Niçes mbi përcaktimin e identitetit dhe e Marksit mbi luftën e klasave dhe asaj të botëve të zhvilluara dhe pazhvilluara. Pavarësisht rezervave, r mbështeti ndërhyrjen gjatë luftërave të Ballkanit. Hassner ishte po ashtu nënshkrues i apelit ndërkombëtar për qeveritë e shteteve dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, për t’i dhënë fund luftës, barbarisë dhe spastrimit etnik në ish Jugosllavi.

Gazetarja Mari-Fransuazë Allain në një punim të përbashkët me Pierre Hassner e thumbon komunitetin ndërkombëtar duke përforcuar sakaq teorinë e Hassner si dhe duke e arsyetuar krijimin e forcave guerile (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) si rezultat i amullisë dhe indiferencës së tyre. Dominik Vidal në një artikull të tijin në vitin 1999 me titull ‘’Ballkani: duhet të dijë si t’i japë fund një lufte’’, shprehej se me interesat strategjike globale, SHBA as që e ka për qëllim të zgjidhë krizën e Kosovës në thellësi. Vidal parashikoi që politika e Klinton-it do të krijonte një trazirë të vazhdueshme në Ballkan dhe se një Kosovë e pavarur do bënte që rajoni të marshonte drejt një kaosi.

Pavarësisht profesionit të tij, Hassner rreshtohej përkrah njerëzimit, pasionit, vetëvendosjes dhe të drejtave të njeriut, kundra dhunës, totalitarizmit dhe luftës, që në njëfarë mënyre i përngjan qasjes idealiste të Udrou Uillson. Qëndrimin e tij e konsideronte si moral, paçka se arsyeja e tij e printe drejt veprimit të ndërhyrjes për shuarjen e një konflikti, nëse vetë synimi përfundimtar është i justifikuar për të sjellë ekuilibër dhe bashkekzistencë rajonale, si në rastin e Ballkanit. Përmes shpirtit të tij të filozofit, ai e perceptonte arenën ndërkombëtare si përplasje pasionesh, ndryshe nga Samuel Hantington, i cili përmes ‘’Përplasjes së Qytetërimeve’’, shtron teorinë se çdo gjendje, rrethanë e krijuar në këtë botë është pasojë e përplasjes së qytetërimeve, duke nënkuptuar ndërkaq edhe besimet fetare.

Në metafizikën e Pierre Hassner, bota ka këtë pamje që ka, si pasojë e përplasjes së pasioneve njerëzore. Dukshëm vërehen gjurmët që kanë lënë veprat e Tukididit e Hobsit në mbrujtjen e tij filozofike. Pasionet kolektive luajnë rolin kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nën këtë paradigmë, Hassner i klasifikon pasionet si jo ekuivalente dhe të papërmbajtura. Pasioni i papërmbajtur shpie në krim/vetëvrasje, ndërsa përmbajtja pa pasionin shpie në dobësi dhe plogështi. Çka është më e vështira këtu, vetë ndërthurja e tyre.

I pyetur nëse është arritur ndonjëherë kjo, ai përgjigjet se pas Luftës II Botërore pati një pasion europian për krijimin e një federate si Shtetet e Bashkuara të Europës, por që u zhduk fill pasi presidenti francez asokohe, Fransua Miterran tha fjalinë: ‘’Franca është atdheu im dhe Europa e ardhmja’’. Që atëherë, çdo lider që ka pasuar, e ka drejtuar Europën pa pasion. Sot, fatkeqësisht, pasioni gjendet mes anti-europianëve dhe në vend që Europa të shihet si format i globalizmit dhe pajtimit të identiteteve kombëtare, shihet për keqardhje si një burokraci.